Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është cituar të ketë deklaruar se protesta e së shtunës do të jetë edhe më e madhe, sesa protesta e 9 janarit dhe se ajo e 17 shkurtit. Presioni për dorëheqje ndaj Qeverisë do të rritet dhe më shumë, ndërsa zgjedhjet do të mbahen në vjeshtë. Në intervistën dhënë “Zërit” ai e konsideron të dhimbshëm faktin, që nuk ka vazhduar presioni i filluar me protesta të organizuara nga blloku opozitar: “Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma”, por lufta po vazhdon e ndarë. Mirëpo, ai shprehet i bindur se presioni për dorëheqje ndaj Qeverisë “Mustafa” do të rritet dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Haradinaj gjithashtu ka thënë se do të ishte mirë që të shfrytëzohet koha për t’u korrigjuar gabimet në Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në të kundërtën, sipas tij, kjo Marrëveshje nuk kalon në Kuvend.
