Ligjërimi poetik i poetit, Mustafë Krasniqi, që edhe i takon plejadës së re, është i njohur për lexuesit dhe kritikën letrare shqiptare. Mbase edhe ka krijuar relacione komunikimi, jo vetëm me poezinë, por edhe me zhanret tjera letrare, ku do apostrofoja prozën e gjatë, ese, tregimet, … etj. Tani si një autor premtues na del para lexuesit me librin e radhës “Mbrëmja e fundit”.
Prandaj, shtrirja poetike e këtij vëllimi “Mbrëmja e fundit” është një qasje kryesisht që nuk ndryshon shumë nga krijimet e mëparshme, kundruall motivit që i hasim te ky autor. Megjithatë, uni i poetit, vazhdon tutje si një gjurmues që shpërthen si vullkan për të bukurën, vlerën artistike , mbase edhe nuk krijon vetëkënaqësi me shtrirjet dhe prurjet e gjertanishme në krijimtarinë e tij.
Te poeti në fjalë, shohim një porosi të qartë për të ardhmen, sidomos i jap një rëndësi të madhe asaj që brezat e ardhshme përmes krijimtarisë artistike ta njohin botën reale. Kjo edhe është e rëndësishme, mbase horizontet e arritjeve kombëtare çalojnë dukshëm në përditshmërinë me kohën. Përveç kësaj, poeti është kundër atyre zvarritjeve, qofshin kombëtare, apo zhvillimore, që e varfërojnë mirëqenien e popullit. Ndaj këtyre dukurive të shëmtuara, me të drejtë autori, ngreh zërin e tij kumbues edhe përmes klithjeve poetike, protestimeve, kryesisht ndaj platformës që udhëheq klasa politike, pa u ndalur në ngjyrimet e tyre identifikuese.
Për poetin identifikim është gjaku i dëshmorëve, etnia, eshtrat dhe varrezat e të pagjeturve, sikur edhe qasja apo “loja” që bëjnë me ta “kryesunduesit e ligjit”. Madje, nuk harron edhe të mallkojë se:
“do ju vret historia,
heu ju zëntë gjaku i të rënëve”!
Poeti sikur edhe nuk heziton, me vargun e tij të dalë hapur për atë se, idealet duhet vazhduar deri në finalizim e Shqipërisë Etnike, pavarësisht orekseve e favoreve të politikave perëndimore. Veçanërisht ju drejtohet organizmave ndërkombëtare, që ende sorollaten nëpër tokën e bekuar të Kosovës së shumëvuajtur dhe përpiqen të identifikojnë vrasësit me viktimën, për këtë poeti edhe thotë:
Më ke ngrënë kuçedra plakë
Bar të thatë më ke lënë mbi varr
Që atë ditë bilbilat këndua s’kanë
Në mjegull pëllumbat m’i le në vajë.
Poeti shpalos edhe historikun e së kaluarës, duke vënë në pah të vërtetën me dëshmi të pakontestuara historike, rreth përgatitjeve me elaborate nga serbo – sllavët, për shfarosjen e një populli të tërë, pra të shqiptarëve. Këtu, nëse lexojmë me vëmendje, vërejmë paralelizmin që tërheq autori nëpër kohë, me kronologjizëm poetik dhe mjeshtri letraro- figurative.
Si shtrirje të dytë të motiveve ligjëruese, poeti ka mërgimin, brengë që e preokupon vazhdimisht, apo sikur do të thoshte Serembe “sa herë më zë nata e sa herë më zbardhë dita!”, përkundër valëve të jetës që u treguan të pamshirëshme me autorin.
Autori sikur përpiqet të gjej prehjen edhe në buzë lumit Inn ( lum në Gjermani), mbase edhe i kujton valët e lumit “Drenica”, buzë malit të Qiqavicës heroike, mes fushës që rikujton freskinë e luleve në livadhet e blerta. Po ashtu, përmes vargut, metaforës, simbolit krahasimit dhe figurës poeti sikur e shohim vetëm fizikisht jeton në mërgim, gjersa shpirtërisht prehjen e paralelizon me vendlindjen, me kroin e fshatit, me perëndimin e Diellit në qiellin e kuqërremtë. Gjithsesi, në krijimtarinë e tij vend meritor gjejnë edhe familja, mbase aty ka përditshmërinë, sikur edhe thotë:
Kam një ndjenjë më thoni, e mos fshihni
Njoh tim bir, kohë kam zëri i tij se më vije në vesh.
Autori i këndon fëmijëve, mes të cilëve sheh rritën e Familjes, gruas që është shtyllë e Familjes, por kujtoj se Prindërit ende janë kryepërsonazhe të poetit. Megjithatë, poetin e gjejmë në hallet e pleqërisë së Babait të tij, ku nga malli thotë: “Për dritën tënde digjem o at” Ndërsa për Nënën, varrin e saj ka shumë mall, dhe nuk harron t’i premtojë vizita te varri dhe t’ia freskojë varrin me lule që portretizon Nënën.
Gjuha e poetit është standarde, e rrjedhshme, komunikatave, e kapshme për lexuesin. Ndërsa, struktura e ligjërimit tregon nivelin kreativ të autorit Mustafë Krasniqit, sidomos këtë kreativitet e gjejmë edhe te vëllimi “Mbrëmja e fundit” që padyshim lexuesi nuk do të zhgënjehet, po do ta ndiejë vetën më të frymëzuar për të mos i shpëtuar pa e lexuar as një varg të poetit, Mustafë Krasniqit.