Kryetari i komunës së Vitisë, z. Sokol Haliti përmes një postimi në facebook në 19-vjetorin e ndarjes nga jeta ka kujtuar ish Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Në postimin e kryetarit Haliti thuhet:
Në këtë ditë përkujtimi, kujtojmë njeriun që me urtësinë e një prijësi dhe zemrën e një patrioti ndërtoi themelet e Kosovës së lirë. Rugova nuk ishte thjesht presidenti ynë, ai ishte zëri i arsyes në kohë të vështira, fryma që mbante gjallë shpresën dhe simboli i unitetit të një kombi që kurrë nuk u dorëzua.
Sot, si Lidhje Demokratike e Kosovës, ecim në gjurmët e tij, me besnikëri ndaj rrugës që ai ndriçoi, e të udhëhequr nga ideja universale e progresit njerëzor. Rruga e Rugovës është rruga e paqes, e maturisë dhe e forcës së një vizioni të përjetshëm për Kosovën – një vend të lirë, të drejtë dhe të ndërtuar mbi unitet dhe dashuri për njerëzit e tij.
Fjalët e tij ende buçasin në zemrat tona: “Vizioni im është që të kemi një Kosovë të pavarur, demokratike, me një shoqëri politikisht tolerante dhe me një ekonomi solide, e integruar në BE, në NATO dhe të vazhdojmë marrëdhëniet tona të mira me SHBA-të!”. Kjo porosi është amaneti që ne e bartim me krenari, një zotim për të forcuar shtetin, për të ndërtuar një të ardhme të ndritur me miqtë e tonë përkrah, dhe për të mbrojtur identitetin tonë kombëtar.
Rugova jeton – në çdo punë të ndershme, në çdo hap drejt përparimit, në çdo përpjekje për paqe dhe drejtësi. Ai është drita që ndriçon rrugën tonë dhe forca që na mban të bashkuar në përkushtimin tonë për Kosovën.
Lavdi për jetë veprës, vizionit dhe shpirtit të pavdekshëm të Dr. Ibrahim Rugovës!