Përplasjet politike mes grupimeve të kryesuara nga Pandeli Çale, Eshref Frashëri dhe Koço Kotta. Si ia “fusnin” politikanët njeri-tjetrit kur hartoheshin listat e kandidatëve për deputetë. Kush nuk kishte të drejtë të ishte në listat e zgjedhësve. Devijimi nga vendimi i Kongresit të Lushnjës dhe “prapësitë” që erdhën si pasojë.
Një nga vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjës, ishte mbajtja e zgjedhjeve për “Asamblenë Kushtetuese”, të cilat do të organizoheshin me një ligj të hartuar nga Këshilli Kombëtar. Por Ligji u hartua nga Qeveria më 5 dhjetor 1920 dhe u dekretua nga Këshilli i Naltë më 10 dhjetor 1920.
Duke organizuar zgjedhje “Parlamentare”, në vend të atyre për “Asamblenë Kushtetuese”, qeveria Vrioni dhe Këshilli i Lartë, dolën hapur kundër vendimit të Kongresit të Lushnjës.
Ligji u hartua nga qeveria
Kandidat për deputet mund të ishte çdo shtetas burrë apo grua, që kishte mbushur moshën 30 vjeç, dinte gjuhën shqipe me shkrim e me gojë dhe nuk “ishte shërbëtor i kurkujt”. Sipas nenit 26, Oficerët që japin kandidaturën për deputet, duhet të japin dorëheqjen nga shërbimi ushtarak. Sipas nenit 2, deputetët zgjidhen në emër të Prefekturës, si përfaqësues të popullit të saj.
Nuk pranoheshin kandidat për deputet, Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.
Zgjedhës mund të ishte ç’do shtetas (burrë), që sipas nenit 6, kishte mbushur moshën 20 vjeç në shkallën e parë dhe 25 vjeç në shkallën e dytë dhe paguan a s’paguan vergji.
Përjashtohen nga e drejta e votës, Sipas nenit 6: gratë. Sipas nenit 25: Fuqija e armatosur, komandantët, oficerët e ushtarët. Sipas nenit 1 dhe 8: burrat që janë dënuar me shëmtim, ata që janë falur po qe se nuk kanë të drejtat qytetare, si dhe ata që janë të burgosur, të falimentuar dhe të çmendur.
Sipas neneve 23 dhe 24 të “Ligjit” zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë, me dy shkallë. Emri i kandidatit duhej të shkruhej me dorë nga votuesi. Duke qenë se 80% e popullsisë ishte analfabete, ligji e lejonte që emrin e kandidatit ta shkruante edhe një person i tretë.
Ligji për zgjedhjet, u kritikua nga rrethet atdhetare e përparimtare, pasi siç thekson akademiku shqiptar Arben Puto në veprën “Shqipëria Politike 1912-1939”, Ligji i zgjedhjeve nuk dallohej për parime demokratike. Parimet anakronike përcaktuan edhe përbërjen e parlamentit. Në fakt, zgjedhjet që u bënë në pranverën e 1921-shit, dhanë një rezultat në favor të rrymës konservatore. Nga 78 deputetë ku bënte pjesë edhe Fan Noli përfaqësuesi i Vatrës, shumica shprehte interesat e bejlerëve, pra vazhdimin e rendit feudal, ashtu si kishte mbetur që nga koha e Perandorisë Osmane.
Listat e deputetëve
Zgjedhjet e para parlamentare u organizuan në muajin e parë të vitit 1921 nga qeveria me Kryeministër Iliaz Vrionin, sipas listave të miratuara nga Qeveria për çdo Prefekturë. Megjithatë, duhet nënvizuar se kandidatët që u përfshinë në këto lista, në pjesën dërmuese, ishin anëtarë të organizatës patriotike “Krahu Kombëtar” e cila përfaqësohej nga intelektualë të shkolluar në perëndim, apo të dalë nga shkolla revolucionare e turqve të rinj, (oficerë e civilë), për të organizuar dhe drejtuar “Lëvizjen Kombëtare” dhe për mbrojtjen e stabilizimin e Shtetit Shqiptar; pjesa tjetër ishin figura atdhetare të arsimuar në Europë e Amerikë, si dhe patriotë shqiptar të diasporës që kishin përqafuar mentalitetet perëndimore. Në zgjedhjet e para pluraliste, kjo organizatë politike atdhetare, kishte si synim zgjedhjen për deputetë të personave: “Me parime politike të Kongresit të Lushnjës”.Veç të kandiduarve nga “Krahu Kombëtar”, në zgjedhjet e para pluraliste, morën pjesë edhe kandidatë të propozuar nga shtresa e pronarëve të mëdhenj të tokave, nga nacionalistë dhe nga elementi kosovar që vinte nga “Komiteti Mbrojtja e Kosovës”.
