Në një intervistë për Radio-Evropa e Lirë, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, i cili po mbahet në Francë, ka deklaruar se shumë e habitshme për mua kthimi në logjikat e mëhershme të viteve të luftës nga zyrtarët në Beograd. Kjo është një lojë politike e tyre. Ata janë në prag të zgjedhjeve. Po e shoh një garë mes udhëheqësve në Beograd, të presidentit, kryeministrit, të ministrit të jashtëm, të koordinatorit Gjuriq rreth kësaj teme. Por, duke e ditur faktin që populli i Kosovës ishte viktimë në luftën e fundit nga regjimi i Milosheviqit dhe duke e pasur parasysh edhe rolin e disa prej këtyre udhëheqësve në atë regjim, siç është Daçiqi që ishte vartës i Millosheviqit, pastaj të Nikoliqit e Vuçiqit të cilët u kanë prirë formacioneve paramilitare të asaj kohe, është e habitshme që i bëhet kaq shumë, ta quaj, respekt ligjor një aktakuze që është e thatë, është politike dhe që vjen prej atyre që vërtetë kanë kryer krime.
