Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po mbahen në Strasburg të Francës. Është hera e parë që delegacionit të Kuvendit të Kosovës i lejohet ulësja në sallën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. “Kosova ka siguruar edhe zyrë për herë të parë brenda një institucioni ndërkombëtar. Përpjekjet do të vazhdojnë që Kosova të bëhet anëtare e barabartë me vendet tjera në KE e BE. Gjatë sesionit të qershorit, presim që të zgjidhet edhe raportuesi i KE-së për Kosovën. Kështu që Kosova do të vazhdojë të jetë temë e përhershme e debateve në AP të KE-së, dhe do ketë mundësi edhe më të mëdha që të prezantojë të arriturat demokratike, ashtu siç do përpiqemi që raportet bilaterale në mes të vendit tonë e vendeve anëtare të KE-së dhe atyre me status tjetër të përmirësohen e të bëhen të përhershme”, ka thënë për “Epokën e re” Haliti.