Zgjedhjet tepër problematike
Zgjedhjet e para pluraliste, krijuan mjaft situata problematike në të gjithë Shqipërinë.
Në zonat e Shqipërisë së Mesme, elementë turkoman nxisnin fshatarësinë e atyre anëve që të mos pranonin të votonin dhe të zgjidhnin deputet për në parlamentin e Shqipërisë. Elementë të ndryshëm me tituj dhe ofiqe perandorake, kërkonin ende që Shqipëria të ishte “Principatë Turke”. Ata “frynin” urrejtje karshi administratës shqiptare, flamurit shqiptar, gjuhës shqipe dhe elementit të krishterë shqiptar. Sipas Sejfi Vllamasit, “nga ana tjetër vlonte propaganda e organizimit të zgjedhjeve sipas përkatësisë krahinore e fetare, e cila binte ndesh me vlerat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare”. Sipas teorisë së këtyre propagandistëve, shprehet Vllamasi; “Ç’do geg që bashkëpunon me toskët nuk është geg. Geg i vërtetë është ai që është kundër toskëve”.
Në Jug të Shqipërisë, krahas elementit turkoman, vepronte energjikisht elementi grekoman, i cili pengonte organizimin e zgjedhjeve në ato Krahina.
Lufta Politike
Lufta politike që u zhvillua në Korçë me rastin e zgjedhjeve parlamentare ishte më tepër një “luftë midis personave të të njëjtit grup politik”, por që kishin qëndrim të ndryshëm për sa i përket asamblesë kushtetuese, si dhe për listën e personave që do të zgjidheshin. Grupi që kryesohej nga Koço Kota nguli këmbë që zgjedhjet të bëheshin për asamble kushtetuese, pra të zbatohej vendimi i Kongresit të Lushnjës, kurse grupi Pandeli Çale-Eshref Frashëri ishte për zgjedhje parlamentare, pra kundërshtonte pikëpamjen dhe kërkesën e grupit të Koço Kota-s.
Prefekti provizor i Korçës Nikolla Zoi që përkrahte zgjedhjet parlamentare, dhe kryetari i Bashkisë Sotir Kotta që përkrahte zgjedhjet për asamblenë kushtetuese, ngritën komisionet zgjedhore dhe morën të gjitha masat e duhura, që kandidatët për deputet, pjesëmarrës në këto zgjedhje, të paraqiteshin para popullit në zonat e ndryshme të prefekturës, në fshatra, katunde dhe qytete. Emrat që u përfshinë në listën e kandidatëve për deputet në Prefekturën e Korçës, sikurse shënon Sejfi Vllamasi, u organizuan qysh në Tiranë nga Eshref Frashëri dhe Pandeli Çale. Qëllimi i tyre, shprehet Vllamasi, ishte për të formuar një grup deputetësh solidarë në mendime, mentalitete dhe interesa, për ta përfaqësuar Korçën në emër të “bejlerëve, turqve e kaurëve të lidhur me ta”. Në këtë grup bënte pjesë edhe prefekti Nikolla Zoi, komandanti i xhandarmërisë Ferit Frashëri dhe ministri P.Brendshme Xhafer Ypi. Ndërkohë që përgatiteshin listat e zgjedhësve, sipas Dr.Kaliopi Naska në librin “Këshilli Kombëtar 1920”, në krahinën e Korçës vazhdonte lëvizja për mbledhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, që “sipas vendimeve të Kongresit të Lushnjës, kishte të drejtën të shpallte formën e regjimit në Shqipëri”.
Kundërshtarët politikë
Ndërsa lëvizja për zgjedhjen e “Asamblesë Kushtetuese” ishte përkrahur nga kryeministri Sulejman Delvina, ajo ishte kundërshtuar nga një pjesë e qeverisë dhe e Këshillit Kombëtar. Për këtë shkak Sulejman Delvina dha dorëheqjen dhe kryeministër u caktua Iliaz Vrioni. Përkrahësit e kësaj lëvizje, konsideroheshin nga qeveria si kundërshtarë politikë dhe ndaj tyre po organizoheshin komplote. “Fazlli Frashëri, thotë Vllamasi, për një fjalim që kishte mbajtur në një miting për zgjedhjen e një “Asambleje Kushtetuese”, ishte ngatërruar keq me Xhafer Ypin, ministrin e Drejtësisë dhe të P.Brendshme në qeverinë e Iliaz Vrionit”.
Komploti sipas Vllamasit, “ishte organizuar qysh në Tiranë për zëvendësimin tim me Xhafer Ypin. Po kështu vepruan edhe me Koço Kotën, i cili përfshihej në listat për kandidat për deputet. Ai ishte anëtar i vjetër i Krahut Kombëtar, shok i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ishte kundra Eshrefit dhe Pandeli Çales me shokë”.
“Kundërshtia e Koços me ta, thotë Sejfi Vllamasi, nuk ishte nga mospajtim idesh e mentalitetesh, por rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Koço nguli këmbë që të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me Kol Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Çale edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës”.
Kështu mendonte Vllamasi. Por, e vërteta ishte krejt ndryshe. Kundërshtia e grupimit të përfaqësuar nga Koço Kotta ndaj grupimit qeveritar të përfaqësuar nga Pandeli Çale, nuk ishte punë listash, apo luftë për karrigen e deputetit, siç e kishte kuptuar në kohën e tij Sejfi Vllamasi, por ishte punë idesh. Ishte lufta pa kompromis për të mbrojtur vendimet e mara nga Kongresi Lushnjës ku Koço Kota përfaqësonte popullin e Korçës dhe u zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar-Senator.
PROBLEMI FETAR
Në administratë do të punësohen të krishterë apo myslimanë?
Për të kuptuar nga se erdhën mbrapshtitë e zhvillimeve të ardhshme, është e domosdoshme të sjellim në vëmendjen e lexuesit, të vërtetën e hidhur por reale, lidhur me ekzistencën e dy mentaliteteve: mentaliteti oriental dhe mentaliteti oksidental, si dhe të nivelit të arsimimit të popullsisë e të administratës shtetërore. Shumë personalitete shtetërore, shfaqnin ende mentalitete orientale dhe parapëlqenin të mbanin titujt, gradat dhe privilegjet e dhëna nga Sulltani, gjë e cila vërtetonte ekzistencën e mbeturinave të mentaliteteve orientale dhe sipas nacionalizmës grekomane “karakterin turk të shtetit shqiptar”. Kjo situatë favorizonte pretendimet greke, për të ndërhyrë brenda shtetit shqiptar, në mbrojtje të popullsisë ortodokse, që sipas tyre “dhunohej nga administrata turkomane shqiptare”. Po ti referohemi statistikave qeveritare, situata në krahinat e Shqipërisë Jugore paraqitej: Analfabetizmi përfshinte 80% të numrit të shqiptarëve. Pjesën më të madhe të analfabetëve e zinte popullsia myslimane. Shqiptarët e arsimuar përbënin 20% të numrit të popullsisë. Pjesa më e madhe e të arsimuarve ishin të besimit ortodoks që zinin 75% të shqiptarëve të arsimuar.
Pyetja është e thjeshtë dhe kuptimplote: Kush duhej të punonte në administratën shtetërore, shqiptarët analfabetë, apo shqiptarët e arsimuar? Si mund të përparonte Shqipëria? Përgjigja është gjithashtu e thjeshtë dhe kuptimplote: Duke qenë se të krishterët ortodoksë përbënin 75% të shqiptarëve të arsimuar, duhej që në strukturën e pushteteve vendore, të punësoheshin 75% të krishterë e 25% myslimanë.
Aplikimi i baraspeshës në përfaqësim, 50% analfabetë dhe 50% të arsimuar, është miopi politike, shterpëzuese, antikombëtare dhe pragmatiste për qëllime elektorale.
Aplikimi në përfaqësim, 100% shqiptarë të arsimuar, pa dallim feje, krahine dhe ideje, ishte dhe mbetet “politikë e drejtë kombëtare”.
Largimi nga mentaliteti oriental turkoshak dhe orientimi drejt një mentaliteti të ri oksidental, do ishte e vetmja mënyrë zhvillimi dhe rruga që të çonte drejt përparimit, ekonomik, kulturor, e social-shoqëror.
Administrata shqiptare duhej ndërtuar, me elementë shqiptar të arsimuar,të formuar dhe të edukuar me mentalitete oksidentale dhe të orientuar drejt aleancave euroatlantike. Është krejtësisht e besueshme, që ky është thelbi i mendimit të Burrit të Shtetit Shqiptar dr.Koço Kota, lidhur me krijimin e një Shteti Shqiptar, të fuqishëm dhe të zhvilluar. Fatkeqësisht, Kryeministri Vrioni, jo vetëm nuk kishte guxuar ta sillte në axhendën e qeverisë së tij këtë projekt, por e kishte anashkaluar.
Pandeli Cale
Ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë. Lindi në Korçë më 1874. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 1900-1904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912 dhe shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestin e Pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore i kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më 1920 emërohet Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 zgjidhet deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në vitin 1923, nw një spital të Selanikut.
Eshref Frashëri
Ishte njw politikan me origjinw nga Korça. Ishte anëtar i Komitetit Kombwtar tw Mbrojtjes sw Kosovws. U emwrua Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920.Ishte njw nga figurat kryesore nw kwtw kongres, sw bashku me ASqif pashw Elbasanin dhe Ahmet Zogun. U dërgua nw Korçw me qwllim qw tw siguronte se ushtria franceze do t’ia dorëzonte qytetin qeverisw shqiptare dhe jo trupave greke qw ishin grumbulluar pranw kufirit. Organizoi njw miting popullor nw kwtw qytet ku u proklamua bashkimi i Republikws Autonome tw Korçws me Shqipwrinw. Militoi nw radhwt e partisw sw quajtur “Partia e Popullit” qw dominohej nga Ahmet Zogu. Shërbeu si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 1922 deri më 1923. Në vitin 1924 u zgjodh Kryetar i Kuvendit Kushtetues të Shqipërisë dhe në vitet 1924-1925 ishte Kryetar i Senatit. Mori pjesw nw dy rebelime kundër Presidentit Zog nw vitin 1925, por gjithsesi arriti tw ruante regata tw mira me kryetarin e shtetit. Vdiq nw vitin 1938.
Koço Kotta
U lind në Korçë në vitin 1889. Mësimet e para i kreu në qytetin e lindjes dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Në vitin 1912 Kota iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali. Në vitin 1920, Koço Kotta mori pjesë në Kongresin e Lushnjes si deputet i Korçës ku u zgjodh dhe Sekretar i Kongresit. Nga viti 1921 deri në 1923 ai ishte prefekt i prefekturës së Beratit. Në vitin 1924 u emërua Ministër i Punëve Publike. Pas ngjarjeve të qershorit 1924, ai u largua nga Shqipëria për në Greqi. Mbas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit, Kota u kthye në postin e tij ministror. Ai shërbeu si Ministër i Arsimit në janar 1925. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1925, Kota u zgjodh deputet i Korçës. Ishte kryetar i Parlamentit 1925-1928 dhe 1930-1936. Ishte Kryeministër i Shqipërisë nw periudhat 10 shtator 1928 – 5 mars 1930 dhe 9 nëntor 1936 – 7 prill 1939 si dhe Ministër i Brendshëm nw periudha tw ndryshme. U dwnua nga regjimi komunist dhe vdiq nw burgun e Burrelit mw 1949.