Kryetari i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë, por vetëm përmirësim historik pa u cenuar integriteti territorial i sotëm i vendit. Ai ka thënë se përfundimisht Kosova do të njihet nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran duke respektuar integritetin territorial aktual. ”Jam ithar dhe entuziast që Presheva Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës pa u cenuar territori ynë, sepse është e drejtë historike dhe ky do të ishte vetëm përmirësim historik”. Ai ka thënë se çështja e dialogut me Serbinë nuk duhet të jetë garë mes spektrit politik por duhet të ketë unitet, duke sqaruar se nuk do të bashkëpunojë me Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, për shkak se ai nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Thaçi po ashtu ka deklaruar se Kurti duhet t’i dorëzojë një raport, kryeministrit të ri Avdullah Hoti se çfarë ka biseduar gjatë këtyre tre muajve me Lajcakun dhe Borrelin.
