Hamide Ajet Jashari (4.2.1913 – 5.3.1998)

Hamide Ajet Jashari (4.2.1913 – 5.3.1998)

Qëndresa e trimave dhe trimëreshave të Prekazit e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 ka qenë njëra ndër betejat më të dhembshme, por edhe më krenare të historisë sonë më të re.
Tri ditë rresht luftuan në mbrojtje të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor të gjithë Jasharët, duke filluar prej Legjendarit, Adem Jashari, pastaj Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe duke u zgjeruar në tërë lagjen.
Gjatë atyre tri ditëve të sulmit më barbar të okupatorit serb kundër familjeve Jashari, ranë heroikisht dhe u martirizuan 56 pjesëtarë të familjes së ngushtë dhe të gjerë Jashari, duke përfshirë edhe disa miq, të cilët u ndodhen te të afërmit e tyre.
Ranë për të fituar përjetësinë 20 pjesëtarë të familjes së ngushtë të legjendarit Adem Jashari, 12 anëtarë të familjes së Hamit dhe Salë Jasharit, 11 anëtarë të familjes së Halit, Zymer dhe Zejnë Jasharit, 6 anëtarë të familjes së Sadik Jasharit, tre të familjes së Kajtaz Jasharit e të tjerë.
Të rënët e të martirizuarit ishin të të gjitha moshave prej fëmijëve e vajzave të mitura deri te gratë, plakat e pleqtë. Ranë në këtë mes edhe të gjithë ata,që rezistuan me armët që kishin dhe që për asnjë çast nuk u ligështuan dhe nuk u dorëzuan.
Hamidja u lind më 4 shkurt të vitit 1913, në fshatin Marinë të Drenicës. Ishte bija e Ajetit dhe e Qamiles. Nuk ka kryer as një klasë shkollë, meqë në kohën e regjimit okupator serb, ndalohej këndimi dhe mësimi i gjuhës shqipe. Babai, Ajeti, sipas zakonit të vendit e fejon me Maliq Jasharin e Prekazit, ku ka krijuar familje dhe ka jetuar deri më 5 mars të vitit 1998, kur goditet mizorisht nga arma e barbarisë serbe.
Nga jeta bashkëshortore me Maliq Jasharin, Hamidja lidi e rriti katër bij: Kajtazin, Ilazin, Shefqetin dhe Ragipin dhe shtatë bija: Ajnen, Hafizen, Fatimen, Halimen, Sevdijen, Xhylishahen dhe Miniren.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe rreth orës 6 e 20 të mëngjesit fillojnë granatimin e lagjes Jashari. Në kohën kur ishte goditur “Kulla e Qëndresës” e Legjendarit Adem Jashari, qenë goditur edhe shtëpitë e Maliq Jasharit, Hamit Jasharit, Smajl Jasharit e të tjerëve.
Forcat serbe kishin depërtuar edhe te familja e Maliq Jasharit, ku bijtë dhe nipat e tij kishin rezistuar fuqishëm. Nga arma armike kishin rënë: nënë Hamidja, e cila kishte marrë shtatë plagë në shtat, pastaj djali i saj Kajtazi dhe nipi, Ajvazi, djali i Kajtazit, 18-vjeçar.
Forcat e këmbësorisë serbe arrestojnë të gjithë anëtarët e familjes që kishin shpëtuar nga ploja, ndërkohë qe marrin Albert Kajtaz Jasharin, 13 vjeçar për të identifikuar të rënët e të viktimizuari. Alberi kishte identifikuar kufomën e babait, të gjyshës Hamide, të vëllait Ajvazit dhe dhe kufomën e Ali Ramadan Jasharit.
Forcat serbe arrestojnë Maliq Jasharin 93-vjeçar, Naser Jasharin, Bekim Bahtir Jasharin të cilët e dërgojnë në Burgun e Mitrovicës, ku pasi i marrin në hetime i lirojnë. Nga torturat dhe dhuna që ishte shkaktuar në familjen e tij të ngushtë dhe mbi pjesëtarët e tërë lagjes Maliq Jashari vdes më 15 maj 1998, në Mitrovicë.
Trupi i Hamide Jasharit, së bashku me të gjithë Jasharët e rënë dhe të viktimizuar prehet në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Prekaz.
Familja e Maliq Jasharit ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Zona Operative e Drenicës dhe nga shoqatat e dala nga lufta. Të gjithë pjesëtarët e legjes Jashari të cilët kanë rënë më 5 mars 1998 janë shpallë dëshmorë të kombit. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …