“E gjithë perspektiva e rajonit tonë është një fjalë. Ashtu sikurse vendet tjera edhe Kosova në NATO e sheh sigurinë dhe paqen e përjetshme”, tha kryeministri Haradinaj, pas takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Paolo Alli. Duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me NATO-n, kryeministri Haradinaj tha se Kosova i gëzohet ardhjes së presidentit të Asamblesë Parlamentare, ku edhe Kosova ka statusin e vëzhguesit. Në takim, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova dhe populli i saj do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe asnjëherë nuk do ta harrojë ndihmën që NATO ka dhënë në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Kryeministri Haradinaj theksoi rolin e rëndësishëm të NATO-s në garantimin e paqes dhe të sigurisë dhe e vlerësoi forcën paqeruajtëse të KFOR-it si një partner të rëndësishëm në Kosovë. Po ashtu, ai tha se Forca e Sigurisë së Kosovës e mbështetur nga NATO në çdo periudhë të ndërtimit të saj, ka përmbushur kapacitet operative drejt transformimit në Forcën e Armatosur, në bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkaq, Paolo Alli, President i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, tha se NATO-ja dhe Kosova kanë një lidhje të fortë prej shumë vitesh dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të përparimit të Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.