Reka e Keqe e Malësisë së Gjakovës, e njohur për trimëritë e burrave të saj në të kaluarën, e për qëndresën kundër hordhive turke gjatë ekspeditave të udhëhequra nga pashallarë në zë, në kohën e Perandorisë Osmane, u dëshmua dhe sprovua edhe një herë në fund të shekullit XX. Por, tash në luftë me pasuesen e kësaj perandorie, Serbinë pushtuese. Kësaj treve sikur i ishte parash kruar fati i rëndë për të qenë një zonë strategjike pranë kufirit të panatyrshëm të vendosur me dhunë e gjak në mes trojeve shqiptare. Kjo rrethanë bëri që në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, agresori ushtarak serb të përdorë zjarr e hekur kundër fshatrave të kësaj treve. Ky agresor ishte i vetëdijshëm mbi rëndësinë e korridorit të Rekës së Keqe për armatimin e UÇK-së me armët e bartura nga përtejkufiri shqiptaro-shqiptar.
Prandaj, me tërë forcat e veta u përpoq ta kontrollonte këtë korridor.
Pas organizimit të luftës çlirimtare në zonën e Dukagjinit, në pranverë të vitit 1998, zjarri i luftës u përhap me shpejtësi të madhe edhe në Rekë të Keqe. Fundi i prillit e gjeti atë në luftë çlirimtare. Meqenëse ndodheshin në brezin pranë kufirit që simbolizonte ndarjen e dhunshme të Kosovës nga pjesa tjetër e Shqipërisë natyrale, forcat serbe i mbanin fshatrat e Rekës së Keqe nën shënjestër të sulmeve të vazhdueshme. Mirëpo, nuk mungoi as gatishmëria e të rinjve dhe burrave të kësaj treve për t’iu bashkuar UÇK-së në luftën kundër pushtuesit të egër. Halit Asllani ishte njëri prej të parëve që iu përgjigj kushtrimit të lirisë dhe u angazhua në formimin e pikës ushtarake të fshatit, duke dhënë shembullin personal të mobilizimit për një kauzë të përbashkët. Ky akt ndikoi që shembullin e tij ta ndjekin dhjetëra bashkëfshatarë të tjerë, duke i bashkuar forcat e armët nën emblemën e UÇK -së.
Dëshmori Halit Asllani ka lindur më 18 mars të vitit 1961, në fshatin Brovinë të malësisë së Gjakovës. Ai rritet e kalitet në një familje të madhe fshatare me traditë të kultivuar të mikpritjes dhe edukimit atdhetar.
Prindërit e tij, Asllani e Ryva, kishin edhe dy djem të tjerë, Ramizin e Islamin. Familja dallohej në fshat përnga ekonomia e fuqishme bujqësore.
Edhe Haliti u mor me punë bujqësie. Haliti, shkollën fillore e kryen në Molliq, ndërsa të mesmen në Ponoshec e Gjakovë. Në vitin 1981, me rastin e shpërthimit të demonstratave studentore të Marsit në Prishtinë, Haliti ishte student i Fakultetit Ekonomik. Këto ngjarje masive revolucionare gjetën te ai përkrahësin e zjarrtë, prandaj zëri i tij demonstrues do të jehojë fuqishëm në parullën “Kosova – Republikë!”.
Që atëherë, ai i ndoqi me vëmendje të gjitha zhvillimet e mëvonshme rreth çështjes së Kosovës dhe lirisë së popullit shqiptar, duke u përgatitur kështu për sfida të reja që do të kërkojë rruga e çlirimit të Kosovës.
Në vitet 80, Haliti merr ftesën për shërbim ushtarak në armatën jugosllave. Atje shfrytëzon rastin ta përvetësojë artin e përdorimit të minahedhësit e të mortajës, të cilën përvojë do ta zbatojë kur erdhi momenti që këto lloj armësh t’i zbrazë kundër okupatorit, më 1998. Në pranverë të këtij viti, ai së bashku me shumë të rinj të tjerë të fshatit, disa herë shkoi në Shqipëri për qëllime armatimi. Herën e fundit, disa javë para rënies, nga Shqipëria kishte arritur ta sjellë armën e vet të preferuar, murtajën e dorës, me të cilën do të godasë makinerinë serbe në betejën e fundit.
