Familja Jashari e Prekazit në epopenë e lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atdheut i dha shumë heronj e heriona, të rinj e të reja, gra e burra, në mesin e tyre edhe burra të moshuar dhe gra trimëresha, të cilët luftuan burrërisht dhe ranë heroikisht duke luftuar me armë në dorë kundër pushtuesit.
Hamiti ishte i biri i Hysenit dhe i nënës Afije. Ai lindi në vitin 1934 në fshatin Prekaz të komunës së Skënderajt. Ishte njëmbëdhjetë vjeçar kur forcat partizane çetnike sulmuan Drenicën në dimrin e vitit 1945. Tmerret e luftës nuk e kishin thyer por, përkundrazi, e kishin bërë më të fortë dhe e kishin kalitur me ndjenjën atdhetare liridashëse.
Hamit Jashari ka kryer shkollën fillore në vendlindje. Nuk iu dha mundësia të vazhdonte shkollimin, për shkak të gjendjes së rëndë sociale. Ai u mor me punë ndërtimtarie dhe me bujqësi për të siguruar ekzistencën për familjen e tij shumëanëtarëshe. Duke qenë se me punën e tij të përditshme dhe të mundimshme nuk arrinte t’ i siguronte kushte normale jetese familjes së tij shumëanëtarëshe, Hamit Jashari shkon në kurbet. Ai, së bashku me Rifat Jasharin e të tjerë, fillimisht vendoset në Shtutgart të Gjermanisë, ku edhe punon disa vjet. Ka punuar edhe në Zvicër dhe kohë pas kohe është kthyer në familjen e tij në Prekaz. Pasi kthehet nga Gjermania, ka punuar në ndërmarrjen ndërtimore “Përparimi” në Skënderaj.
Me rastin e fillimit të Rrethimit të Parë të Kullës së Jasharëve, më 30 dhjetor të vitit 1991, nga forcat policore dhe ushtarake serbe, Hamit Jashari i pari i hetoi ato dhe përnjëherë i lajmëroi tre bijtë e tij Jasharin, Sahitin dhe Musanë.
Pas qëndresës heroike të Jasharëve dhe tërheqjes së forcave policore nga rrethimi, Hamitin e arrestojnë dhe e dërgojnë në stacionin e policisë në Skënderaj e pastaj në Mitrovicë. Atje e maltretojnë rëndë, duke u munduar nga ai të zbulonin veprimtarinë e të bijve dhe të jasharëve të tjerë, të cilët kishin filluar organizimin e parë ushtarak në Drenicë.
-Një ditë nëntori të vitit 1997, ishte përhapur lajmi se krimineli Arkan me disa përcjellës të tij kishte qëndruar në Drenas (ish-Gllogoc) ku kishte drekuar dhe më pas kishte arritur në Skënderaj. Unë, thotë, Sahit Jashari së bashku me Adem Jasharin donim të vërtetonim lajmin e arritjes së kriminelit. Ndërkohë nëna dhe babai e marrin bashkëshortën time, asokohe me barrë, e vendosin në një qerre kuajsh dhe nisën për në ambulancë, me qëllim që të marrin ndonjë lajm më të hollësishëm. Nëna, si zakonisht, kishte marrë me vete edhe revolen, të cilën e ka mbajtur fshehtas sidomos gjatë njëzet vjetëve të fundit, rrëfen Sahiti, i biri i Hamit dhe Salë Jasharit, luftëtar i radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pasi që inspektorët. serbë e kishin ftuar disa herë në të ashtuquajturat biseda informative, Hamit Jashari një ditë iu thotë troç: “Unë ma nuk vij, ju kur të doni hajdeni në shtëpinë time dhe më merrni!”.
Më 31 dhjetor të vitit 1997, duke kaluar afër Fabrikës së Municionit, policët bëjnë përpjekje për ta rrëmbyer, por në atë moment në drejtim të forcave policore sulmojnë Musa Jashari, (i biri i Hamitit), Mujë Krasniqi ‘dhe Muharrem Xhemajli nga fshati Abri e Epërme. Nga kundërpërgjigjja e forcave serbe plagoset rëndë Musa Jashari, ndërsa Mujë Krasniqi dhe Muharrem Xhemajli tërhiqen pa pasoja. Ndërkohë në shtëpinë e Hamit Jasharit, sapo dëgjojnë krismën e armëve, shkojnë Adem Jashari, Hamëz Jashari dhe shumë trima të tjerë të lagjeve Lushtaku, Kodraj, pastaj luftëtarë të tjerë nga Vojniku, Llausha e Aqareva.
