Dëshmori Hasan Jashari u lind më 16 dhjetor 1976, në Kokorovicë, lagje e fshatit Demahmet (ish-Reçicë) të Besianës (ish-Podujevë). Shkollën fillore e ka kryer në fshatin Ahishtë (ish-Zhiti).
Hasan Jashari rrjedh nga një familje atdhetare e cila gjithmonë ka qenë kundër shtetit okupues serb – nga familja e njohur derë e Demë Ahmetit.
Hasani për shkak të varfërisë, nuk vazhdoi shkollimin e mëtejshëm, kurse Rama ka nëntë fëmijë, në mesin e të cilëve shtatë vajza dhe dy djem, të cilët i shkollon edhe sot me vështirësi të mëdha.
Problem në vete është edhe sëmundja e nënës së Hasanit, e cila vuan nga një sëmundje e rëndë. Por në këto kushte edhe për Ramën, sigurimi i ekzistencës së familjes ishte e vështirë. Inspirimin për rrugën atdhetare Hasani e kishte marr nga familja e sidomos nga babai i tij Rama. Ai shpesh në familje e bisedonte edhe mundësin se si një herë e përgjithmonë të shporrin nga këto troje okupatorin serb. Ai nga të vjetrit kishte mësuar për shumë ngjarje që në këto anë kishin ndodhur brez pas brezi në luftërat e zhvilluara kundër serbëve në mbrojtje të trojeve shqiptare. Ndonëse të ndodhur jo shumë larg kufirit dhe të shënjestruar nga okupatori, ata në asnjë mënyrë nuk deshën të largohen nga këtu por donin që ti mbeten besnik vendit dhe të ruajnë këtë pjesë të kufirit e cila shumë herë ishte larë me gjak të patriotëve të kësaj ane.
Me paraqitjen e UÇK – së në skenë, Hasani pa hezitim lajmërohet në njësitin e UÇK – së në Pollatë. Në fillim u aktivizua në Kompaninë e Pollatës, e cila udhëhiqej nga Isuf Latifi. Nga komanda e kësaj kompanie ai u caktua në detyrën e rojës së kufiri. Fillimisht ushtrimet e nevojshme ushtarake i kreu në Pollatë dhe Fierishtë (ish-Sylevicë), njësite këto që vepronin në kuadër të Brigadës 152 “Shaban Shala” të Zonës Operative të Llapit. Përpos detyrës si roje e kufirit prej nga vëzhgonte lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe, Hasani ka marrë pjesë edhe në të gjitha betejat e zhvilluara në këto anë. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në betejat e Grykës së Llapit, si në Pollatë, Tashevc, Repë dhe në kufi në mes të Ahishtës dhe Brecës.
Gjatë luftimeve të zhvilluara dhe në mbrojtje të popullatës së vendosur në fshatrat Ahishtë e Brecë, më 26 maj të vitit 1999, Hasani ra te vendii quajtur “Brinjat e Zhitisë”, ndërmjet Ahishtes e Brecës. Përkrah tij ranë edhe dëshmorët: Ahmet Shabani e Abit Sinani.
Hasani Jashari ka lënë nënën, Miniren, babain, Ramën, vëllezërit: Rexhepin dhe Mirsimin, si dhe shtatë motrat: Fatimen, Selveten, Hajrien, Nexhmien, Elfeten, Sabrien dhe Zahën.
Pas përfundimit të luftës familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)