Sot shënohet 75 përvjetori i masakrës së Tivarit ku u vranë mizorisht mijëra shqiptarë të Kosovës

Haxhi Birinxhiku: Dëshmi autentike nga të mbijetuarit e Masakrës së Tivarit II

(Pjesë nga libri “Dëshmi për Tivarin” i  autorit, Haxhi Birinxhiku, Prishtinë 2013)

Në përkujtim të Masakrës së Tivarit të 31 marsit të vitit 1945, në 74-vjetorin e asaj mizorie çnjerëzore që kishin ushtruar forcat partizane jugosllave kundër shqiptarëve të pafajshëm dhe të pa armatosur, do të prezantojmë dhjetëra rrëfime autentike të dëshmitarëve të mbijetuar të asaj masakre, të cilat studiuesi dhe veprimtari, Haxhi Birinxhiku, në fillim të viteve ’90-të i ka incizuar në magnetofon dhe më pas i ka botuar në librin e tij:  “Dëshmi për Tivarin”

***

…Afër Pukës në njëfarë kodre u lodha dhe  s’më mbanin më këmbët.  Iu them shokëve që më bartnin “lërmëni, se u mora në qafë juve, se për vetën time më s’mundem. Qenka  shkrua të vdes mu në këtë vend. Bëmani hallall e ju ecni”. Më lutën  deri në kupë të qiellit që të më merrnin me vete se po që se  të lëmë më nuk do të shohim gjallë, më thanë. Qanin më zë Tafa dhe Rama .   Mbeta i shtrirë. Isha shumë i sëmurë.  M’u afruan përcjellësit dhe më urdhëruan të çohem.  As zëri s’më dilte qysh isha bërë. Vdekja më dukej më e mirë se jeta e tillë.  Roja ma drejtoi  alltinë në lule të ballit dhe prej nja dy metrash largësi  ka shkrepur deng.  Shtypja (hazi) i plumbit që u përplas në një shkëmb mu pranë kokës sime ma ka çuar kryet përpjetë nja gjysmë metri. Më mbuloi gjaku fytyrës nga pirrat e gurëve se plumbi s’më rroku… ‘’

Hasan Hazir Gashi, Kryshefc, Drenicë (03 korrik 1994)

… Kot flas. Çka kam parë unë me sy në  Tivar, te unë është e vërtetë, tek ju është e pabesueshme. Pse? Sepse nuk është si e pamja si e dëgjuara. As duaj, as dorëza drithi në arë, as dru të prera në mal nuk mund të bien mbarë e mbrapshtë njëri mbi tjetrin siç patën rënë njerëzit tanë të vrarë që i kam parë në atë vend. Me mijëra  kryq e troç, pa këmbë, pa dorë, pa krye, të këputur në mjedis. Varramë e piskamë, gjëmë e thirrje. Krejt çka po iu them është e vërtetë. Këtë e kam përjetuar vetë.   Vdekje e madhe. Vdekje e vështirë . Pamje të tmerrshme, të trishtueshme. Askush nuk mund ta besojë as atëherë , as sot e as kurrë për pa e pa me sy këtë kasaphane.

Dy net kemi bujtur në Tivar para kësaj të zeze për krejt Kosovën dhe një natë pas .  Pra natën e tretë na kanë çuar në një ndërtesë pranë detit. Krejt e shkatërruar kishte qenë. As nuk kishim ngrënë , as nuk kishim shti gjë në gojë. Bënte ftohtë. Vazhdimisht ishim të rrethuar me roja me armë të kthyera drejt  nesh . Vdekja na rrinte mbi krye. Ishim bërë hije të gjalla.   Pas orës dy derisa po binte shi na kanë nxjerrë jashtë dhe na thanë se do t’iu qesim në anije. Ishim të sigurt se të gjithëve do të na hedhin në det.  Atë që kishim parë gjatë ditës s’na hiqej sysh. As që guxonim ta bisedonim ndër vete ngjarjen e ditës. Vazhdimisht ishim në shënjestër të armëve të përcjellësve tanë. Veç pritnim kur të na kërcitnin edhe ne.

Na s’kishim as shtaga me vete. Na e kemi ditur se po shkojmë për ta çliruar vendin, a s’e dinim se çfarë e zeze e madhe po  na priste rrugës, në çdo vend e në çdo hap.  Na e besonim se jemi  ushtarë të udhëhequr nga epror tanët dhe se po shkojmë të luftojmë së bashku për vendin tonë. Kujt i ka shkuar mendja se mund të vriteshim nga eprorët tanë që  është dashur të ishin si prindërit tanë.?!…’’

Haki Biçku, Hogosht, Dardanë (04 shtator 1994)

… ‘Kur dola (prej Monopolit) në oborr o zot çka kam parë! S’kam besuar deri në atë çast që i kam parë me sy dhe i kam dëgjuar me vesh të mi, s’kam besuar se njeriu mund të lëshojë britma aq lëmeritëse si ato që lëshonin njerëzit e plagosur. Kam parë njeri të plagosur, rrafsh dy gishta mund të hynin në varrën e tij. Plot oborri, para çezmës, ka qenë i mbushur me të vrarë e të plagosur njëri mbi tjetrin.  Njëri si sot më kujtohet kur thirri me sa zë që kishte “ O shqiptarë, o vëllezër a ka njëri që ma bie do ujë”  I kam marrë tri enë  (që i kishin hedhur tanët në një grumbull) i kam mbushur ujë dhe ua kam dhënë aty tre vetëve.  Njëri prej dy oficerëve që na drejtonin për të dalë jashtë oborrit, malazezi e ka nxjerrë alltinë dhe  e ka drejtuar drejt meje, në ndërkohë oficeri tjetër (dalmatin ka qenë) e nxori alltinë prej brezit dhe ia ka futur në qafë malazezit dhe i tha:”Ti e qëllon atë, unë ty, në paq hesap grahi” . Atëherë oficeri malazez e ka futur alltinë në shokë.  Nuk ka fjalë në botë me të cilat mund të tregohet ajo që kam parë aty…  Atë natë të gjithë të vrarët, por edhe të plagosurit rëndë i kanë ngarkuar si kungujt  nëpër do  karroca si vagoneta dhe i kanë gjuajtur në det…   Prej atyre që janë vrarë më së tepërmi ka pasur të anës së Prizrenit…’’

Ramadan Hamit Selmani, Cërnushë, Mitrovicë (16 korrik 1994)

…Kur dolëm jashtë kapisë rruga jashtë qytetit nga kishim ardhur nëpër qytet ishte e mbushur deng të vrarë, krejt zi nga të vrarët. Tmerr, tmerr. Pra kur dolëm te kapia na dhanë urdhër neve që kishim mbetur gjallë: “të gjithë këta që janë plagosur e janë gjallë veçoni mënjanë, në të majtë, kurse të vdekurit dhe të plagosurit me pak shenja jete ngarkoni në do vagona … me binarë të ngushtë, të cilët siç duket kishin shërbyer për transportin e qymyrit dhe druve. Pra aty na kanë detyruar t’i ngarkojmë të vdekurit dhe të plagosurit shumë rëndë p.sh. ata që kishin mbetur pa gjymtyrë…. Aty pranë na rrinin mbi kokë rojat ushtarake të armatosura. Një Milazim Morina, i Mitrovicës ka qenë e kishte pas marrë mitralozi dhe ia kishte pas këputur këmbët. Nuk na njohu.  E kemi vendosur në të majtë mes të plagosurve.  Kishte njerëz që kishin mbetur pa duar, pa këmbë, të këputur mjedis trupit…. Një njeri, që edhe tani trishtohem kur e kujtoj, kishte mbetur pa krye, bash një metër mu duk se i kishte pasur krahët të gjerë. Qafa iu kishte rrasur brenda në trup. Apo do këmbët i kishte pasur të këputura, pastaj duart. E kemi ngarkuar në       vagon….‘’

Sylë Feriz Hajrizi – Kotorri, Mitrovicë (vjeshtë 1994)

…Dy vetë një rojtar, dy vetë një rojtar i kemi pasur. Kanë qenë të armatosur me automatikë. Serbë kanë qenë. Prej Gjakove  pastaj na kanë çuar për në Prizren. Aty kemi fjetur. Kur jemi zgjuar nadje 19 vetë tanët i kemi gjetur të vrarë. I kishin pas vrarë natën partizanët-çetnikë . Të vrarët i kam parë me sytë e mi. Ata i kishin pas vrarë në tavanin e asaj kazerme ku qemë vendosur…

Përmbi 70 veta na i kanë mbytur udhës. Drurin shkoqur s’na e kanë kurrë. Deri në Shkodër as bukë s’na kanë dhënë. As vetë se di si kemi mbetur gjallë. Më se shumti kemi vuajtur etjeje. Nuk na lenin kurrsesi të pinim ujë. Po të ndaleshe për të pirë ujë atje ku kishte, të kapnin dhe të fusnin ndër udhë dhe kërciste pushka. Më s’të shihte kush.  Nga rojat tona ka pasur edhe femra. Më sy e kam parë njërën kur e pat vrarë njërin sikur kur luan e jo vret?!!.

Pastaj një tjetër dukuri. Gjatë tërë rrugës përcjellësit tanë kujt i shihnin prej tanëve ndonjë rrobë, setër, fanellë,  këpucë, pallto pak si më të re a më të mirë ua merrnin me dhunë edhe i rrihnin pastaj…’’…

Imer Sefer Spahiu  Kastriot – Runikë,  (24 shtator 1994)

…Njerëzit që mbetën jashtë ndërtesës së Monopolit tanimë ishin të gjithë të shtrimë mbarë e mbrapshtë, të vrarë . Ata i kanë gjuajtur nga shumë anë, por shumë kanë gjuajtur edhe prej shtëpive aty pranë rrugës, siç thash më parë aty, nëpër ato shtëpia, kishin hyrë qysh kur hymë në qytet shumë ushtarë, por kanë gjuajtur edhe civilë, sigurisht të prirë nga oficerët e strehuar nëpër shtëpia Jemi dalë jashtë oborrit të Monopolit, në rrugë njëri kishte qenë i varruar në qafë e çonte kokën, bërtiste pastaj prapë i binte tokës me kokë…Kur kemi kthyer kokën djathtas andej rrugës nga kishim ardhur krejt ajo kolonë që disa çaste më parë ishte në këmbë ,të gjithë të rrezuar kishin qenë, të gjithë të vrarë e ndonjë i plagosur. Krejt xhadeja ishte nxirë nga njerëz të rrëzuar e të pa jetë…. Oh çfarë kiameti. Edhe tash kur më kujtohet ligështohem. Çka kanë punua në ne të pashpirtët. A thua do të dalë në dritë kjo kasaphanë ndonjëherë o zot i madh? Neve që mbetëm gjallë , si kufoma që ecin , pastaj na morën e na çuan në zall, rrëzë detit në një vend të ngushtë, dhe para mashinkave e të  tubuar si cigaret në pako mbështetur për njëri tjetrin e kemi bërë atë natë. Eh çfarë nate. Çfarë të ftoftë bënte atë natë veç shpirti që s’më ka dalë. Nuk e harroj atë natë edhe njëmijë vjet me jetue, për më tepër isha edhe i sëmurë e lë më s’e ç’kishim përjetuar një ditë më parë…..’’…

Istref Shaban Çitaku,   Çubrel, (verë 1994)

…Në Prizren… kemi ndenjur dy net. Aty aa thanë të mos largohemi kund se “kemi me shkue me e lirue vendin tonë”. Këmbë kemi shkuar deri në Tivar. Ka pasur njerëz të zbathur, pa qorapë pa opinga… Ka pas njeri që duke ecur e ka zënë gjumi dhe ka rënë prej ure dhe nuk ka guxuar kush as ta shikojë e lë më t’i ndihmojë. Në Shkodër kemi fjetur një natë a dy. Aty kemi blerë ujë me pare. .

Gjashtë ditë e gjashtë net kemi ecur këmbë të shoqëruar me rojtarë. Rojtarët na grahnin si bagëtinë… Unë e kam bartur në shpinë një kushëri timin një natë  gjithë natën, sepse ai u sëmur dhe nuk mund të ecte. Të nesërmen me ndihmuan edhe do shokë dhe e bartëm kushëririn në një trinë deri afër Tivarit….’’

Islam Sherif Selmani, Cërnushë, Mitrovicë (16 korrik 1994) 

