Në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë rënë dëshmorë shumë luftëtarë edhe nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike. Në mesin e tyre, bëjnë pjesë edhe eprori dhe komandanti i tri luftërave çlirimtare shqiptare, të zhvilluara në Kosovë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në Maqedoni, Tahir Sinani, po ashtu eprori dhe pjesëmarrësi në tri këto luftëra, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori, Indrit Cara nga Kavaja, Hamdi Mula nga Dobruna e Golajt, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Roci, Lefter Koxhaj, Arif Shpend Dautaj, Qazim Hazir Dautaj, Fatmir Ndoçi, Mehmet Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë.
Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar me mundin, gjakun dhe profesionalizmin e tyre edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria administrative, si Dilaver Goxhai, Zëvendës-shef i Shtabit të Përgjithshëm, Adem Shehu, komandant i Brigadës 152, “Zahir Pajaziti” në Zonën Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë.
Një ndihmë të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së i ka dhënë edhe Divizioni i Kukësit i Ushtrisë së Republikës së Shqipërisë, në krye me gjeneral Kudusi Lamën si dhe shumë eprorë e ushtarë të tjerë, të cilët ishin sistemuar në bazat e UÇK-së rreth shumë pikave të zonës kufitare.
Djalëria e viseve të andej kufirit, siç ka imponuar pushtimi shekullor i Kosovës, të quhen viset kufitare brenda territorit të Shqipërisë politike, qysh herët kishte mbajtur kontakte dhe kishte ndihmuar trimat e trimëreshat e UÇK-së. Një pjesë e tyre qysh në fillim ishte angazhuar edhe vetë sidomos në kalimin e kufirit të hekurt të ruajtur nga ushtria pushtuese serbe, dhe në bartjen e armatimit për në Kosovë.
Hamdi Mulaj ka lindur në fshatin Dobrunë, më 31 maj të vitit 1964. Shkollën tetëvjeçare e kishte mbaruar në fshatin Letaj. Ishte pranuar në radhët e policisë së kufirit, ku edhe kishte punuar gjatë viteve 1994-1998, pikërisht në kohën kur luftëtarët e lirisë së Kosovës po i konsolidonin radhët dhe po bartnin armatimin e nevojshëm për zgjerimin e organizimeve të UÇK-së në Kosovë.
Shtëpia e Hamdi Mulajt në fshatin Dobrunë, ishte e njohur si shtëpi e luftëtarëve të lirisë dhe shtëpi ku ishin strehuar familjet e rrezikuara në pikat kufitare, të cilat bombardoheshin pandërprerë nga ushtria serbe, e pozicionuar përgjatë tërë vijës kufitare. Duke qenë polic i vijës së kufirit Hamdiu e njihte mirë terrenin dhe kishte krijuar bindjen se ishte i pakapshëm për syrin vëzhgues të armikut. Ai së bashku me familjarët dhe shokët e tij bartnin armatim nga viset kufitare brenda kufirit të Kosovës, pikërisht nëpër zonat tejmase të rrezikuara.
Më 16 janar të vitit 1999, Hamdi Mulaj së bashku me një grup luftëtarësh të logjistikës së armatimit të UÇK-së po bënte përpjekje për të kaluar kufirin në fshatin Goden të Hasit. Bora kishte mbuluar gjurmët e lëvizjeve paraprake dhe kalimi ishte me shumë rrezik. Megjithatë ai nuk ishte ndalur, sepse luftëtarëve të lirisë në Kosovë më shumë se asgjë tjetër u duheshim armët dhe municioni. Atë ditë, Hamdiu, vetë i pesti luftëtar, në zonën kufitare të minuar nga trupat serbe bie në minë me ç‘rast merr plagë vdekjeprurëse. Në atë rast ishte plagosur edhe Arben Mulaj.
Në varrimin e dëshmorit Hamdi Mulaj, moën pjesë edhe eprorë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, pastaj eprori, Xheladin Gashi-Komandant Plaku e shumë të tjerë.
Familja Mula e Dobrunës ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme dhe nga organizatat e dala nga lufta. (A. Q)