Nënë, unë po shkoj. Ti të mos mërzitesh! Luftë është dhe lufta merr njerëz. Ti i ke shtatë fëmijë dhe pret të të shpëtojnë të gjithë! Jo nënë, gjysma prej tyre po të të shpëtojnë, derisa ta fitojmë lirinë, ti duhet të jesh e kënaqur!. Këto ishin fjalët e bisedës së fundit të dëshmores Hanumshahe Abdullahu me nënën e vet, Irfanen, me rastin e nisjes në misionin e saj për në Zonën Operative të Karadakut të UÇK-së.
Ishte 12 prilli i vitit 1999, kur ajo, së bashku me bashkëshortin, Tefikun, nga baza e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në lagjen Gavran të Gjilanit u nis për në Zhegovc, ku ndodhej shtabi i zonës ushtarake. Atje do të takonte shokët e luftës, Ahmet Isufi (komandant Rexha), Shemsi Syla, Veli Murati e shumë të tjerë. Deri në fshatin Panesh, “Nushin”, – siç e quanin shkurtimisht Hanumshahen, – e Tefikun i shoqëroi Esat Leka nga Livoçi, ndërsa aty e tutje rrugën e vazhduan nën përcjelljen ushtarake të bashkëluftëtarëve çlirimtarë. Gjithçka gjatë rrugës kishte rrjedhur mirë. Me të arritur në Zhegovc, në komandën e zonës kryejnë porosinë dhe ngarkohen me detyra të reja. Rruga duhej të vazhdonte, por kësaj radhe drejt amshueshmërisë.
Dëshmorja Hanumshahe Abdullahu ka lindur më 12 tetor të vitit 1962, në Pasjak, fshat periferik në jugperëndim të Gjilanit. Prindërit e saj, Abdullahu e Irfanja rritën shtatë fëmijë. Tre më të mëdhenj se Hanumshahi, Sadeten, Senihanë e Shemsedinin dhe tre më të vegjël, Tajarin, Abedinin e Hasiben. Që fëmijë, te ajo u dalluan zgjuarsia dhe shkathtësia, dy cilësi të karakterit të saj të ardhshëm, të fortë, human e kryengritës. Duke e shquar këto cilësi, Hanumshahen e regjistrojnë në shkollë ende pa i mbushur 6 vjet. Në këtë moshë tregon prirje për recitim. Nga vëllau dhe motrat më të mëdha ajo kishte mësuar përmendsh pjesë të poemës “O moj Shqipëri, e mjera Shqipëri” të Vaso Pashës dhe ato i recitonte para prindërve dhe miqve të tyre. Kjo prirje më vonë u plotësua edhe me atë për aktrim. Në dramën për fëmijë “Republika e 1100 çudirave, të cilën e shfaq televizioni shqiptar, në vitet ’80, një rol e luan edhe Hanumshahja. Pastaj, ajo merret edhe me shkrime të ndryshme, të cilat, mjerisht nuk janë ruajtur.
Në shkollën fillore “Selami Hallaqi” të Gjilanit, dëshmorja Hanumshahe Abdullahu ishte ndër nxënësit më të mirë në mësime e në edukatë. E tillë ishte edhe gjatë shkollimit të mesëm në gjimnazin “Zenel Hajdini” të qytetit të lindjes. Duke pasur raporte të shkëlqyeshme me shokët e me shoqet e shkollës, Hanumshahja kishte një rreth të gjerë shoqëror. Ndër shoqet më të ngushta të saj në këtë kohë ishin Shpresa Vokshi, Hyrie Hyseni e të tjera. Këtë rreth të shoqeve e zgjeroi edhe gjatë kohës së studimeve në degën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Duke qenë edhe vetë e prejardhur nga një familje e përndjekur nga pushteti okupues serb, në kohën e shpërnguljeve të dhunshme për në Turqi, atje u njoh e u shoqërua kryesisht me të rinj e të reja që u përkisnin familjeve me tradita të shquara kombëtare, siç ishin studentet Myrvete Aliaj nga rrethi i Burimit (ish-Istogut), Xhemile Gjonbalaj, nga Vuthaj, Halime Morina nga komuna e Dardanës (ish-Kamenicë) e të tjera.