…“Prej Shkodrës na shoqëronin roje të Malit të Zi. Më kujtohet një i sëmurë, iu kishte bërë fytyra zi si këto pantoflat të mi. E kemi vënë mbi një trinë që përdorej për tharjen e fikut. E kemi bartur prej Shkodrës deri afër Tivarit, në Dobra Voda, siç i thoshin. S’ia harroj emrin kurrë atij vendi. Aty e kemi lëshuar atë të shkretë mbi atë trinë në tokë derisa na ndalen pak për të pushuar. Fytyra iu kishte bërë si futa. Se di  prej nga ka qenë. Mua më ka rënë ta bart 3-4 herë. Erdhi një malazez, roje e jonë, iu afrua të sëmurit që e lëshuam në tokë dhe tha    “ Nije ovaj bolestan. Shta lezhi ovaj ovde” (Ky nuk është i sëmurë, çka është shtrirë këtu?) dhe e goditi kokës, në tëmth,  me majë të çizmes. “Ooooh!”  gjëmoi ai. Kjo pamje s’me hiqet sysh sa të jem gjallë.  Edhe sot ligëm kur më kujtohet. (Bacës Çerkin sikur iu zu fryma, u zbeh. Faqeve i rrodhën lot. S’mundi të flasë një copë herë).  Me vesh të mi e dëgjova rojën, atë  rojën  qe e shqelmoi të sëmurin, tek thërriste më një zë kërcënues: “Biqe svadbe! Biqe mesa!’’ (Do të kemi dasmë, edhe me mish bile!), derisa  po e ngarkonin këtë fatkeq përmbys mbi gomar.  Kujt ia merrte mendja se ata po përgatiteshin për të na zhdukur të gjithëve. Po përgatitnin kasaphanë për ne…

Uluni, na thanë, kur mbërritëm në Tivarin e ri. U ulëm midis rruge. Në anë të djathtë ka qenë një shtëpi. Aty e kishin pas futur atë të sëmurin.  Me tu ulur na u drejtuan të gjithëve: “Kush ka ndonjë shtagë, brisk, thikë, allti a çkado tjetër dorëzoni! Po i gjetëm dikujt diçka do të pushkatohet menjëherë!” Ndërkohë ka kërcitur një automat  nja dy-tri herë në atë shtëpinë në anë të djathtë. Nuk dinim pse krisi. Ndërkohë ka ardhur një oficere, femër pra, malazeze  dhe iu ka drejtuar një roje që ndodhej në anën e majtë  timen fare pranë meje, i cili e kishte një bredë angleze, dhe me vesh të mi e kam dëgjuar kur i ka thënë: “ Imash li dosta municije za tvoje oruzhje? (A ke mjaft municion për armët tua?) Da. Imam dovoljno (Po. Kam mjaft) “- iu përgjegj roja. “ Pripremi se dobro” (Përgatitu mirë) i tha dhe u largua.    Ishte një rresht i gjatë  i njerëzve tanë  para neve. Ata në krye të rreshtit i  kanë futur në një ndërtesë të madhe, monopol duhanit, e quanin. E kanë mbushur katin e sipërm spicë, pastaj katin e parë, oborrin  e saj sa s’ka zënë më. Neve përjashta  në rrugë na rojet thirrnin “Priblizhi! Priblizhi!” (Ngjishuni! Ngjishuni!). Na kishin afruar, ngjeshur   si fishekët në kuletë. Gjoksi i shokut që ishte parapa meje ishte i ngjitur në shpinën time. Një Xheledinin e Hyrës, ka qenë para meje, i sëmurë  shumë ka qenë. që ndodhej midis Fetah Kllopës dhe Halim Nemozhës, aq e kishin shtrënguar sa bërtiti     “ O a s’po më leni as me deka a!” Ndërkohë kanë dalë prej shtëpisë në të djathtë dhe kanë kaluar pranë nesh dy roje që bartnin me lesë një të vdekur. E njohëm ishte ai i sëmuri që u përmend më lart. Batanija që i kishin hedhur përsipër i kishte rrëshqitur e i dukej fytyra. Krismat e automatikut që i dëgjuam pak më parë nga shtëpia në të djathtë ia kishin prerë jetën. E kishin vrarë ashtu të sëmurë siç ishte! Tani e kishim fare të qartë se çfarë po bëhej me ne. I them Fetah Kllopës, një vendësit tim, se s’po më mbetet tjetër merak  veç të kisha pasur një armë  për të  paguar vetën bile.  Derisa po  shikonim me trishtim tek po largoheshin që andej rojet me të vrarin vjen një krismë bombe a dinamiti nga shkëmbi që ndodhej mbi monopol të duhanit. Shenjë për zjarr ishte.  Na dolën vetëm në anën e djathtë, sepse vetëm në atë anë kishte ndërtesa, ndërsa ana tjetër ishte e zhveshur. Qysh më parë pamë mbi muret e ndërtesave në të djathtë mitraloza, mashinka të ngrehur drejt nesh. Që andej dukeshin tyta pushkësh, automatikësh …’’…

Çerkin Muharrem Salihu – Çollaku, Dërvarë, Vushtrri (19 korrik 1994).

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …