leoni

Hani i Elezit shënon 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Edhe pse në kushte të Pandemisë së Koronavirusit dhe me numër të kufizuar të pjesëmarrësve, komuna e Hanit të Elezit me aktivitete rasti shënoi 17 Shkurtin në 13-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ky aktivitet filloi me Homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Pustenik, për tu përkulë me respekt dhe nderuar sakrificën e Dëshmorëve të trevës së Hanit të Elezit. Aktiviteti vazhdoi në SHFMU “Ilaz Thaçi” në Han të Elezit ku të ftuar ishin përfaqësues të Familjeve të Dëshmorëve të kombit që flijuan më të dashurit e tyre për liri dhe pavarësi, përfaqësues të shoqatave të UÇK-së dhe Përfaqësues të institucioneve publike. Në fjalën e rastit Kryetari i Komunës Rufki Suma tha se Dita e Pavarësisë së shtetit te Kosovës, është kurorëzimi i sakrificës së vazhdueshme të shumë gjeneratave ndër vite që nga viti 1912 kur padrejtësisht mbetëm jashtë trungut të shtetit Shqiptar. Kaluam nëpër sfida gjatë rrugëtimit deri te pavarësia, Përjetuam vrasjet, persekutimet, dhunimet, sjelljet gjenocidale që donin të na qitnin fare, por gjitha i përballuam falë dijetarëve dhe patriotëve të gjeneratave të ndryshme që mbajtën gjallë frymën patriotike, falë nënës shqiptare që e shtoi këtë popull, falë rezistencës popullore dhe falë luftës së lavdishme të UÇK-së, ne sot shënojmë këto festa, të lirë dhe të pavarur. Një kontribut të veçantë për krijimin e shtetit të Kosovës ka dhënë edhe faktori ndërkombëtar, si Bashkimi Evropian, NATO dhe SHBA për të cilin kontribut gjithnjë do të jemi mirënjohës. Edhe sot në këtë ditë feste, vazhdojnë padrejtësitë ndaj popullit shqiptar, Prijësit e Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, ata të cilët kontribuan dhe shpallën shtetin e pavarur te Kosovës, në vend se sot te jenë me ne për të shënuar këtë përvjetor, ata po përballen me drejtësinë ndërkombëtare me akuzën për krime lufte, ku fare mirë e dinë e gjithë bota se krimet kundër njerëzimit i kryen forcat serbe gjatë gjithë shekullit XX e veçanërisht në vitet 1998-99 mbi popullatën e pa mbrojtur shqiptare në Kosovë. Të nderuar pjesëmarrës ne kemi shumë arsye që sot në këtë datë të madhe historike të jemi të kënaqur me të arriturat tona por kemi edhe shumë e shumë arsye që të jemi të pakënaqur me rrjedhat politike dhe ekonomike që ne po përjetojmë sot. Alternativë që neve do të na qonte përpara është puna jonë e përbashkët kudo që jemi duke filluar nga familja, mësuesi, zyrtari komunal apo shtetëror, biznesmeni, sportisti, përfaqësuesit kulturor e përfaqësuesit politik. Kur gjithë ne të jemi krenar për punën tonë, atëherë me siguri se do të jemi më të kënaqur dhe krenar sikurse jemi krenar me artistët,sportistët dhe sportistet tona të cilat po na sjellin medalje të arta dhe po na bëjnë krenar me sukseset e tyre. Të gjithë të bashkuar të punojmë për te mirën dhe te ardhmen tonë. Neve si gjeneratë na ngelë të punojmë që një datë historike të festojmë të bashkuar që ishte dëshirë dhe amanet i gjithë të rënëve për liri tha Kryetari Suma. Për pjesën kulturore dhe artistike të shënimit të 13-Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u kujdesën nxënësit e SHFMU “Ilaz Thaçi” dhe anëtarët e SHKA “Sharri” nga Hani i Elezit që u prezantuan me recitale, valle dhe pika muzikore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Aliu vizitoi Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare

Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe …