Hamdi Ferati lindi më 4 prill të vitit 1971, në fshatin Qirez të Drenicës, një fshat i vogël por me një histori të gjatë e të bujshme të trimërisë dhe luftës kundër pushtuesve të ndryshëm e sidomos kundër pushtuesit serb.
Hamdiu ishte i biri i Kadri dhe Fetije Feratit. Shkollën fillore si dhe shkollën e mesme, drejtimi i ekonomisë, i kreu në Skënderaj.
Gjatë kohës sa ishte nxënës ka marrë pjesë në protestat dhe demosntratat e vitit 1989-1990.
Në vitin 1991, organet e regjimit serb e rekrutuan dhunshëm në shërbimin ushtarak. Ndodhej në qytetin Bjellovar të Kroacisë, kur kishte filluar lufta e popullit kroat për shkëputje nga Jugosllavia. Asokohe arrin ta braktisë ushtrinë pushtuese jugosllave dhe fillimisht vendoset në Slloveni. Pastaj arrin ta kalojë kufirin dhe vendoset në Austri. Pas një kohe nga Austria shkon në ish-RJ të Maqedonisë, e prej atje kthehet në Kosovë.
Mbante kontakte me Isa Feratin, Naser Kastratin e bashkëveprimtarë të tjerë. Më 10 korrik të vitit 1998 inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci” të Zonës Operative të Drenicës, ku fillimisht sistemohet në pikën ushtarake të fshatit Verboc.
Hamdiu ishte shtat hedhur dhe me temperament shpërthyes. Nuk e duronte dot padrejtësinë. Në anën tjetër ishte shumë i afërt me shokët dhe familjen e tij.
Meqë luftëtarëve të lirisë nuk iu mungonte vullneti për luftë të armatosur, por mungonin armët e municioni, Hamdiu së bashku me xhaxhanë e tij, Sejdi Feratin kishin sajuar një plan për rrëmbimin e armëve. Ata, kishin shfrytëzuar rastin dhe ishin futur në shtëpinë e një polici serb, ku edhe ia kishin marrë armët dhe një sasi municioni. Në shtëpinë e policit serb, Hamdiu mori një pushkë gjysmë automatike, një pushkë gjuetie një maskë dhe municion.
Gjatë kohës së luftës, ka marrë pjesë në luftimet që janë zhvilluar në vijën e frontit: Qirez –Verboc – Shtuticë.
Bashkëluftëtarët e tij ishin: Isa Ferati, Naser Kastrati, Sejdi Ferati, Nusret Ramë Halili, Skënder Shala dhe shumë të tjerë, me të cilët mori pjesë në shumë luftime kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, të cilat në verë të vitit 1998 e kishin vënë në rrethim të hekurt krejt territorin e Drenicës Qendrore.
Më 30 prill të vitit 1999, forcat e shumta të motorizuara serbe kishin vënë nën rrethim sipas strategjisë së koduar “Patkoi”, fshatrat Shtuticë e Verboc me qëllim që të depërtonin te popullata civile. Atë ditë ishin zhvilluar luftime në të gjitha anët. Në krye të detyrës, ballë për ballë forcave serbe, në fshatin Shtuticë bie trimërisht e heroikisht edhe komandanti i Brigadës 114, Ilaz Kodra, njëri ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të legjendarit Adem Jashari.
Po atë ditë, më 30 prill, Kadri Ferati dhe Isa Ferati me bashkëluftëtarë vrasin disa kriminelë serbë, të cilët po bënin përpjekje të depërtonin te popullata civile, e cila ishte rrethuar te vendi i quajtur “Fusha e Mollës” ku ndodheshin shumë banorë të zhvendosur.
Duke qenë se serbët ishin afruar dhe mendohej se ata do të hakmerreshin kundër popullatës civile, Hamdiu u gjet në pozitë të pavolitshme. Ndërkohë forcat serbe shtinë në drejtim të tij dhe e plagosin për vdekje.
Në mbërëmjen e 30 prillit të vitit 1999, bashkëluftëtarët e tij e varrosin trupin e Hamdiut, afër vendit ku kishte rënë.
Trupin e dëshmorit, Hamdi Ferati, bashkëluftëtarët e rivarrosën më 22 korrik të vitit 1999 në Varrezat e Dëshmorëve, në fshatin Polac të Drenicës ku edhe prehet në përjetësi, në mesin e shumë dëshmorëve të tjerë.
Hamdi Ferati ka qenë i martuar. Ai ka lënë bashkëshorten, Ibadeten dhe bijtë: Labinotin, asokohe 8 – vjeç dhe Albanin 5 – vjeç, të cilët po rriten me respekt e krenari për babanë dëshmor. Ai ka lënë edhe vëllezërit: Nazmiun, Avniun, Samiun dhe motrën, Nurijen.
Në vendlindjen e tij në Qirez, familjarët ia kanë ngritur permendoren, në shenjë përjetësimi të veprës së tij heroike.
Familja Ferati ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …