Hasim Halilaj, u lind më 2 shkurt të vitit 1973, në një familje me tradita liridashëse, në Gllogjan të Deçanit. Anëtarët e kësaj familjeje shpesh herë u keqtrajtuan nga regjimet serbe. Sidomos duhet veçuar keqtrajtimet e njëpasnjëshme që iu bënë babait të dëshmorit, Misinit, nëpër stacionet famëkëqija policore në Hereq e Gjakovë, gjatë të ashtuquajturit aksion për mbledhjen e armëve në vitet 1955-56, kur në mbarë Kosovë u keqtrajtuan çmendurisht mbi 50 mijë banorë shqiptarë, shumë prej tyre edhe u mbytën në torturë. Trazimi i kësaj familje nga organet e pushtetit jugosllav nuk u ndërpre as në vitet e mëvonshme, si në vitin 1981, por edhe pas vitit 1990. Babai i dëshmorit, Misin Halilaj, edhe pse në pleqëri të thellë e me shkallë të lartë invaliditeti, u keqtrajtua tmerrësisht nga policia serbe, në shtëpinë e tij, më 24 mars 1998.
Prindërit, Misin e Fatime Halilaj, lindën e rritën tetë fëmijë, katër djem e katër vajza. Hasimi ishte i martuar me Hyrije Hajdaraj, nga fshati Shaptej dhe ka lënë pas vetes tri vajza: Kysmeten, Valdeten dhe Valeritën.
Shkollën fillore e kreu në Rrezar (ish-Irzniq), ndërsa shkollimin e mesëm u detyrua ta ndërpresë për shkak të kushteve të këqija ekonomike.
Hasim Halilaj, që kishte marrë pjesë në të gjitha demonstratat e protestat gjithëpopullore të viteve 1988-1990, si simpatizant i UÇK-së, iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 24 mars 1998, në Betejën e njohur në Gllogjan. Prej kësaj date e deri në rënien heroike për atdhe, luftoi e qëndroi me armë në dorë në frontin e luftës.
Hasimi bashkë me shokë të tjerë, si Arben Qerimaj, Arben Ahmetaj (të dy dëshmorë) etj., duke qenë në kontakt të përhershëm me bashkëluftëtarët Shkëlzen, Daut e Bujar Haradinaj, do të bëjë çmos për të ditur për fatin e luftëtarit të lirisë, djaloshit 16-vjeçar, Himë Haradinaj, për fatin e të cilit nuk dihej që nga 24 marsi. Dhe më 29 mars, pas gjetjes së trupit të Himës, Hasim Halilaj mori përgjegjësinë për marrjen e trupit të këtij dëshmori nga vendi i rënies për ta sjellë në fshat, të cilin, luftëtarët e lirisë në krye me Shkëlzen Haradinajn, e varrosën natën vonë, në Gllogjan.
Hasimi, disa herë shoqëroi dhe përcolli grupet e luftetareve të rinj që nga Shqipëria hynin në Kosovë për t’u bashkuar në luftë.
Luftoi në shumë fronte të luftës, si në Shaptej, Gramaçel, Baballoç, Rastavicë, Prejlep, Gerdaja, Carrabreg etj. Hasimi u plagos në luftimet e Shaptejt, më 11 gusht 1998, në ditën e tretë të ofensivës serbe. Pas tri ditësh, pa iu shëruar plagët mirë, iu bashkua sërish luftëtarëve të lirisë, për të luftuar sërish në Betejën e Gllogjanit, më 7 shtator 1998.
Në këtë kohë, Hasim Halilaj me shokë të tjerë caktohet për të dërguar një grup të të plagosurve për në Shqipëri. Por, më 20 shtator 1998, me grupin e parë të luftëtarëve të lirisë që hyjnë në Kosovë, të prirë nga vëllezërit Lleshi të Vraniqit, bashkë me Xhelal Hajdën e Selajdin Mullabazin, Hasimi kthehet në Kosovë dhe u bashkohet luftërarëve që gjendeshin në Shqiponjë të Dushkajës.
Në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” të UÇK-së, Hasimi veproi e luftoi për liri, si në aksionet e rrezikshme në prapavijë të armikut ashtu edhe në betejat frontale. U dallua në betejën e 17 dhjetorit 1998 në Gllogjan. U dallua në betejën nëntë-ditore në janar të vitit 1999, kur plagoset sërish në vijën e frontit në Ratishë.
Hasimi dallohet me trimëri edhe në epopenë e luftës në Pozhar, të zhvilluar për pesë ditë radhazi, që nga 27 marsi deri më 2 prill 1999, ku forcat serbe sërish pësuan humbje të thellë.
Hasim Halilaj, si epror i Batalionit të Policisë Ushtarake të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, mori pjesë edhe në aksionin për transferimin e mbi 42 të plagosurve nga spitali ushtarak i Zhebelit për në rrethinat e Burimit, prej nga kthehen më 15 prill 1999 dhe vendosen mes fshatrave Buçan e Maznikë. Të nesërmen, toga e policisë ushtarake, e përbërë nga Hasim Halilaj, Luan Qerimaj, Ardian Malaj, Florim Mustafaj, Burim Mustafaj etj., urdhërohet të vëzhgojë terrenin në trekëndëshin mes fshatrave Bardhaniq – Maznikë – Zhebel, me qëllim të organizimit të mbrojtjes së mbi 2 mijë civilëve shqiptarë që gjendeshin të strehuar në ato male e veçanërisht në Grykën e Duboçakës. Gjatë kryerjes së kësaj detyre, luftëtarët e lirisë ndeshen me forcat serbe. Në luftë e sipër Hasim Halilaj bie dëshmor. Më vonë, në këtë përballje për të penguar depërtimin e forcave serbe dhe për të mos e lënë trupin e bashkëluftëtarit në duart e armikut, pas disa orë luftimesh, do të bien heroikisht edhe kryetrimi Shkëlzen Haradinaj, Komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit e Fatmir Nimanaj, epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, ndërsa Luan Nimanaj, po ashtu epror i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, vetëm një ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e rënda gjatë rrugëtimit për në Shqipëri.
Hasimit pas rënies në xhep iu gjet fotografia e dy vajzave të tij, Kysmetes e Valdetes, të cilat bashkë me motrën tjetër, Valeritën, e lindur pas rënies së babait dëshmor, sot rriten nën përkujdesjen e nënë Hyries.
Dëshmori Hasim Halilaj u varros më 17 prill 1999, në malet e Maznikut, aty ku vetëm një ditë më parë ishin varrosur Shkëlzeni e Fatmiri. Rivarrimi i tij u bë më 24 gusht 1999, në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.
Në katërvjetorin e rënies, në afërsi të vendit të rënies, në Maznikë, është ngritur Lapidari në përkujtim të dëshmorëve të kësaj beteje.
Familja e dëshmorit Hasim Halilaj është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Zona Operative e Dukagjinit, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj. (F. R.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …