Banorët e Tërstenikut të komunës së Drenasit, luftës së UÇK-së ia kanë dhënë 24 dëshmorë e 36 martirë. Vetëm lagjja Qallapeku e këtij fshati të madh të Drenicës, luftës së UÇK-së ia ka dhënë dëshmorët: Halim Qallapeku, Mehmet Qallapeku, Halit Qallapeku, Hamdi Qallapeku dhe Mujë Qallapeku, e po ashtu edhe disa martirë.
Fshati Tërstenik i Drenasit ka një histori të lavdishme të rezistencës kundër pushtuesve. Përveç pjesëmarrjes masive në kryengritjet shqiptare për çlirim nga robëria turke, trimat e këtij fshati kanë luftuar edhe përkrah Azem Galicës, më vonë përkrah komandantit të nacionalçlirimtares së Drenicës, Shaban Palluzha, dhe në luftën e fundit të UÇK-së përkrah luftëtarëve të komandantit Adem Jashari.
Në kryengritjen antijugosllave të Shaban Palluzhës kanë rënë dëshmorë: Arif Memë Çallapeku, Ukë Bazaj e shumë të tjerë.
Nga fshati Terstenik janë shpallur dëshmorë: Adem Shaban Mulaj, Afrim Nezir Gjokaj, Bedri Zeqir Bazaj, Enver Salih Kukiqi, Fatime Xhemajl Bazaj, Halim Milazim Qallapeku, Halit Sokol Qallapeku, Hamdi Hajzer Qallapeku, Hysni Idriz Dvorani, Imer Fazli Dvorani, Smajl Xhemajl Bazaj, Mehdi Halit Cakiqi, Mehmet Sylë Qallapeku, Mujë Bahtir Qallapeku, Naim Azem Tiku, Nasuf Qerkin Gashani, Nuhi Lan Dvorani, Nuredin Adem Munishi, Osman Xhemë Gjokaj, Ramiz Kajtaz Bazaj, Shefshet Jashar Bazaj, Shaqir Rashit Franca, Tahir Nasuf Gashani, Fadil Murat Gjokaj.
Halimi u lind më 13 qershor të vitit 1958, në Tërstenik. Babai, Milazimi dhe nënë Azizja lindën e rritën, bijtë: Halitin, Halimin, Hajrushin, Tafën, Ademin dhe Arifin si dhe bijat: Gjylën, Nurijen, Shehiden, Hanifen dhe Zelën. Shkollën fillore dhe tetëvjeçare, Halimi i kreu në vendlindjen e tij, në Tërstenik, ndërsa të mesmen në Mitrovicë. Meqë nuk gjente dot punë në Kosovë, ai ashtu sikur mijëra drenicas të tjerë, në vitin 1976 shkon për të punuar në Slloveni. Asokohe atje po punonin edhe Hajrush Qallapeku, Rrahman Qallapeku dhe disa familjarë të tij.
Luftëtarët e parë të UÇK-së të kësaj lagje qysh herët kishin mbajtur kontakte me luftëtarët e bërthamës çlirimtare të legjendarit, Adem Jashari. Në mesin e luftëtarëve të UÇK-së shquheshin edhe Halim Çallapeku, Mehmet Çallapeku, tani dëshmorë si dhe Halit Çallapeku, Rrahman dhe Hajrush Çallapeku.
Pika e parë e UÇK-së në këtë fshat të madh të Drenicës është krijuar në maj të vitit 1998, në vendin e quajtur “Te Lisat Binjakë”, që ishte një pikë strategjike nga ku vëreheshin dhe përcilleshin vazhdimisht lëvizjet dhe pozicionet e ushtrisë dhe policisë serbe. Aty luftëtarët e kësaj ane kishin rregulluar dy bunkerë dhe kishin hapur istikamet me qëllim për të mos lejuar depërtimin e forcave armike.
Në këtë pikë kanë vepruar: Halim Qallapeku, Rrahman Qallapeku, Halit Qallapeku, Hajrush Qallapeku, Rexhep Qallapeku, Mujë Qallapeku, Hamdi Qallapeku, Halit Qallapeku, Tafë Qallapeku, Sahit Spahiu, Tafil Spahiu, Imer Mulaj, Adem Munishi, Qamil Mulaj, Ganimet Bytyçi, Adem Latif Mulaj, Vesel Hajdini, Rizah Hajdini e të tjerë.