Gjatë muajit maj 1998, forcat serbe ndërmorën sulme të pandërprera duke përdorur tërë arsenalin e armatimit, ndaj fshatrave të Deçanit, Junikut dhe Rekës së Keqe. UÇK-ja që ishte në zgjerim dhe fuqizim e sipër, sulmeve u kundërpërgjigjej me zjarrin e armëve e të zemrave të rinisë i shqiptare. Një sulm i ashpër granatime sh filloi edhe më 29 maj, brenda rrezes së të cilit sulm ndodhej edhe fshati Brovinë. Popullata civile e këtij fshati po përballej me zjarrin e përvëlues që villte gryka e topave serbë, prandaj u detyrua të shpërngulej nga shtëpitë e veta në drejtim të zonave më të sigurta. Familja e Halitit ndodhej në Junik, ku ishte tërhequr me rastin e sulmit të mëparshëm mbi Brovinën, nga forcat serbe, më 3 maj. Granatimi i filluar më 29 maj, u pasua me lëvizjen e makinerisë ushtarake, të tankeve e autoblindave, si dhe të këmbësorisë, nga Ponosheci në drejtim të Brovinës. Në atë mëngjes të zjarrtë, Haliti me bashkëluftëtarët, vëllain, Ramizin, Zenel Asllanin, Ali Jahën, e Florim Sadriun, ndodhej në pikën vëzhguese të fshatit, i gatshëm të përballej me forcat serbe të ekspeditës. Ai, i pajisur me murtajë e mitraloz, zhvilloi një betejë të vërtetë, deri në orën 11, duke treguar heroizëm të pashoq, të cilin vetëm pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund ta bënin. Mirëpo, granatat e pandërprera serbe digjnin çdo gjë, aty ku binin. Një predhë kobzezë granate e godet edhe trupin e Halitit.
Megjithëse i plagosur rëndë, ai nuk dëshpërohet por vazhdon t’u japë kurajo bashkëluftëtarëve, të cilët të ndihmuar edhe nga i vëllai i dëshmorit, Ramizi arrijnë ta tërheqin nga zona e shënjestëruar dhe e dërgojnë në fshatin Nivokaz. Atje, brenda një kohe të shkurtër, zemra e tij pushon së rrahuri, duke lënë pas vetes lavdinë dhe amanetin që të vazhdohet lufta për çlirimin e Kosovës.
Atë ditë, trupi i dëshmorit Halit Asllani u varros në varrezat e Nivokazit, në kopshtin e shokut të tij, Xhafer Osmani. Pas përfundimit të luftës, në verë të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në fshatin Brovinë, ku i është ngritur përmendorja që reflekton heroizëm dhe pavdekësi.
Në shenjë të kujtimit për këtë dëshmor, familja e tij ruan rrobat e trupit që i kishte të veshura në momentin e plagosjes, me të cilat edhe ishte varrosur, fotografitë e tij, e gjësende të tjera. Ndërsa, në një pjesë të oborrit të shtëpisë qëndron e ekspozuar skeleti i autoveturës së djegur, të cilën e kishte ngarë dëshmori. Lavdisë së tij i janë stisur vargje këngësh e i janë shkruar monografi.
Haliti pas vetes la bashkëshorten, Miradijen me 5 fëmijë, tre vajza, Mejreme, Mirlinda, Merita dhe dy djemë, Besnikun dhe Halitin që trashëgon emrin e babait me shumë mburrje dhe krenari, të cilët vazhdojnë shkollimet brenda dhe jashtë Kosovës me suksese të larta duke ndjekur hapat e babait. (N. M.)