Haliti: Vitiasit të lëvizin lirshëm të paktën brenda territorit të komunës

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kërkon që vitiasve t`iu lejohet lëvizja e lirë, të paktën, brenda territorit të komunës. Sipas tij, është e padrejtë por edhe absurde që qytetarët e Komunës së Vitisë të privohen nga e drejta për të qarkulluar lirshëm për nevoja esenciale, për shkak se brenda kufijve administrativ të Komunës së Vitisë është edhe Komuna e Kllokotit. “Jemi në situatë vërtetë të çuditshme, sepse me një farë mënyre jemi dy herë të izoluar. Qytetarëve të Komunës së Vitisë përveç se nuk iu lejohet dalja jashtë territorit të komunës, ata ndalohen në punkte policore edhe brendapërbrenda territorit, sepse Komuna e Kllokotit gjendet në mes të territorit të Komunës së Vitisë. Kjo po ju shkakton problem qytetarëve tanë, sepse ata po kanë vështirësi në qarkullim të lirë për t`u furnizuar me artikuj elementarë ushqimorë. Kërkojmë nga Qeveria që të rishikojë vendimin për ndalimin e qarkullimit të vitiasve jashtë territorit të komunës në mënyrë që atyre t`iu lehtësohet lëvizja, në këtë fazë jo të zakonshme në të cilën po kalojmë”, ka thënë Haliti. Në mesin e masave të Qeverisë së Kosovës për të luftuar Koronavirusin, është edhe vendimi i cili ndalon hyrjet dhe daljet nga territori i Komunës së Vitisë. Kurse Fshati Stubëll i Epërm prej nga vijnë shtatë personat e infektuar me COVID-19, tashmë që nga e premtja mbrëma është në karantinë të plotë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …