(Pjesë nga libri “Dëshmi për Tivarin” i autorit, Haxhi Birinxhiku, Prishtinë 2013)
Në përkujtim të Masakrës së Tivarit të 31 marsit të vitit 1945, në 74-vjetorin e asaj mizorie çnjerëzore që kishin ushtruar forcat partizane jugosllave kundër shqiptarëve të pafajshëm dhe të pa armatosur, do të prezantojmë dhjetëra rrëfime autentike të dëshmitarëve të mbijetuar të asaj masakre, të cilat studiuesi dhe veprimtari, Haxhi Birinxhiku, në fillim të viteve ’90-të i ka incizuar në magnetofon dhe më pas i ka botuar në librin e tij: “Dëshmi për Tivarin”
…Në Shkodër kemi ndenjur në do shtëpia, Italia i kishte pas ndërtuar. Meremet s’kishin qenë asnjë, veç mbulojën e kishin pasur e murin. Aty kemi fjetur një natë. Gjatë kësaj rruge të vështirë as bukë s’na kanë dhënë, as ujë të pimë s’na kanë lënë. Ka ndodhur që në gjurmë të kafshëve binte njeriu për të pirë ujë e rojet ia zbraznin alltinë te kryet. Nuk na lenin të pimë ujë. Pse s’na lënin?! Paj qysh na kanë marrë e na kanë grahë!!! Aiii!…(Këtu xha Asllanit i mbesin fjalët në grykë. S’mund të flasë…) Tek në Shkodër na e kanë dhënë do bukë. Natën kemi dalë prej Shkodres, para agut. Kur kemi arritur të kufiri i Shqipërisë, siç i thoshin, me Malin e Zi, te karakollët na kanë ndalur për të pushuar. Lindi dielli, e mori dielli atëherë. Do ujë kishte qenë aty afër. Shkuan njerëzit i lanin duart e sytë. E hëngrën nga pak bukë, kush e kishte. Dikush s’e kishte. “Pokret” (Nisje) thirrën shoqëruesit. Jemi ngritur auuuu, si të ngrihej mali e jemi nisur për në Tivar. Nuk kishte qenë larg Tivari prej andej. Kemi vazhduar këmbë të lodhur, të këputur. Kishte shumë edhe të sëmurë. Dikush kishte mbetur me do shtaga, të tjerë të sëmurë barteshin nga shokët e tyre edhe ashtu të këputur. Istrefin e Shaban Çitakut të Çubrelit të Drenicës në shpinë e kemi çuar prej Prizrenit more, në shpinë! Ka pasur njerëz që ecnin me nalle, zbathur krejt ka pasur! Aso kohe (marsi 1945) maleve nga kalonim ka pasur borë…
Mbërrimë në Tivar…
…Kur erdhëm në Tivar derisa ishim ulur në rrugë u bë një tollovi). Atëherë kanë filluar të na godasin me kondakë pushkësh e me dru duke thirrur çmendurisht “prikluci se” (Ngjishuni). I kanë ndarë njëzet vetë prej rreshti në anë të djathtë dhe i kanë shti në një oborr. Do dyer të mëdha kishin qenë. Një rrethojë (mur) e lartë. Ata i kanë shti brenda asaj kapie. Bile po më duket sot (tani) po i dëgjoj dyert e hekurit kur i kanë mbyllur bram. Vetëm njërin prej atyre 20 vetëve e kam njohur. Ka qenë prej Rakinice (Skenderaj). Halili i Fekës, i lagjes Hajraj ka qenë. Ka qenë i vetëm. Që të njëzetët i kanë futur në të djathë. Këta i kanë ndarë për t’i pushkatuar për rojën e vrarë. Se qysh i kanë mbytur ata veç zotit, kush nuk e di. Ata ma s’i ka parë askush. Ata i kanë mbytur mizorisht. Na kemi mërsyer të ecim ende. Na, siç thash, s’kishim gjë në dorë veç grushteve. Kur kemi shkuar të parët te ajo dera ku donim të hynim, na kanë kallëzuar se aty duhet të hyjmë. Kemi hyrë në atë farë oborri, jemi kapur shkallëve përpjetë për të hyrë në një ndërtesë. Kur jam afruar unë te shkalla Hetemi i Hajzer Kuqanit, një shoq i katundit, më ka shpëtuar. Te ajo shkallë kishte qenë njëfarë bodrumi. Dike-dike, kë ua merrte mendja, e ndalnin dhe e shtinin në atë bodrum. Ata i kanë mbytur çnjerëzisht. Britma e tyre dëgjohej atje lartë. Janë lëshuar me më kapë mua në shkallë për të më dërguar në bodrum, Hetemi më ka shtyrë përpara, atëherë i kanë rënë atij kondak. Ma shpëtoj jetën. Pastaj kemi hyrë në atë ndërtesë e po rrimë kur ka krisur pushka prej të gjitha anëve. Pasha zotin, ore Haxhi, nuk e dalloje që po kërcet pushkë, veç sikur moti kur murmuron gjëmonin mashinka e mitraloza duke na gjuajtur prej të gjitha anëve. Njerëzit ende hynin atje poshtë. Jashtë ende vazhdonte bubullima e armëve që shtinin mbi shokët tanë. Dëgjoheshin britmat, thirrjet dhe gjëmat e të plagosurve. Prej lart atje poshtë në oborr, një oborr jo fort i madh, dukej një pamje e tmerrshme. Ishte mbushur deng me të vrarë e të plagosur. Afër murit të oborrit kishin qenë do plepa. Duke ikur njerëzit për t’u strehuar ndërmjet plepave e murit kishin mbetur të vrarë stivë njëri mbi tjetrin…’’
Asllan Hamit Malaj Çubrel, Drenicë (Qershor, 1994)
.
