Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një postimi ka thënë se sa herë që Kosova kanoset me koncesione të reja karshi Serbisë, në Kosovë hapen tema të paqena, tema të rreme për tërheqjen e vëmendjes. Ai i’u ka referuar edhe deklartave fyese të Gjergj Dedajt për të cilin ka dhënë më mirë do të ishte të ofronte alternativa progresive për vendin në vend të nxitjes së urejtjes fetare e etnike.
“Gjithmonë kur Kosova kanoset me koncesione të reja karshi Serbisë, në Kosovë hapen tema të paqena, tema të rreme për tërheqjen e vëmendjes nga çështje reale. Javën kur komisioni i caktuar për përpilimin e statutit të Asociacionit të Komunave Serbe dhe zyrtarët serbë dalin me deklarata, që statuti do të bëhet sipas marrëveshjes së Brukselit, pra me kompetenca ekzekutive e jo sipas Kushtetutës, opinioni publik i diskuton deklaratat e një politikani të dështuar. Do të ishte shumë më mirë që ky politikan, që në 20 vitet e kaluara ka qenë ose ministër ose zëvendës ministër në pothuajse të gjitha qeveritë, të na tregonte se si ta çrrënjosim varfërinë ose se si të çrrënjoset papunësia. Në vend se të thirret në çrrënjosjen e grupeve etnike, të na tregojë se si t’i çrrënjosim strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, në vend se të na kërkonte çrrënjosjen e komuniteteve fetare të na tregonte se si ta çrrënjosim korrupsionin e analfabetizmin. Po jo, ky nuk është i interesuar për të mirën e Kosovës, po të ishte i tillë, do ta tregonte me punë për ta ndalur ikjen e rinisë nga Kosova e jo me thirrje për çrrënjosje”, ka shkruar Haskuka.