Halit Imer Jashari (15.9.1934 - 5.3.1998)

Halit Imer Jashari (15.9.1934 – 5.3.1998)

Beteja e Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit e vitit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen. Shembullin e Adem Jasharit për të mos u dorëzuar e kanë ndjekur edhe Hamit Jashari me tërë familjen e tij, pastaj Halit Jashari po ashtu me tërë familjen, Faik Jashari e shumë të tjerë.
Për tri ditë rresht mbi shtëpitë dhe mbi anëtarët e këtyre familjeve u zbrazën të gjitha llojet e makinerisë së krimit serb. Nuk mbeti shtëpi, pullaz, mur, bodrum pa u granatuar me predha tankesh, me minahedhës, me topa kalibrash të ndryshëm me praga e mitralozë të rëndë. Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 57 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit…..
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej djemve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata, që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan. Andaj Prekazi mban në vetvete realitetin dhe legjendën, historinë e luftës dhe të mbijetesës, historinë e dhembjes dhe të krenarisë, historinë më autentike të kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare, sepse UÇK-ja u lind me Adem Jasharin, u rrit dhe u formësua me të dhe përballoi betejën vendimtare të historisë së vet me të gjithë Jasharët.
Halit Jashari u lind më 15 shtator të vitit 1934 në fshatin Prekaz i Ulët, të komunës së Skënderajt. Me profesion ka qenë murator.
Është martuar me Elheme Ukshinin-Gashi nga fshati Kryshec, me të cilën rriten tetë bij e bija. Me qëllim për të ngritur familjen ka kryer punë të ndryshme në bujqësi dhe ndërtimtari, ndërsa në vitin 1969 ka shkuar në Gjermani, në Mynhen, ku dhe ka punuar rreth 5 vjet. Ndërkohë kthehet në Prekaz dhe sërish fillon të ushtrojë profesionin e muratorit.
Duke qenë fqinj të afërt përnga gjaku me familjen e Shaban Jasharit, Haliti ishte në njohuri të aktiviteteve çlirimtare të Adem dhe Hamëz Jasharit dhe bërthamës së tyre të parë çlirimtare, të cilët edhe i përkrahte në rrugën e tyre çlirimtare.
Shtëpia e Halit Jasharit në Prekaz, ndodhej përballë Fabrikës së Municionit, nga ku forcat policore serbe regjistronin lëvizjet e familjarëve, meqë asokohe Adem Jashari me trimat e tij vepronte ilegalisht me uniformën e UÇK-së.
Prej kohës së daljes publike të UÇK-së më 26 nëntor të vitit 1997, familja e ngushtë dhe e gjerë Jashari e Prekazit kishte marrë të gjitha masat për të rezistuar kundër forcave okupatore. Pothuajse çdo natë mbaheshin tubime në odat e këtyre trimave, të cilët po projektonin rezistencën, e cila parashihej të përfshinte tërë Kosovën. Shaban Jashari me autoritetin e një burri të urtë, të ditur dhe trim, i afërt dhe i dashur për të gjithë kishte bërë për vete të gjithë kushërinjtë, ndërsa për përkrahje të vendosur u shquan, Halit Jashari, Zejnë Jashari, Hamit Jashari, Faik Jashari e shumë të tjerë. Intervenimi i forcave serbe pritej nga dita në ditë. Shumica e burrave të Jasharëve ishin armatosur.
Bërthama e parë luftarake e Adem Legjendarit ishte mbështetur në radhë të parë te të afërmit e vet. Kishin marrë pjesë në sulme kundër policisë serbe shumë nga djalëria e jasharëve. Përveç Ademit, Hamzëz ishin dalluar edhe Sahit Jashari, Musa Jashari, Faik Jashari e shumë të tjerë. Shtëpia e Halit Imer Jasharit po ashtu ishte tashmë e njohur si bazë e fortë e rezistencës.
Sulmi brutal dhe barbar i forcave ushtarake e policore serb kundër Jasharëve kishte filluar rreth orës 6 të mëngjesit të 5 marsit. Në të njëjten kohë me predha artilerie qenë goditur shtëpia e Legjendari, e Halit Jasharit e Hamit Jasharit ku edhe kishte filluar rezistenca e armatosur.