..Na thanë të dalim nga ndërtesa e Monopolit, por s’kishim nga të ecnim. Ishte mbushur korridori e shkallët me njerëz të vrarë të cilët duke u përpjekur të hyjnë brenda i kishin korrë plumbat. Ushtarët e tyre i tërhoqën mënjanë të vrarët dhe na lëshuan disi rrugën. Kur kemi dalë në oborr, s’kishe ç’të shihje veç të vrarë… Kishte qenë një barakë dërrasash në atë oborr, sikur thasët që i shtinë në magazinë ka qenë e mbushur plotë me të vrarë. Njerëzit duke u përpjekur të iknin nga plumbat kanë hyrë në të dhe kanë mbetur të vrarë. A e pret dërrasa plumbin?! Më duket se po e shoh njërin që kishte mbetur i ulur mbi të vrarë e të plagosur me një kapole mbi kokë, një ushtar i thërriste: “Ako si zhiv dizhise”( Nëse je gjallë ngrihu në këmbë). Ai s’dëgjonte. U afrua ushtari ia hoqi kapelën. Ai s’ kishte pasur kokë fare, ia kishin prerë plumbat…,por meqë lëviznin të plagosurit mbi të cilët qëndronte, dukej sikur lëvizte ai.
Pastaj na kanë çuar te deti. Derisa na kanë çuar atje na kanë bastisur nja dhjetë herë. Aty na kërcënuan se do të na vrisnin të gjithëve. Një shok yni ka kërcyer prej shkëmbit në det për të vrarë vetën. E kanë shpëtuar… E kemi bërë natën në zall përpara të rrethuar nga rojet, në njërën anë muri, kurse prapa kemi pasur detin. Bënte ftohë…
Të nesërmen nga ora 10 të mëngjesit na kanë çuar në vendin ku ishte bërë masakra. Ishin përpjekur ta lajnë sheshin, por nuk lahet muri ku shiheshin qartë gjurmët e gjakut. Tërë natën bartën me kamionë kufoma e të plagosur që nuk mund të ecnin dhe i hidhnin në det apo në ndonjë vend tjetër. Ka qenë një Muhë (Muhamet) Hamza i Pantinës së Vushtrrisë, i ka pasur edhe dy shokë të katundit Avdinë e Behramin, që të dy janë vrarë aty, kishte pas shpëtuar gjallë dhe kishte ikur e ishte fshehur buzë deti, pas një guri, dhe e ka parë detin që është zbardhur me kufoma shqiptarësh. Prej atëherë është prishur (çmendur) dhe kurrë s’është shëruar më…
Pas tetë ditësh që shkuam në Dubrovnik thanë se po vijnë do shqiptarë dhe na kanë çuar të shoqëruar me roje për ta pastruar një magazinë, magazinë baruti. Pasi e kemi pastruar atë depo kemi dalë në një breg mbi të, i kanë prurë ata në kolonë. Kanë qenë 122 veta. Pasi i kanë futur brenda , i ka dalë tymi asaj ndërtese. Për çka a qysh nuk e di. Hynë e i qiten përjashta, asnjë s’kishte shpëtuar gjallë. Që të 122-të vdiqën… Ka qenë diku fillimi i majit 1945…’’
Zeqir Halil Hamza, Klinë e Epër, Drenicë, 24 maj 1994
…Na kanë bërë rresht. Një oficer dha urdhër ” Odvoji, sedam ljudi! (Ndaji shtatë veta!)” I ndanë ata shtatë vetë. Po kujtohesha se a thua do të më ndanin edhe mua dhe se di si jam futur brenda rreshtit. Ndërkohë njëri bërtiste ” O ma vranë vëllain! A ka kund njeri se ma vranë vëllain!” Një shkinë, partizane, veç e ka zgjatur revolen dhe e ka qëlluar në kokë këtë që thërriste berr-berr. Ai ra pa shpirt në tokë s’lëvizi më. Një roje e kishte qitur pushkën në sy, ma kishte drejtuar mua e donte të më qëllonte. Mendja e njeriut ishte shumë e rreptë. E kisha humbur fare. Mua mu kishte tekur a thua qysh i qet xixat gryka e pushkës?! Po ç’më duhej kjo punë mua në atë çast?! Veç kur doli njëri fët para meje. E vranë…Atëherë i kanë ndarë edhe nja njëzetepesë njerëz. I kanë çuar para nesh. Ata i kanë mbytur për gazep. Ne na futën nëpër një derë në oborr të një ndërtese të monopolit të duhanit, i thonin. Për së dy anësh të asaj dere ishin djersur do oficerë ( ata i kishin përvjelë duart deri në bërryl) duke goditur me sa forcë që kishin me shufra hekuri njerëzit tanë që ishin të detyruar të hynin nëpër atë derë të mallkuar. Tek po mendoja se çfarë do të ndodhte me mua e kam parë Jonuz Beranin që po rrezohej fluturim përpara i goditur pas kreje me shufër hekuri. Kam shpejtuar për t’iu shmangur goditjeve, por megjithatë më kanë goditur me shqelm dhe jam rrezuar në hundë e në buzë… Në oborr nën një shkallë kam parë një numër njerëzish të mbytur, të mbuluar në gjak, duhet të kenë qenë ata që i ndanë më parë’’
Tahir Ajet Paliqi, Çubrel, Drenicë (24 maj 1994)
…Aty të shkallët e asaj ndërtese ishte një grup tjetër që kujdeseshin që sa më pak njerëz të hynin brenda dhe këdo që arrinin ta kapnin e shmangnin në bodrum dhe e mbytnin shufra hekuri. Po qe se mbërrije të ngjiteshe shkallëve përpjetë shpëtoje disi e po të zinin më dritën s’e shihje. Prej rrugës e deri te shkallët çka kam parë me sy të mi së bashku edhe me ata 20 vetët janë mbytur të paktën 100 veta. Krejt këto kanë ndodhur derisa grupoi ynë ka hyrë në atë kazermë. Duke hyrë në të vazhdimisht është mbushur ajo farë kazerme plot, janë mbushur shkallët, Është mbushur oborri i asaj kazerme, është mbushur edhe rruga kryesore e qytetit përplot njerëz. Prej ndërtese dukej andej qe nga bjeshkë e Malit të Zi vargu i njerëzve. Shkurt u mbush ndërtesa, korridori, shkallët dhe oborri i saj, u mbush qyteti me shqiptarë plot e përplot. Nuk kemi ditur gjë veç në një çast kur ka plasur gjëma e të gjitha armatimeve që ka mundur t’i ketë një brigadë. As s’mund të dalloje pushkë, as bomba,as mitraloza, as send mbi këtë tokë. 30 minuta vetëm bubullima sikur murmuron moti, thoshe se ka krisur qameti duke na qëlluar përjashta e brenda. Te ne që ishim brenda nuk mund të hynin prej njerëzve, por gjuanin bomba që binin mbi njerëz atje poshtë te shkallët dhe në oborr. Pastaj iu kanë hyrë shkallëve përpjetë me mashinkë dhe çka ka pasur njeri qe është ndodhur në shkallë të gjithë poshtë kanë rënë të vdekur deri më një. ‘’
Zekë Fazlija, Çubrel, Drenicë, (shtator 1991)
…Na kanë thirrur në Skenderaj. Aty kemi ndenjur një javë ditë. Me një lugë hanim të gjithë sipas radhës se s’kishim. Mbas një jave na kanë nisur me tren për në Lipjan. Prej aty kemi shkuar këmbë deri në Tivar. Kemi qenë të veshur hollë e si o mos më zi. As nuk kemi pasur armë, as çka ka dhënë zoti veç trupin tonë dhe atë zhele në të. Tanë kohën na kanë çuar si robër lufte e si kriminelë. Në këmbë flinim duke ecur se shumë rrallë na ndalnin për të pushuar. Po të ndodhte të mbetje sadopak mbrapa të qëllonin kondak pushkë, apo shqelma rojat që silleshin me ne si me kafshë. Vuajtjet tona duke kaluar nëpër malet e Shqipërisë kanë qenë të padurueshme. Në Shkodër një gotë ujë kur ndodheshim brenda telave sa qëndruam aty , e kam blerë një dollar. Bunën e kemi kaluar natën. Aty janë mbytur do veta. U bë tollovi nisën njerëzit të shpërndahen. Më mirë, mendonim, të na vrasin se të na mbysin në ujë.’’
Hetem Hajzer Kuqani, Çubrel, Drenicë (23 maj 1994)