Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dërguar një mesazh të ashpër për partitë që mund të ndihmojnë Albin Kurtin në formimin e një qeverie të re. Në një intervistë për “Blic Interview”, Haradinaj paralajmëroi se çdo bashkëpunim me Kurtin do të sjellë përgjegjësi për pasojat ndaj Kosovës. Ai veçoi Fatmir Limajn dhe Nismën si adresat kryesore të kësaj porosie, duke thënë se askush s’mund t’i shmanget llogaridhënies. Sipas Haradinajt, një Qeveri Kurti 3 do të sjellë pasoja të mëdha për vendin. Ai theksoi se historia politike e askujt nuk do t’i mbrojë nga përgjegjësia. “Çfarëdo llogarie që bëjnë, nuk do të kenë justifikim”, tha ai. Haradinaj nënvizoi se vendi ndodhet para një rreziku të ri politik. Ai kërkoi maturi nga partitë tjera para se të marrin vendime për bashkëpunim. Sipas tij, çdo vendim do të ketë kosto politike dhe morale.
