Një fjalë zemre për Sabitin, mbajtur në akademinë përkujtimore, sot!
Përshëndetje dhe respekt për të gjithë!
Sabit Veselin, ka ngjarë ta quanin edhe hero i heshtur!
Hero domosdo, por i heshtur jo, mendoj unë.
Sabiti, ishte fjalëpak, por veprimtar i madh dhe kjo nuk e bënë të heshtur aspak! Madje, as në kuptim simbolik! Sepse, fletë e kumbon veprimtaria e Tij, gjithmonë!
Për Sabit Veselin dhe bashkëveprimtarët e tij të idealit e të luftës për liri, është përgjegjësi, aspak e vogël, as e thjeshtë, për të marrë fjalën e për të thënë diçka pa ndjesinë e frikës se do t’ju hyjmë në hak.
Luftëtarët e lirisë i kanë thënë të gjitha vetë, me përgjegjësi dhe në formën më të përkryer të mundshme e të artikuluara me veprimtari. Mundi, djersa, sakrifica dhe gjaku i tyre janë vula e kurorëzimit të Lirisë.
Edhe Sabiti i idealeve dhe veprimtarive të mëdha, i ka thënë me punë, guxim e devotshmëri të gjitha në shërbim të atdheut e lirisë.
Prandaj, unë kam frikë, emocion e përgjegjësi sa herë që më bie barra të them dy fjalë për një jetë e veprimtari, si të Sabitit dhe kujdoqoftë nga bashkëveprimtarët e tij.
Sabit Veseli është një emër i veçantë prej çlirimtari dhe i përmasave më të mëdha se emri i përvetshëm i tij në historikun dhe historinë e Lirisë. Përmes Sabit Veselit, që po e përkujtojmë mungesën e Tij, që për 12 vjetësh, sot, mund të demonstrojmë dhe shpalosim një epokë të tërë të frymëzimit, kalitjes, veprimtarisë, luftës çlirimtare dhe të vetë Lirisë.
Fryma e Dan Derocit, jehona e Azem Bejtës, përpjekja e Shaban Polluzhës, aspirata e Adem Demaçit e shumë paraardhësve idealistë e luftëtarë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar, ishin shkolla dhe edukimi patriotik i Sabit Veselit dhe gjithë gjeneratës bashkëkohore të veprimtarisë së Tij.
Nën pushtim, nuk është kurrë e vështirë të orientohesh në rrugën e lirisë. Por, duhet edukim patriotik dhe aspiratë liridashëse; frymë dhe frymëzim idealist; forcë, guxim dhe sakrificë çlirimtare në përballjen e madhe për jetë a vdekje me pushtuesin gjeonocidist! Dhe, Sabiti ishte i brumosur me të gjitha këto kualitete të një liridashësi të paepur dhe veprimtari të kompletuar, që, së bashku me shokët e po kësaj rruge, të arrinin deri te realizimi i ëndrrës shekullore, që e trashëguam dhe e patëm fatin e madh historik për ta kurorëzuar me Liri. Gjithmonë, përmes luftës së lavdishme të UÇK-së.
Sabiti, jo vetëm që zgjodhi rrugën e vetë të drejtë e të vështirë të lirisë, por u bë edhe udhërrëfyes dhe orientim i shumë çlirimtarëve pas Tij. Jo rastësisht u bë dhe orientim i dy veprimtarëve të veçantë, si Kadri Veseli e Hashim Thaçi, emra simbol të luftës për liri dhe politikbërjes e shtetndërtimit në liri, të cilët, edhe sot, padrejtësisht, gjenden në një mision të ri, të pasqyrimit të UÇK-së para një gjykate të kurdisur armiqsh të Kosovës së Lirë, ani se nën ombrellën europiane, gjoja të drejtësisë!
Pra, familja e madhe atdhetare Veseli, lindi, rriti, eduakoi dhe brumosi veprimtarë, dëshmorë dhe udhëheqës të luftës e të lirisë! Dhe, fatkeqësisht, Kosova, akoma po e vuan, në vend se ta gëzojë lirinë!
Për më keq, edhe në emër të popullit, tashmë të lirë!
Mbase jo si dikur nën pushtimin serb, kur, Sabit Veseli, refuzonte dënimin me burg, në emër të popullit të tij! Popull, të cilin, i njëjti pushtues, do të provonte ta zhbënte me luftë gjenocidale, pastaj!
Me mendjen top edhe armën plot, Sabit Veseli ishte promotor i organizimit çlirimtar dhe politik, që nga rinia deri në fund të jetës, që e mbylli tragjikisht, por, gjithëmonë të lavdishme, sigurisht!
Mbi të gjitha, Sabiti ishte i drejtë dhe i drejtëpërdrejtë, po aq sa edhe i guximshëm dhe i pakompromis ndaj padrejtësisë, në çdo rrethanë, në çdo kohë dhe në çdo kuptim! Të paktë ishin veprimtarët si ai!
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Sabit Veselit!
Liri për çlirimtarët!
Përjetësia iu takon heronjëve dhe dëshmorëve, përgjegjësia të gjallëve!
L A V D I !
Mitrovicë, 06. 08. ‘22
HS.