Hapet shkolla e Gurishtës  së Malishevës  

Sot, në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor, fshati Gurishtë i komunës së Malishevës, u bë me shkollë të re. Ceremonia zyrtare e hapjes së objektit të ri shkollor, u bë në ora 10:00, në të cilën morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, drejtori i arsimit në Malishevë, Avdi Morina, zyrtarë tjerë të qeverisë komunale, nxënësit dhe arsimtarët e kësaj vatre shkollore, banorë të Gurishtës dhe mysafir të tjerë.

“Fillimi i vitit të ri shkollorë, është një festë, por më të bukur këtë festë sot, e bënë ky objekt i ri i shkollës suaj. Ju nxënës dhe arsimtarë e gëzofshi këtë shkollë”, tha në fjalën e rastit kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Duke folur për rëndësinë e cilësisë në shkollim, kryetari Begaj, tha, se “baza e zhvillimit të një vendi është arsimi cilësor dhe ne jemi të përkushtuar që të rrisim cilësinë, përmes krijimit të kushteve sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Juve arsimtar të kësaj shkolle, ju mbetet të punoni sa më shumë, pasi vetëm me punë ne mund ta ndërtojmë vendin tonë, e ju më së miri mund ta bëni këtë, duke na dhënë kuadro të reja të përgatitura mirë. Të punosh për vendin është përgjegjësi e të gjithëve”, tha Begaj.

“Në emër të drejtorisë komunale për arsim, ju uroj për objektin e ri të shkollës suaj dhe ju uroj për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/17. Është përgjegjësi e jona, që të krijojmë kushte sa më të mira dhe këtë jemi duke e bërë, përmes investimeve në arsim”, tha drejtori i drejtorisë për arsim në komunën e Malishevës, Avdi Morina.

Ndërsa për historikun e shkollës, foli drejtori i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Nuhi Mazreku” në Gurishtë, Xhevdet Mazreku, i cili në mënyrë kronologjike, kujtoi rrugëtimi e kësaj shkolle, deri në pavarësimin e saj, më 2008, ku edhe mori emrin Nuhi Mazreku, ish mësues i kësaj shkolle, tani dëshmor i kombit.

Shiritin e përurimit e prenë, kryetari Begaj, së bashku me familjarët e dëshmorëve të kombit, Nuhi Mazreku dhe Hidajet Mazreku, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi dhe drejtori i arsimit, Avdi Morina.

Ndërtimi i këtij objekti modern, është bërë nga buxheti komunal i Malishevës dhe ka kushtuar rreth 300 mijë euro.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …