Kreu i Qeverisë u shpreh se është çështje javësh kur Kosova do ta merr lajmin e merituar për liberalizimin e vizave, pasi që vendi ka përmbushur të gjitha kriteret. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në komunën e Fushe Kosovës, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Burim Berisha. I pari i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, ku tha se Kosova ende nuk është futur në agjendë për votim por vetëm për diskutim. Haradinaj ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, se nëse Kosova edhe një herë tenton të anëtarësohet në Interpol, po bënë një vetëvrasje të radhës duke e ditur që ka dështuar në të kaluarën. Sa i përket takimit me kryetarin e Komunës së Fushë Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se janë disa kërkesa të komunës e që kërkojnë ndërhyrjen e Qeverisë. Kurse, kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, tha se shpreson që temat që janë diskutuar të zgjedhën në të ardhmen, në mënyrë që banorët të jetojnë më mirë sesa tani.