Si pjesëtare e gjeneratës së rinisë kosovare, e cila u bë bartëse e vlimeve të mëdha kombëtare që ia hapën rrugën luftës çlirimtare të UÇK-së, Hanumshahja merr pjesë aktive në të gjitha ngjarjet revolucionare të periudhës ndërmjet viteve 1981-1989. Ajo merr pjesë në demonstrata, lexon dhe shpërndan literaturën ilegale të kohës (“Liria”, “Lajmëtari i lirisë”, “Zëri i Kosovës” e të tjera) dhe përhap idenë e kërkesës së atëhershme të popullit të Kosovës për Republikë. Gjithnjë e palodhshme, në forma të ndryshme të veprimtarisë angazhohet edhe gjatë viteve 90 të shekullit që shkoi. Një kontribut të çmueshëm në vitet e para të kësaj dekade e dha në kuadrin e aksionit mbarkombëtar për pajtimin e gjaqeve. Po ashtu, energji të pakursyeshme i kushtoi edhe femrës, në kuadrin e organizimeve të para të asaj kohe, duke luftuar analfabetizmin, patriarkalizmin dhe dukuritë e tjera që pengojnë barazinë dhe qytetërimin e saj. Angazhimin për përmirësimin e pozitës së femrës e vazhdoi sidomos gjatë kohës së punës së saj si mësimdhënëse në shkollën fillore në Gjilan e në Pasjak. Gjatë kësaj kohe, krahas punës me nxënës, ajo organizoi edhe tubime me femrat, kurse të ndryshme për to e aktivitete të tjera të lira. Këtë angazhim e dëshmon edhe fjala e saj e shkruar, si anëtare e këshillit nismëtar për formimin e shoqatës së grave në qytetin e Gjilanit.
Pas përfundimit të studimeve, Hanumshahja u përpoq të gjente punë, mirëpo kot. Vetëm disa vite më vonë, në vitet 90 u pranua mësimdhënëse në shkollën jo të plotë fillore “Vatra e diturisë” në fshatin Pasjak. Aty punoi dy vjet rresht, gjatë së cilës kohë këmbënguli që kjo shkollë të bëhej 8-vjeçare dhe këtij synimi më në fund ia arriti.
Kjo edukatore e re, ndërkohë pati edhe një arritje tjetër në fushën e arsimit. Duke iu falënderuar angazhimit të saj të palodhshëm, në Gjilan u formua edhe një shkollë e plotë fillore, e cila më parë ishte paralele e shkollës “Selami Hallaqi”. Me propozimin e saj, shkolla e re u emërua me emrin e atdhetarit dhe poetit të ndjerë të kësaj treve, Rexhep Elmazi. Duke qenë e përkushtuar dhe me autoritet të merituar, ajo e udhëhoqi procesin mësimor në këtë shkollë për dy vjet rresht.
Në vitin 1993, Hanumshahi gjen shokun e jetës, Tefik Zymberi, nga fshjati Verbicë i malësisë së Zhegovcit, i cili do të jetë edhe shoku i idealit, dhe martohet me të. Tefiku ishte një veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare. Ai që nga pranvera e vitit 1981 kalitet në aksionet e shumta të organizuara nga lëvizja ilegale e kohës, së cilës i përkiste edhe vetë. Merrej edhe me publicistikë e me poezi. Në vitin 1992, së bashku me disa bashkëveprimtarë, nxjerr në Gjilan, revistën për kulturë, “Vatra”. Një kohë të caktuar punoi edhe vetë në arsim. Tani Hanumshahja kishte ndihmën dhe përkrahjen e pakursyeshme të tij.
Me krijimin e rrethanave të luftës çlirimtare në Kosovë, dëshmorja Hanumshahe Abdullahu – Zymberi shfaq gatishmërinë e plotë për të përkrahur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për të ndihmuar në organizimin e saj edhe në trevën e Gjilanit. Jo rastësisht, shtëpia e saj, por edhe e prindërve dhe vëllezërve në Pasjak, së shpejti u bë njëra ndër bazat e para, ku shokët e saj, Shemsi Syla, Ahmet Isufi, Bejtush Isufi, Xhevat Demiri e të tjerë bënë parapërgatitjet për formimin e Zonës Operative të Karadakut. Tashmë, Hanumshahja, së bashku me shoqen e saj, mjeken Binaze Krasniqi, po bënte pjesë në një shoqatë suedeze, e quajtur Rreze, e cila vepronte në trevën e Gjilanit. Nëpërmjet kësaj shoqate ndihmoi furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillim të organizimit të saj në zonën e Karadakut me mjete ushqimore, sanitare e higjienike. Në kuadrin e kësaj shoqate, ajo veproi me pseudonimin “Dielli”. Emri Diell, në një farë mënyre u bë edhe pseudonim me të cilin veproi ajo në kushte lufte.
Formimi i Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, në fillim të vitit 1999 ishte kurorëzim i një vullneti të madh dhe i një pune të palodhshme i shokëve të idealit të Hanumshahes. Ajo tashmë mban lidhje të rregullta me shokët në male, përmes veprimtarit Veli Murati që kishte pseudonimin “Bali”. Ndërkohë, me shokët në prapavijë kryen detyra të caktuara.
Përveç Hanumshahes dhe bashkëshortit të saj, Tefikut, në logjistikën e UÇK-së angazhohet edhe i vëllai, Tajari, ndërsa për mobilizim në radhët e ushtrisë paraqitet edhe motra e vogël, Hasibja.
Fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi makinerinë serbe të luftës, në mars të vitit 1999 egërsoi edhe më tepër pushtuesin, që i tmerruar fare, përqendroi trupa të shumta edhe në zonën e Karadakut. Mirëpo, tashmë ai kishte përballë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe në këtë zonë, pengesë e pakalueshme për zbatimin e planit të tij të spastrimit etnik. Në këtë gjendje tmerri, forcat serbe ndërmorën sulme të njëpasnjëshme kundër pozicioneve të UÇK-së, por edhe kundër popullatës së fshatrave të pambrojtura të trevës së Gjilanit. Qëndrimi në qytet, po ashtu ishte bërë shumë i rrezikshëm dhe pothuajse i pamundshëm. Sa më shumë që i afrohej fundi, pushtuesi serb bëhej edhe më agresiv. Në mesin e prillit, ai ndërmori ofensivë koherente kundër shumë zonave në mbarë Kosovën. Hanumshahja, së bashku me Tefikun, tri ditë më parë arrin me detyrë të caktuar nga Gjilani në malet e Zhegovcit, në shtabin e zonës. Më 15 prill, don të kthehet sërish në qytet. Me të në veturë ishte Tefiku dhe dy kushërinjtë e këtij, Ramadan e Shaban Hyseni. Rrugëtimi ishte me rrezik. Më tutje, forcat serbe kishin zënë prita të shumta. Një përqendrim të tillë ato e kishin bërë edhe te vendi i quajtur Te Hanet e Zhegovcit. Me të arritur te ky vend, Hanumshahja me shokë kapen nga militarët serbë në pritën e organizuar prej tyre dhe vriten mizorisht. Trupat e tyre varrosen pas katër ditësh në një varrezë masive të hapur me eskavator, te vendi i krimit. Pas disa ditësh, militarët serbë, nuk dihet për ç’arsye bëjnë zhvarrimin e trupave nga kjo varrezë dhe i rivarrosin në anën tjetër të rrugës.
Pas përfundimit të luftës, vendi i varrimit të Hanumshahes, Tefikut e të dy kushërirëve të tij, identifikohet përmes një këpuce të mbetur mbi sipërfaqen e dheut. Më 9 shtator të vitit 1999, trupat e tyre zhvarrosen dhe më 17 shtator varrosen në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, me ceremoni ushtarake të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Te vendi i rënies së Hanumshahes, te Hanet e Zhegovcit, është vendosur pllaka përkujtimore. Emri i saj i është vënë një rruge në Gjilan. Për kujtim të saj, familja ruan librat, fotografitë e stolitë e ndryshme (unazë, vathë). Shenjë e figurës së saj si luftëtare lirie sot ruhet edhe një fishek i revoles, të cilën e kishte armë personale.
Dëshmorja Hanumshahe Abdullahu – Zymberi nuk kurseu asgjë, as mundin, as gjakun dhe as jetën vetëm që populli i saj dhe Kosova ta fitonin lirinë. Dritën e lirisë ajo donte t’ua siguronte edhe dy gonxheve të zemrës së saj, Dielles dhe Atdheut. Sa herë që së bashku me Tefikun shkonte në mision të caktuar nga shokët, përkujdesi për Diellen e Atdheun i takonte së motrës, Hasibes. Ngrohtësinë prej nëne që ua dhuronte atyre me përqafimin e me puthjen e ndarjes, ata e ruanin deri në kthimin e saj nga detyra. Këtë ngrohtësi e shijuan edhe në ndarjen e fundit, por kësaj radhe nga të dy prindërit. Sot Diella e Atdheu janë fëmijë të prindërve dëshmorë. Ata rriten të shëndetshëm me përkujdesin dhe dashurinë e axhës Bajramit. Meqenëse për shkak të moshës së vogël, nuk arrin ta ruajë në kujtesë pamjen e kthjellët për mamin e për babin, Atdheu çdo ditë e sidomos mbrëmjeve para gjumit, kërkon t’i flitet për ta e t’i përshkruhet pamja dhe trimëria e tyre. Ai dëshiron të fle me ëndrrën e bukur të prindërve në qepalla.
Ndërsa, Diella, mban të freskët kujtimin për prindërit dëshmorë. Në psikologjinë e saj pikaset dëshira për t’u identifikuar me personalitetin e tyre. – Për pikturë i kam ngjarë babit Tefik, kurse për humor, mamit Nush, – thotë ajo, duke shprehur një formë të veçantë të respekit e të dashurisë për prindërit e saj.
Drita e amshueshme e dëshmores Hanumshahe Abdullahu dhe e shokut të saj të idealit e të jetës, dëshmorit të kombit, Tefik Zymberi, u bë pjesë e Flakës së Janarit. Çdo janar, emri dhe vepra e tyre përkujtohen dhe nderohen me manifestime të shumta kulturore në Gjilan e në mbarë Kosovën. Ky manifestim tradicional dëshmores Hanumshahe Abdullahu e ka nderuar me medaljen e UÇK-së Flaka e Lirisë. Ministria e Mbrojtjes e QPK-së ia ka akorduar mirënjohjen Nderim. Mirënjohje i ka dhënë Zona Operative e Karadakut e UÇK-së, si dhe shkolla fillore “Rexhep Elmazi” e Gjilanit. Në vitin 2002 i është akorduar edhe medalja Beteja e Zhegovcit. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …