Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Emigrantëve ka kujtuar mërgimtarët shqiptarë dhe vuajtjet e tyre nëpër kohë të ndryshme, Ai e ka vlerësuar lart kontributin e mërgimtarëve për ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin Kosovës. “Në memorien e shumë brezave të qytetarëve tanë rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike. Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithsecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësyrë rrugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse. Sot, i kujtojmë të gjithë ata njerëz, kudo nëpër botë, që na kanë dalë në ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre, dhe një punë në tokën e tyre. Po sot, e kujtojmë edhe sakrificën për liri të heronjve dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet. Mirënjohës po ashtu vendeve mike për ndihmën e pakursyer, që strehuan në të gjitha kohërat njerëzit tanë. Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë! Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve”, ka shkruar ai.
Kontrolloni gjithashtu
Enver Hoxhaj përjashton mundësinë e koalicionit në mes PDK-së dhe Vetëvendosjes pas zgjedhjeve të ardhshme
Nënkryetari i PDK, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk sheh mundësi për një koalicion qeverisës …