Komandant i Pikës së Parë ishte emëruar Halim Milazim Qallapeku.
Kjo pikë luftarake strategjike ishte vendosur përreth rrugës automobilistike, Drenas-Skënderaj, në territorin e fshatit Tërstenik, në anën perëndimore, që shtrihej në një relacion prej kësaj lagjeje të fshatit e deri në Marinë. Luftëtarë të këtij njësiti, të konsoliduar qysh në pranverë të vitit 1998, kanë marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar me rastin e zënies së Grykës së Llapushnikut, më 9 maj të po atij viti. Komandanti i kësaj pike, Halim Qallapeku, ishte në kontakt me Komandantin Ilaz Dërguti nga Rezalla, eprorin e lartë të UÇK-së, Naim Bazaj po nga fshati Tërstenik, Komandantin e SHP të UÇK-së, Sylejman Selimi, Komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku dhe me eprorë të tjerë të Drenicës.
Deri në ofensivën e shtatorit të vitit 1998, Pika “Te Lisat Binjakë” kishte mbrojtur me sukses pozicionet, gjatë tërë kohës së luftimeve, ndërsa luftëtarët e kësaj pike kanë marrë pjesë në luftime edhe në fshatrat përreth, kurdo që ishte kërkuar ndihmë.
Në korrik të vitit 1998, Halim Qallapeku me disa luftëtarë, në mesin e tyre edhe Tahir Gashani, shkon në Shqipëri për të marrë armatim. Paraprakisht me 5 mijë marka gjermane, para personale, kishte blerë armë e municion, por nevojat e luftës ishin shumë herë më të mëdha, andaj ashtu sikur shumë çlirimtarë të tjerë, Halimi nuk reshti duke i furnizuar ushtarët me armë dhe municione. Për dallim nga zonat e tjera, të cilat me çdo kusht përpiqeshin të pajiseshin edhe me uniforma, luftëtarët e kësaj ane mjaftoheshim me një emblemë të UÇK-së dhe pajisjen me municion.
Halim Qallapeku ka vepruar në Brigadën 113 dhe në Brigadën 114, të dyja Brigada të Zonës Operative të Drenicës. Ishte Komandant i Kompanisë së Tretë të Batalionit të Dytë të Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të cilën e komandonte Hysni Shabani.
Në ofensivën e forcave okupatore serbe e filluar më 22 shtator të vitit 1998, luftëtarët e Pikës “Te Lisat Binjakë” kishin rezistuar fuqishëm në vendin e quajtur “Te Bokat”, në drejtim të Abrisë. Ishin dalluar në luftime Halimi, Rrustemi, Hajrushi dhe luftëtarë të tjerë.
Gjatë tërë kohës së luftës së UÇK-së, Halim Qallapeku ka qenë i angazhuar në veprime luftarake në të dyja brigadat e Drenicës, në Brigadën 113 “Mujë Krasniqi” dhe në Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”. Në radhët e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, ka luftuar në radhët e luftëtarëve të njohur të kësaj ane, Zenë Prokshi e Sherif Prokshi.
Deri në qershor të vitit 1999, Halim Qallapeku ishte kudo ku e kërkonte nevoja e ushtrisë dhe e popullatës civile. Më 6 qershor, duke qenë se familja e tij, ashtu sikur edhe shumë familje të tjera kishte mbetur e rrethuar në qytetin e Drenasit, Halimi me bashkëluftëtarin e tij, Sherif Prokshi, u dërgoi artikuj ushqimorë familjeve të mbetura nën rrethim. Po atë ditë duke u kthyer në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, ka rënë në pritë të forcave serbe në fshatin Gllobar. Bashkëluftëtarët e tij tërheqin trupin dëshmorit dhe e varrosin në Varrezat e Dëshmorëve në fshatin Polac të Skënderajt.
Halim Qallapeku ka lënë bashkëshorten dhe bijtë: Hysniun, Burimin, Milazimin dhe Bakiun, si dhe bijat: Behijen, Valmiren dhe Zylfijen.
Familja ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së si dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)