Meqë i biri i Hamitit, luftëtari i radhëve të para të UÇK-së, Musë Jashari, kishte marrë plagë të rënda, ndihmën e parë mjekësore ia jep mjeku Nazif Goxhuli dhe tekniku Musa Qazim Mehaj. Ndërkohë bashkëluftëtarët marrin masa dhe e lajmërojnë kirurgun Bajram Rexhepi, i cili pa vonuar arrin te Jasharët dhe ia trajton plagët Musë Jasharit.
Hamit Jashari së bashku me bashkëshorten e tij Salën, ishin të vetëdijshëm për aktivitetin luftarak të bijve, Sahitit dhe Musës. Ata ishin kurdoherë në vëzhgim të terrenit, meqë policia serbe ishte stacionuar përballë shtëpive të lagjes Jashari në Fabrikën e Municionit.
Duke evokuar kujtimet për babanë dëshmor, Musë Jashari, emër i njohur i luftës sonë çlirimtare, veçon një moment që i ka lënë përshtypje: – “Kishim një shok besnik, Muharrem Xhemajlin nga Abria, që donte të na bashkohej por nuk kishte armë. Unë ia dhashë automatikun e vëllait tim, i cili asokohe kishte shkuar për shërim në Suedi. Baba Hamit në fillim nuk reagoi, por tha: E bajsh me shëndet automatikun! Pastaj mua ma mori automatikun tim. Meqë mbeta pa armë, shokët më dërguan një pushkë dhjetëshe dhe një automatik”.
Hamit Jashari, përveç punëve të caktuara që bënte në shtëpi vazhdimisht përcillte edhe lëvizjet e forcave serbe, sidomos ato që ishin stacionuar në Fabrikën e Municionit.
Në fillim të marsit të vitit 1998, forcat serbe kishin ndërmarrë të gjitha masat për ta sulmuar lagjen Jashari në Prekaz. Forca armike kishte filluar sulmin në orën 5,30 të mëngjesit të 5 marsit. Fillimisht dy tanke ishin nisur në drejtim të shtëpisë së Hamit Jasharit. Luftëtari Valdet Jashari, meqë gjatë natës kishte ushtruar roje, hyn në shtëpi dhe iu lajmëron të pranishmëve se tankset e armikut po vinin në drejtim të tyre
-Për hajr na qoftë lufta, thotë Hamit Jashari. Përnjëherë pozicionohet përballë forcave armike dhe i pari qëllon në drejtim të tyre. Ndërkohë fillojnë të shtien edhe bashkëluftëtarë të tjerë. Hamit Jashari qëllonte me pushkën dhjetëshe, ndërsa luftëtarja trime Salë Jashari me automatik.
Në tri shtëpitë e Jasharëve fillojnë luftimet ballë për ballë. Forcat policore dhe ushtarake serbe kishin sulmuar nga të gjitha anët. Ata godasin me topa të kalibrave të mëdhenj, me tanke dhe mitralozë të rëndë. Serbët nuk arrijnë të afrohen te shtëpitë, meqë ato i ndalonte breshëria e armëve çlirimtare të trimave dhe të trimëreshave që ishin barrikaduar nëpër pozicione.
Luftimet kishin zgjatur tri ditë. Tri ditë Jasharët dhe disa luftëtarë të tjerë, që kishin ndodhur aty, përballojnë forcat gjakatare të vendosur për të luftuar deri në fishekun e fundit, deri në rëktimën e fundit të shpirtit.
Gjatë luftimeve më 5, 6 dhe 7 mars nga familja e Hamit dhe Sadik Qerim Jasharit kanë rënë: Hamit Jashari, Salë Jashari bashkëshortja e tij, Sadik Hysen Jashari, 65 vjeç, Hafie Jashari, Hamdi Sadik Jashari, 33 vjeçar, Elfie Sadik Jashari, 28 vjeçe Fatime Sadik Jashari, 26 – vjeçare, Ramiz Sadik Jashari, 24 vjeç, Qerim Hysen Jashari, 53 vjeçar, Hajrie Zymer Jashari, 43 vjeçare, Shahin Qerim Jashari, 26 vjeç, Ukshin Qerim Jashari, 21 – vjeçar. Gjatë atyre ditëve kanë rënë edhe Fatime Bazaj, 21 – vjeçare, dhe Smajl Bazaj, 18 – vjeçar, nga Tërsteniku, miq të familjes së Hamit Jasharit. Kishin ardhur në ndihmë edhe Isak Halili, nip i Hamit Jasharit nga Dubovci, i cili po ashtu bie dëshmor, ndërsa vëllai i tij, Sadik Halili, ishte plagosur.