Halit Geci i përket brezit të parë të nxënësve të Drenicës, të cilët sapo e mbaruan shkollimin me shumë mund, në kushtet e atëhershme, u kthyen në fshatrat e Drenicës për të ndihmuar arsimimin e nxënësve dhe të popullatës së kësaj treve, e cila kishte përqindje të madhe të analfabetëve. Ai, sikur i dashuruar në këtë mision tërë jetën, me ditar në dorë, ia kushtoi arsimit dhe edukimit të brezave të rinisë drenicare.
Halit Geci lindi më 16 nëntor të vitit 1945, në Llaushë, fshat i njohur për trimëri dhe rezistencë kundër pushtuesve shekullorë. Familja e tij, po ashtu ishte e njohur për traditë atdhetarie e qëndrese kundër shkelësve të atdheut.
Katër klasë të shkollës fillore i kreu në Llaushë, ndërsa tetëvjeçaren në Skënderaj.
Duke qenë se kishte treguar talent, zgjuarsi dhe përkushtim për dituri, në vitin 1960-1961, regjistrohet në shkollën normale “Hasan Prishtina” të Mitrovicës. Gjatë asaj kohe, si nxënës i kësaj shkolle, Haliti pajiset me njohuri nga lëndë të caktuara dhe pas mbarimit të shkollës, fillon të punojë mësues, në fshatin Polac të Drenicës. Njihej si punëtor i urtë, i dashur për nxënësit dhe i respektueshëm nga kolegët. Po aq sa ishte i urtë, komunikativ dhe i gatshëm për t’i ndihmuar secilit që kishte nevojë, Haliti shpërthente i tëri në vrull kur hetonte se u shkileshin të drejtat shqiptarëve. Ai demaskonte pa mëshirë presionin e forcave të caktuara politike kundër lirisë dhe barazisë së shqiptarëve.
Në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, që u zhvilluan në Prishtinë dhe në disa qytete të Kosovës, Haliti kishte marrë pjesë aktive në to.
Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, krahas punës me ditar, Haliti u detyrua të bënte edhe punë të tjera fizike, për të përballuar detyrimet ndaj fëmijëve dhe familjes së gjerë.
Ndërkohë, në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, kur Kosova po lëngonte nën peshën e robërisë klasike serbe, Haliti ishte shprehur para shokëve të punës se për lirinë e Kosovës, nuk do të mjaftonte diplomacia e politika, por duhej edhe gryka e pushkës. Ai ishte në dijeni se trimat e Adem Jasharit dhe bashkëluftëtarët e tij po përgatiteshin për t’i dalë zot atdheut. Prandaj nuk i besonte propagandës pacifiste të kohës.
Duke qenë se sulmet guerile të njësiteve të para çlirimtare, në krye të të cilave ishte legjendari i ardhshëm i UÇK-së, Adem Jashari, kundër policisë serbe, ishin intensifikuar sidomos gjatë vitit 1997, Haliti kishte vënë kontakte ilegale me luftëtarët dhe i kishte ndihmuar ata.
Në fillim të nëntorit të vitit 1997, opinioni përparimtar në Kosovë ishte bindur se lufta kundër pushtuesit ishte e pashmangshme.
Halit Geci, asokohe mbante kontakte me Sabit Gecin dhe me luftëtarë të tjerë të lirisë.
Ai ishte i ndërgjegjshëm se duhej të kishte kujdes për nxënësit në rast të sulmeve të luftëtarëve shqiptarë kundër policisë serbe.
Më 26 nëntor, bashkëluftëtarët e Adem Jasharit. si: Abedin Rexha, Ilaz Dërguti, Sabit Geci e të tjerë, i kishin zënë pritë policisë serbe në vendin e quajtur Klisyrë, në fshatin Rrezallë e Re.
Atë ditë, pas një përleshjeje të ashpër frontale në mes të luftëtarëve çlirimtarë, të cilëve u printe vetë komandant Adem Jashari, Haliti me të gjithë arsimtarët e shkollës kishte qenë i mobilizuar për t’i mbrojtur nxënësit. Ndërkohë një predhë e pushtuesit e kishte goditur rëndë atë, ndërsa lehtë arsimtarin tjetër, Shaban Rreci. Duke qenë se Haliti kishte marrë plagë të rënda, kolegët e tij e çojnë në Spitalin e Mitrovicës.
Plagët kishin qenë vdekjeprurëse. Më 26 nëntor të vitit 1997, ai u martirizua nga arma gjakatare e armikut.
Meqë kishte rënë në mbrojtje të nxënësve dhe të shkollës shqipe, po ashtu duke qenë në dijeni të faktit se ai jo vetëm e përkrahte luftën çlirimtare, por edhe e ndihmonte atë, luftëtarët e Adem Jasharit kishin vendosur që dita e varrimit të tij të bëhej më 28 Nëntor, në fshatin Llaushë. Për varrimin e tij, ishte njoftuar tërë opinioni liridashës i Kosovës e më gjerë.
Në orët e mesdites të 28 nëntorit, mijëra shqiptarë liridashës nga Drenica, nga mbarë Kosova, si dhe nga Maqedonia e Presheva, ishin drejtuar drejt varrezave në fshatin Llaushë.
Atje, po atë ditë, pas ceremonisë së varrimit, nga mesi i popullatës dalin publikisht tre trima, me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të armatosur e të maskuar. Ata ishin shqiponjat e UÇK-së: Mujë Krasniqi nga Qabiqi i Klinës, Daut Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit dhe Rexhep Selimi nga Açareva e Skënderajt. Përderisa Rexhep Selimi iu afrua mikrofonit dhe iu drejtua pjesëmarrësve të varrimit, Adem Jashari me luftëtarët e vet të lirisë bënte roje, duke siguruar terrenin nga ndonjë sulm eventual i forcave serbe. Ai, para kësaj mase të madhe, shpalosi publikisht qëllimin e luftës së drejtë çlirimtare, kundër pushtuesit serb. Paraqitja e këtyre tre trimave të paepur u shoqërua me brohoritjen ngazëllyese të pjesëmarrësve: “UÇK!”, “UÇK!”. Kjo përkrahje për trimat që kishin vendosur t’i dalin zot atdheut, ishte njëherësh edhe një plebishit popullor, që shënoi kthesën vendimtare në rrugën e drejtë dhe të vetme të lirisë. Ceremonia e varrimit të mësuesit dëshmor, Halit Geci, kishte varrosur edhe dilemën e deri atëhershme të pranishme te një pjesë e popullit tonë, nëse kishte apo jo Ushtri Çlirimtare të Kosovës. Ajo u bë promovuesja e kësaj ushtrie të lavdishme, por edhe e fillimit të luftës së armatosur në mbarë Kosovën, e cila do të pushojë vetëm pas lirimit të saj një vit e gjysmë më vonë.
Ngjarja e 28 nëntorit të atij viti dhe ceremonia e varrimit të dëshmorit Halit Geci, ato ditë mori dhenë. Tashmë në skenë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që po luftonte për t’ia kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur Kosovës.
Rrugën e mësuesit Halit, pas vdekjes, e ndoqi i biri i tij, Lulëzim Geci, i cili iu bashkua radhëve të UÇK-së, për të çuar në vend amanetin e babait të tij. Haliti ka lënë pas gruan, Kadën, dhe fëmijët: Lulëzimin, Agronin, Valdetin dhe Valbonën.
Në nderim të veprës së tij liridashëse atdhetare, shkolla e fshatit Llaushë e mban me respekt emrin e mësuesit dëshmor Halit Geci.