Forcat serbe kishin zënë pocizion te vendi i quajtur “Mali i Premë”, rreth 200 metra përballë shtëpisë së Halit Jasharit, nga ana lindore. Baza ishte sulmuar nga serbët edhe nga Fabrika e Municionit. Jasharët po sulmoheshin me armë të rënda të artilerisë nga të gjitha anët. Goditjet ishin fatale, për të gjitha familjet nën rrethim. Sapo pushonte granatimi dhe forcat e këmbësorisë merrnin turr drejt shtëpive ku po rezistohej, ata ndeshnin nën breshërinë e kallashëve të Jasharëve çlirimtarë. Këmbësoria sërish tërhiqej dhe sërish fillonte sulmi nga artileria e rëndë. Në një gjendje të tillë të sulmit mizor, Jasharët e Prekazit rezistuan rreth 80 orë. Në shtëpinë e Halit Jasharit ndodheshin: Halit Imer Jashari, me bashkëshorten e tij Elhemen, Hajzer Zymer Jashari, Murtez Zymer Jashari, Abdullah Zejnë Jashari, Mihrije Jashari, bashkëshortja e Zymer Jasharit së bashku me bijat Sabrijen e Hanifen. Në kullë ndodheshin edhe tre bijtë e Zejnë Jasharit, Abdullahu, Bujari dhe Blerimi, ndërsa Valdet Zejnë Jashari ndodhej në shtëpinë e Hamit Jasharit.
Me rastin e shpërthimit të luftimeve Zejnë Jashari ndodhet në deponë e shitores të shtëpisë. Një granatë e forcave serbe godet derën, e cila e kishte zënë përfundi, duke shpërndarë gjësendet përreth. Zejna disa orë mbetet pa vetëdije.
Ditën e parë të rezitencën në shtëpinë e Halit Imer Jasharit kanë rezituar me armët e tyre derisa u shpenzohet tërë municioni: Halit Jashari, Hajzer Jashari, Murtez Jashari, Abdullah Jashari e të tjerë.
Në rrethana të një rrethimi të hekurt, të goditur nga të gjitha anët me armë të rënda të artilerisë kanë rënë në altarin e atdheut: Halit Jashari, Hajzer Jashari, Murtez Jashari, Abdullah Jashari, Elheme Jashari, Mihrije Jashari, Bahtije Jashari, Sabrije Jashari, Hanife Jashari, Bujar Jashari dhe Blerim Jashari.
Në ditën e katërt, serbët me qindra forca të motorizuara të artilerisë e këmbësorisë kishin thyer rezistencën e Jasharëve dhe kishin tërhequr kufomat, të cilat fillimisht i dërguan në “Servisin” e Lah Tushilës, në dalje të Skënderajt. Në mesin e të viktimizuarve mungonin kufomat e Mihrije Jasharit dhe dy bijave të saj, Sabrijes dhe Hanifes. Ende nuk dihen rrethanat e zhdukjes së këtyre kufomave, por dihet se shtëpia ku kanë qëndruar familjarët e Halit, Zejnë dhe Zymer Jasharit është bërë blozë nga granatimet dhe flaka e zjarrit që kishte përfshirë shtëpinë. Mendohet se serbët, mund t’i kenë tërhequr kufomat, për shkak se ishin femra dhe me qëllim që të fshehnin krimin kundër grave dhe fëmijëve.
Trupat e këtyre dëshmorëve dhe dëshmoreve të kombit prehen në Kompeksin e varrezave në Prekaz, ku janë varrosur të gjithë të rënët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, së bashku me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari.
Para shtëpisë së rezistencës së Halit Jasharit është ngritur një kompleks modest përkujtimor, ku janë skalitur në mermer fotot dhe emrat e këtyre 11 të rënëve të kësaj dege të lagjes Jashari të Prekazit.
Halit dhe Elheme Jashari kanë lënë bijtë: Naserin, Xhavitin dhe Agimin si dhe bijat: Sadijen, Shahen, Lumijen, Abiden dhe Safeten.
Familja Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit kanë marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Opertive e Drenicës, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi komunal i Skënderajt si dhe nga drejtoria e shkollës.
Jasharët sërish kanë ngritur kullat e tyre dhe me bijtë, bijat, nipat e mbesat po vazhdimësojnë jetën, krenarë për veprat heroike të baballarëve, nënave, motrave e vëllezërve, që u bënë gurë themeltarë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …