Haradin Bajrami, djali i Asllanit dhe nënë Sadijes, u lind në fshatin Rreze (ish – Leletiq), të Lypjanit. Ishte pjesëtar i një familjeje të varfër fshatare, por e njohur për trimëri dhe kundërvënie ndaj regjimit okupator serb.
Shkollën fillore e kreu në Magurë. Edhe pse në kushte tejet të rënda ekonomike, Haradini arrin ta kryejë edhe shkollën e mesme në Lypjan.
I rritur dhe i edukuar në frymë atdhetare, Haradin Bajrami merr pjesë në demonstratat e rinisë studentore të vitit 1981. Më vonë në vitin 1984, shpërndan pamflete dhe shkruan parulla për kërkesën Kosova Republikë. Ndërkohë milicia krahinore e Kosovës zbulon aktivitetin e tij dhe organet gjyqësore e dënojnë dy muaj burg, të cilin e mban në Burgun e Gjurakocit.
Haradini kishte prirje për gdhendje të gurit dhe qysh herët kishte filluar të rregullonte pllaka varrezash. Nga kjo punë dhe punë të tjera fizike mbante familjen me shumë anëtarë.
Me rastin e zgjerimit të pikave të UÇK-së në fshatrat e Blinajës (ish – Lypovicë) së Lypjanit, në maj e qershor të vitit 1998, Haradin Bajrami së bashku me vëllezërit merr pjesë në ndërtimin e rrugëve dhe në hapjen e istikameve. Po ashtu shtëpia e tij në hyrje të fshatit Leletiq, afër pyllit të dendur të Blinajës, bëhet bazë e sigurt për luftëtarët e lirisë, të cilët po vëzhgonin terrenin dhe po përgaditeshin për ta zgjeruar luftën edhe në drejtim të fshatrave të rrafshit të Kosovës.
Në qershor 1998, Haradin Bajrami inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asokohe në pikën e Blinajës komandonte, Shukri Buja, ndërkohë që në luftë për çlirimin e Kosovës ishin angazhuar edhe shumë veprimtarë të fshatrave rreth Blinajës e më gjerë nga komuna e Lypjanit, si Heset Sahiti nga Poturovci, Xhavit Koxhani nga Ribari Madh, mjeku Fitim Selimi nga fshati Banullë e shumë të tjerë.
Haradin Bajrami ka marrë pjesë në luftimet, që forcat ushtarake dhe policore serbe kanë zhvilluar kundër pikave të UÇK-së, në Vërshec, Leletiq dhe në Blinajë, në korrik të vitit 1998.
Pasi forcat serbe granatojnë fshatrat dhe depërtojnë te Hoteli në Blinajë, luftëtarët e Leletiqit, të Vërshevit, Ribarit të Madh e fshatrave të tjera të pjesën lindore të kompleksit pyjor të Blinajës depërtojnë në fshatrat Krojmir e Shalë, ku sistemohen në dy batalionet e Brigadës 121, në Balalionin e Parë “Imer Alushani” dhe në Batalionin e Dytë “Ruzhdi Salihu”.
Haradin Bajrami së bashku me Ali Mejzinollin, Fadil Kastratin e luftëtarë të të tjerë, në shtator të vitit 1998 kanë sulmuar një patrullë policie te Hoteli i Blinajës ku mendohet se janë vrarë dy oficerë serbë. Ndërkohë komandant i pikës në Blinajë e deri në fshatin Mirenë ishte caktuar Ramiz Shala nga fshati Kleçkë. Haradin Bajrami ishte caktuar komandanti i togës, në pikën Blinajë – Mirenë.
Pas masakrës serbe në fshatin Reçak të Shtimes, më 15 janar të vitit 1999, ku kishin rënë 11 luftëtarë të lirisë dhe ishin masakruar mizorisht 42 pjesëtarë në radhët e popullatës civile, Haradin Bajrami me luftëtarët e tij, në shenj hakmarrje kanë sulmuar forcat serbe në Blinajë. Më vonë ai me togën e tij ka sulmuar forcat serbe, të cilat ishin vendosur në vendin e quajtur, “Kodra e Barutit” në Blinajë.
Duke qenë se e njihte mirë çdo vend në kompleksin e Blinajës, ku tashmë kishin depërtuar forcat serbe, të cilat nuk ndjeheshin fare të sigurta në atë terren, meqë në tri anët ishin të rrethuara nga luftëtarët e UÇK-së, Haradin Bajrami me togën e tij kalonte nga një vend në tjetrin për të vëzhguar lëvizjet e mundshme të forcave të shumta ushtarake e policore serbe. Në dimrin e vitit 1999, sidomos pas fillimit të sulmeve të NATO-s, ushtria serbe kishte zbarkuar një kontingjent tejet të madh të forcave të cilat i kishte kamufluar në pyjet e dendura të kompleksit pyjor të Blinajës. Konsiderohej se atje ishin dislokuar mijëra ushtarë serbë.
Serbët kishin minuar terrenin ku konsideronin se kalonin gjatë natës luftëtarët e UÇK-së të cilët po ashtu minon terrenin e forcave serbe. Më 2 prill të vitit 1999, Haradin Bajrami ndodhet me togën e tij në vendin e quajtur “Ligata e Madhe” në Blinajë. Papritmas bie në fushë të minuar ku merr plagë të rënda. Në fushën e minuar kishte rënë edhe ushtari Driton Grantolli nga fshati Shalë (ish-Sedllar), i cili po ashtu lëndohet.
Bashkëluftëtarët e tërheqin Haradin Bajramin nga fusha e minuar dhe e dërgojnë në ambulancën e fshatit Shalë, ku ndodhej edhe mjeku i luftës, Fitim Selimi. Përpjekjet për t’ia shpëtuar jetën kishin qenë të kota, meqë Haradini kishte marrë lëndime vdekjeprurëse.
Haradin Bajrami ka qenë i martuar me Rukije Sahitin. Ai ka lënë katër djemtë: Sabedinin, Liridonin, Dardanin e Përparimin, si dhe vajzën, Fatlindën.
Ka lënë edhe vëllezërit: Rexhepin, Shabanin dhe Abedinin, si dhe motrat: Habiben, Fazilen, Linditën, Halimen, Teutën, Afërditën dhe Arditën.
Bashkëluftëtarët dhe familja e dëshmorit, ia kanë vënë pllakën përkujtimore në hyrje të fshatit Rreze. Familja e tij ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga shoqatat e luftës dhe nga Kuvendi Komunal i Lypjanit. Në shenjë përkujtimi për veprën heroike të dëshmorit Haradin Bajrami, rruga prej udhëkryqit të Lypjanit deri në qendër të qytetit, te Stacioni Policor, është emërtuar me emrin e këtij dëshmori. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …