Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kundërshtuar edhe një herë fuqishëm idenë e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi për kufijtë. Ai ka thënë se diskutimi i vazhdueshëm mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon, transmeton lajmi.net. “Si Kryeministër i Republikës së Kosovës do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”, ka shkruar Haradinaj nder të tjera.
