Hamdi Sejdi Sejdiu (25.4.1958 – 24.3.1999)

Hamdi Sejdi Sejdiu (25.4.1958 – 24.3.1999)

Familja Sejdiu nga Sllatina e Llapit, njihet për traditë të pasur kombëtare. Për shkak të vështirësive ekonomike, kjo familje u shpërngul nga Sllatina, në fshatin Repë të Besianës.
Dëshmori i kombit Hamdi Sejdiu u lind më 25 prill 1958. Shkollën fillore e kreu në Pollatë, kurse Shkollën e Mesme Teknike e kreu në Besianë. Pastaj u punësua në KNI “Ramiz Sadiku”.
Inspirimin për rrugën atdhetare e mori nga familja e më së tepërmi nga i vëllai Salihu, i cili ishte inkuadruar ndër të parët në radhët e UÇK – së në Llap. Hamdiu si nxënës dhe punëtor i KNI “Ramiz Sadikut” ishte pjesëmarrës i të gjitha protestave, demonstratave dhe manifestimeve tjera kundër pushtuesit. Ishte pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, kur u arrestua dhe u dënua me tre muaj burgim, të cilin e mbajti në Burgun e Dubravës. Pastaj mori pjesë në demonstratat e vitit 1989 dhe në këtë kohë, si shumë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje, u largua nga puna. Gjatë viteve 1990 – ’92 qëndroi në mërgim, në Gjermani. Me rastin e kthimit në vendlindje për pushim policia serbe ia konfiskoi pasaportën, kështu që ai u detyrua të qëndrojë në Kosovë.
Meqë i vëllai Salihu ishte inkuadruar në organizimin ilegal, edhe Hamdiu ndihmoi aksionet e para të UÇK – së. Në aksionin e 11 nëntorit 1997, të ndërmarrë nga grupi, në përbërje Çelë Gashi, Mujë Metolli dhe vëllai i dëshmorit, Salihu, në fshatin Tashefc, ku cak ishte vënë shtëpia e kryetarit të atëhershëm serb të instaluar Besianë. Për këtë aksion flet edhe komunikata e UÇK –së me Nr. 40. Detyra e dëshmorit të kombit Hamdiu Sejdiu në këtë aksion ishte sigurimi dhe përcjellja e lëvizjes nga vendi i quajtur “Kulla e Isabeut”. Ai, po ashtu, këtë grup e ndihmoi edhe në sulmet ndaj policisë soldateske në fshatin Zakut dhe stacionit të policisë në Kërpimeh. Që nga koha e këtyre aksioneve, Hamdiu ishte ushtar i rregullt i UÇK – së dhe bashkëpjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e ushtarëve Çelë Gashi e Salih Sejdiu.
Si pjesëtar i UÇK-së, Hadmdiu dha kontributin e tij edhe në organizmin e ushtrisë në rrethin ku jetonte.
Ai pos që shquhej në betejat si luftëtar i vijës së parë të frontit kontribuonte shumë edhe në mirëmbajtjen e armatimit të UÇK – së, që e sillte i vëllai Salihu me Çelë Gashin, ku ai ua punonte mjaftë mirë pjesët e drurit dhe i bënte funksionale për luftë kundër okupatorit serb.
Dëshmori i kombit Hamdi Sejdiu mori pjesë në shumë beteja që u zhvilluan në pjesën veriore të Llapit dhe sidomos në mbrojtjen e kufirit me Serbinë. Në betejën e njohur të zhvilluar në kufi në fshatin Tashefc, më 24 mars 1999, ditën kur në mbrëmje patën filluar sulmet e NATO – s ndaj caqeve serbe, bie heroikisht në vijën e frontit, te vendi i quajtur “Kodra e Zeqirit”. Atë ditë, rreth orës gjashtë të mëngjesit, forcat pushtuese serbe filluan të përqendrohen për luftë në pikën kufitare në Tashefc, ndërsa jo larg tyre njësia “Ulpiana -55” formoi vijën e frontit. Ushtarët e këtij njësiti ishin të gatshëm ta mbronin me çdo çmim tokën arbërore nga hordhitë serbe. Edhe pse dallimi si në numër ashtu edhe në teknikë luftarake ishte shumë i madh, Hamdiu me shokët e tij nuk u frikësua t’i dalë përballë gjithë kësaj makinerie vrastare.Rreth orës 15 e 30 minuta, në vendin e quajtur “Kodra e Zeqirit”, luftëtarët shqiptarë ndeshen në afërsi me forcat serbe dhe pas një përleshjeje të ashpër bien në krye të detyrës, Hamdiu dhe Fatmiri. Trupat e dëshmorëve tërhiqen nga Muhamet Latifi dhe Naser Hyseni eprorë të ZOLL- it, si dhe vëllai Salihu. Pasi ato ditë në këto anë të Llapit luftohej pandërprerë trupat e dëshmorëve u varrosën nga bashkëluftëtarët, në natën në mes të 24 e 25 marsit 1999, në varrezat afër rrugës kryesore në Lëndina. Aty pushon edhe sot dëshmorit Hamdi Sejdiu.
Dëshmori ishte i martuar dhe pas vetes ka lënë tre bijtë me nënën, e pesë vëllezër.
Familja Sejdiu dha kontribut çmueshëm në luftën e UÇK-së, por edhe në radhët e UÇMB në Preshevë, Bujanofc e Medvegjë, ku mori pjesë nipi i dëshmorit, Afrim Sejdiu, si dhe në luftën e UshtrisëÇlirimtare Kombëtare në trojet shqiptare në Maqedoni, ku mori pjesë Arsim Sejdiu, po ashtu nip i dëshmorit. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …