Hasan Zuko Kamberi, poeti i parë social, realist, në letërsinë shqipe II

Hasan Zuko Kamberi, poeti i parë social, realist, në letërsinë shqipe II

Në historinë e letërsisë shqipe shkruan se poezia sociale fillon të zhvillohet me Çajupin për të kulmuar  me Migjenin, duke lënë anash, autorin e “trahanasë”, Hasan Zuko Kamberin, i cili ka shkruar  dy qind e pesëdhjetë vjet më parë.

“Trahani” i Hasan Zuko Kamberit është shkruar afër 200 vjet para “Legjendës së misrit” të Migjenit, por segmenti social është shumë i përafërt.  Përderisa Migjeni proteston, ngrehë zërin kundër padrejtësisë shoqërore, sepse jetonte në kohën e zgjimit social të popujve, Hasan Zuko Kamberi ishte  një dervish me halle, që rronte  më mënyrën shqiptare orientale, të kuptimit të jetës në kohën dhe hapësirën e tij.

Ai nuk proteston fare, por rrëfen hallet e “fakir fukarenjve” hallet e shumicës shqiptare por jo vetëm të shqiptarëve, por të varfanjakëve kudo dhe kushdo qofshin ata, dhe i rrëfen ato me një realizëm  të thellë të pashoq në kohën e tij.

 Ai i thur ode “trahanit”, një ushqim me të cilin mbahej jeta, një përshesh i përditshëm me kore e troha buke, me ndonjë kokërr orizi ose fasuleje, por kryesisht me barishte, ushqim, sa për ta mbajtur gjallë frymën.

Ky ishte maksimumi që kërkonte fukarai. Ta kishe mjaftueshëm “trahananë” do të thoshte ta kishte të siguruar jetën, minimumin  e saj nën të cilin vdisje urie.

Varfanjaku i kohës së Hasan Zuko Kamberit nuk ka vetëdije as ndërgjegjeje sociale, nuk i beson mundësisë së përmbysjen së pushtetit që të shfrytëzon, por ai jeton i humbur me aq sa ka, në botën e të humburve.

Ai nuk ngrehë krye, sepse me kohë e ka humbur kuptimin për domosdonë e lirisë dhe të barazisë. Këto kategori sociale ai nuk i njeh, sepse ndodhet buzë greminës, sepse nuk e sheh ardhjen  e qytetërimit andej ku “dielli lind nga perëndon”, sikur ishte ndërgjegjësuar Naimi një shekull më vonë, jo pak i ndikuar nga Hasan Zuko Kamberi, apo Migjeni duke e ndjerë shpëtimin nga “dielli alegorik”, por me grushtin pafuqishëm që i drejton malit, që nuk i bëzan.

Qasja ndaj problemeve sociale të Hasan Kamberit është e veçantë dhe e përmasave të larta filozofike e shoqërore. Ai është shqiptari i arsimuar i kohës, i cili e njeh për mrekulli realitetin, por edhe pozitën e tij si njeri dhe të kombit, të cilit i përket. Ai mbi të gjitha është realist dhe ky realizëm i tij, del jashtë konceptit fetar, kuptohet  pa e përjashtuar ato, por duke e lënë anash, deri në atë nivel që të mos denoncohej për herezi.

Trahani i tij, është formula e jetës, është minimumi që duhet të sigurohej nga një familje varfanjake  për të jetuar, pa përmendur të pasurit, sepse ndarjen mes tyre e ka bërë Zoti të cilit i beson, por edhe proteston në mënyrën e tij, jo duke e ngritur zërin apo grushtin, sepse e ngulfasin dhe ia presin dorën, por duke paraqitur realitetin në mënyrën e vet autentike përmes poezisë, përmes kredos së vetë krijuese, intelektuale, me gjuhën lakonike të poezisë, “të bejteve”.

Duke i ngritur ode trahanit, poeti lavdëron mjeshtrin, njeriun që zbuloi trahanin dhe në çdo fund të strofës ai e falënderon atë me “dritë pastë kur e gjeti, kush e shpiku trahanin”

Trahani

More shokë, në këtë alem

Drejtë vete, çupa e djem,

Se punë e tij s’hyn në kalem,

Dritë kush gjeti trahanë!

Aferim ç’bëri dëngozi,

Muar qumësht prej kosi,

Me miell e nakatosi,

Dritë kush gjeti trahanë!

Fort ka qenë i ditur

S’ka qenë ndonjë i mitur,

Dritë kush e ka gjetur,

Dritë kush gjeti trahanë!

Tetë muaj gjithë ç’janë,

Që e ziejnë e hanë,

Fukarasë u mban hajanë

Dritë kush gjeti trahanë!

Shpejt në mëngjes pa ngritur,

Ndonëse plak, ndonëse i mitur

E kërkojnë pa u ngritur,

Dritë kush gjeti trahanë!

Të mjerët  hizmeqarë,

Do të ecin duke qarë,

Cili për dert, cili për farë,

Dritë kush gjeti trahanë!

N’atë shtëpi që s’ka trahan

Gjithë ajo fëmijë po qan,

Po Zotynë bëftë derman,

Dritë kush gjeti trahanë!

Si trahani gjellë nuk gjen,

Kur ta hash barkun ta nxen,

Si vera të jep qejf e të nxen,

Dritë kush gjeti trahanë!

Trahanë kur e ndërtojnë,

Me qumësht e trazojnë,

Me gjalpë e përvëlojnë,

Dritë kush gjeti trahanë!

Trahanë ta shtiesh në tas,

Të kesh edhe bukën has,

Piper’ e zi t’ia bësh takas,

Dritë kush gjeti trahanë!

Trahani, ai që merr vesh,

është për në rixhal peshqesh,

Kur ta ziesh ta bësh përshesh,

Dritë kush gjeti trahanë!

Poezia sociale, satirike, “Paraja” është një krijim artistik i llojit të veçantë dhe jo një bejte e një kalemxhiut, sikur shkruhet  pa përgjegjësi për poezitë sociale të shekullit 18 e 19, nga disa studiues zyrtarë të historisë së letërsisë.

Ata këtë poezi sociale  realiste të kohës e kanë përkufizuar si poezi të gjymtë vetëm për faktin se është shkruar  me alfabet arab dhe ka shumë arabizma. Një poezi e  tillë realiste, satirike,  shumë kuptimplote, duke ironizuar lehtë tërë Perandorinë e kohës, por jo vetëm atë, por tërë shoqëritë e sistemet shfrytëzuese, me aq sa kam unë njohuri, nuk e gjen dot në krijimtarinë e kohës.

Krijime të tilla satirike, të ndërthurura thjesht por me dell të fortë poetik mungonin në shumë popuj të botës, shumë kohë para se “ndërtimtari” i materializmit shkencor, Karl Marksi në veprën e tij kapitale “Kapitali” i bënte anamnezën shoqërisë borgjeze dhe rolit të kishte paraja në të. As që na shkon mendja të besojmë që Marksi ta kishte njohur poezinë e Hasan Zuko Kamberit, edhe pse ai kishte simpati  i dashuri të madhe për shqiptarët.

Poeti, në mënyrën e vet kishte përkufizuar paranë, vlerën, mbivlerën, efektet dhe tërë shoqërinë që për besim zyrtar kishte një zot,  Allahun, por paraja e sfidonte edhe atë vetë.  Dikujt mbase që në fillim do t’ i tingëllojë keq ky barazim, por të shohim si e kuptonte dhe e shprehte “paranë” me mendjen dhe filozofinë  e tij, poeti i madh realist shqiptar, Hasan Zyko Kamberi.

Mbreti qe urdhëron dynjanë

qe ka vënë tarap-hanë,1)

e i presin  paranë,

Ja di kimenë 2) parasë.

Dhe veziri ç’ është veqil 3)

zë sikur te bëhet adil 4)

e mos thotë dot, kul ja kil 5)

ja di kimenë parasë.

Sheh islami5) që jep fetfane6)

Qe di qitapet se ç’ thanë

nuk braktis  dot paranë,

Ja di kimene paras’.

Myftiu e myderizë,

edhe burra e vaizë,

Që kane ujdisur iblisë, 7)

ja di kimene parasë.

Dhe kadiu i meh-qemesë,

qe rri sipër sixhadesë,

edhe shehu i teqesë,

Ja di kimene parasë.

Dhe pashallarë e bejlerë,

edhe avamë e te tjerë,

Per para japin  krerë,  

Ja di kimenë, parasë.

Kadiut ti rrëfesh parate,  

terse vertit sherianë 8)

per para sa se shet të tane,

Ja di kimene parase.

Edhe foshnja që qesh në djep

Zgjat dorën te thotë ”jep”

ta marre ta verë në xhep

ja di kimene parasë.

Edhe gala qe nuk flet,

leshoja një para në dhetë,

e merr e shpie në foletë,

ja di kimenë parasë.

Paraja të bën sulltan,

paraja te kurdis divan,

paraja çdo hall dërmon,

ja di kimenë parasë.

O paraja murdare!

Qe bëre botën avare,

qe gjezdis porsi  zagare,

Ja di kimenë parasë.

Shpjegimi i disa fjalëve:

1)Tarap-hane, vend ku shtypen monedha

2) Kimenë, kimetin,  ia di vlerën.

3) Veqil, trashëgimtar, përfaqësues

4 Adil, i drejtë

5) Kul ja kil,  thuaj më thuaj, ( më the të thashë)

6) Fetfanë  urdhër vendim zyrtar.

7) iblisë , djall, shumës dreqër, djaj.

8) sheriat, e drejta islame

Në këtë poezi antologjike, jo vetëm të letërsisë shqipe por edhe të letërsisë së kohës, Hasan Zuko Kamberi  në mënyrë të drejtpërdrejtë ka stigmatizuar rendin feudal turk të kohës dhe jo vetëm atë. Kritika që ai i drejton shoqërisë së kohës, është shumë e thellë, shumë stigmatizuese e ironizuese, por e thënë lehtas me humor, me bejte, mbase sa për argëtim. Kjo poezi mund të përkthehet e të botohet kudo, në çdo gjuhë të botës duke ruajtur aktualitetin edhe pas 200 e sa viteve kur është shkruar.

Këtë poezi e kemi anashkaluar vetëm sepse është shkruar me alfabet arab.

Nuk është as edhe një varg i kësaj poezi që nuk i ka përballura kohës.

Paraja, në këtë segment të qasjes, është ajo që ka lëvizur dhe lëviz botën. Natyrisht se këtë e kanë thënë edhe shumë dijetarë të tjerë, por ky krijim poetik, artistik i Hasan Zyko Kamberit  është antologjik dhe nuk ka analogji me asnjë poezi tjetër të kësaj natyre të shkruar  në gjuhën shqipe, pavarësisht alfabetit, sepse ai pasqyron anën teknike të shkrimit të shkronjave dhe nuk ka të bëjë fare me përmbajtjen dhe gjuhën mbase pak të rënduar me arabizma, por më pas sesa poet[t tanë modernë e rëndojnë me fjalët anglisht, italisht apo frëngjisht.

Hasan Zuko Kamberi është poeti shqiptar, i cili meriton vendin e nderit në letërsinë shqipe pa paragjykuar alfabetin arab, me të cilin ai ka shkruar në kohën e tij, kur ai alfabet përdorej në gati gjysmën e botës. Naimin e madh kurë nuk e kemi qortuar sepse shkroi, arabisht, persisht por edhe greqisht, sikur bënë pothuajse  të gjithë rilindësit që kishin jetuar e punuar gati 100 vjet pas Hasan Zuko Kamberit. (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …