Hapet panairi artizanal dhe mbahet “sofra e diasporës” në Malishevë

Në kuadër të shënimit të “Java e Mërgimtarëve” në Komunën e Malishevës, gjatë ditës së mërkurë janë mbajtur një varg aktivitetesh kulturore, që për qëllim kanë prezantimin e vlerave të trashëgimisë dhe të kulturës, dhe aktivitetet e përbashkëta me dhe për mërgimtarët. Në këto aktivitete, krahas mërgimtarëve, po marrin pjesë edhe zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Mazreku, zëvendësministri i Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Afrim Bekteshi, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, dhe qytetarë të shumtë. Aktivitetet kanë filluar me “Sofrën e Diasporës”, të organizuar nga instituti “LEDS”, në kuadër të programit “Dilni Fest 2018”. Në këtë organizim, nënkryetari i Malishevës, Hajdin Berisha, duke folur për rëndësinë e këtyre aktiviteteve për mërgimtarët tanë, ai tha se “dashuria ndaj atdheut është më e madhe se çdo gjë tjetër, prandaj ne kurrë nuk guxojmë të themi se është bërë mjaft dhe për këtë qëllim, edhe ne si komunë, po organizojmë një varg aktivitetesh, të cilat kanë filluar ditë më parë dhe do të përfundojnë me organizmin e festivalit folklorik “Oda e Llapushës”. “Ruajtja e kulturës dhe gjuhës, është një obligim i të gjithëve, pasi gjeneratat e reja, që jetojnë jashtë vendit, duhet të kultivojnë këtë kulturë dhe traditën shqiptare, prandaj, për të gjithë ju mërgimtar, kjo mbetet një luftë e kohës”, tha nënkryetari Berisha, duke i porositur prindërit, që t’iu mësojnë dhe kultivojnë gjuhën dhe kulturën e bukur shqiptare. Zv/ministri i Diasporës, Afrim Bekteshi, duke marrë fjalën në aktivitetin “sofra e diasporës”, tha se “jemi këtu që ta hamë një kafshatë së bashku, të bukës së gatuar nga duart e nënave tona”, ndërsa duke folur për aktivitetet e ministrisë, ai tha se “ janë duke punuar në drejtimin e asaj, që lidhja me bashkatdhetarët të jetë sa më e fuqishme”. Ndërsa zv/ministri i MKRS-së, Rexhep Mazreku,  foli për rolin që diaspora ka luajtur në të gjitha etapat e zhvillimeve politike, sikur edhe për rolin e saj në luftën e UÇK-së. Aktiviteti është hapur nga drejtori ekzekutiv i institutit “LEDS”, Samir Morina, i cili prezantoi në tërësi aktivitetet e organizuara në kuadër të javës së mërgimtarëve, përkatësisht programit që ata kanë organizuar me moton “Dilni Fest 2018”, si dhe i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje dhe për kontributin e dhënë në këto aktivitete. Një falënderim për këto aktivitete e ka bërë edhe aktivistja e mërgatës Ganimete Bajraktari, e cila i ftoi të gjitha institucionet dhe prindërit, që të  punojnë shumë, në mënyrë që gjeneratat e reja në mërgim, të mos e harrojnë gjuhën, traditën, kulturën dhe vendin e tyre. Pas këtij aktiviteti, është hapur edhe panairi tradicional me veshje dhe ushqime tradicionale shqiptare, e në veçanti nga treva e Malishevës. Ky panair, mbahet çdo vit, në ditët kur mbahet edhe festivali folklorik “Oda e Llapushës”, dhe është pjesë e këtyre organizimeve, në kuadër të shënimit të “java e mërgimtarëve”. Ndërsa aktivitetet do të vazhdojnë me sesionin shkencor “Folklori në trevën e Llapushës”, dhe aktivitetet përmbyllen me dy net të festivalit mbarëkombëtar të folklorit “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë, që mbahet me 1 dhe 2 gusht, duke filluar në ora 19:00.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …