Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një njoftimi të afishuar në llogarinë e tij në Facebook, ka përkujtuar masakrat e marsit dhe prillit të vitit 1999. Ai i ka quajtur të mjerë ata që e kanë kujtesën e shkurtër dhe harrojnë sa e madhe ishte sakrifica e popullit për liri. “Sa herë vjen marsi, edhe njëherë na hapen plagët. Si sot, fundmarsi apo fillimprilli 17 vjet më parë, kanë ndodhur Krusha, Suhareka, Celina, Izbica, Lubeniqi, Belegu, Meja e shumë masakra të tjera mbi civilët shqiptarë, të cilat më vonë u bënë themel i lirisë që e kemi sot. Janë të mjerë ata që e kanë kujtesën e shkurtër dhe harrojnë se sa e madhe ishte sakrifica e këtij populli për lirinë e Kosovës. Edhe më të mjerë janë ata që sot guxojnë ta rrezikojnë projektin, ndër breza, për lirinë dhe shtetin e Kosovës. Shpirti i tyre do të prehet në paqe, vetëm duke e respektuar, deri në përulje, flijimin e tyre dhe duke e mbrojtur këtë sakrificë”, përfundon shkrimi i Haradinajt.