Menjëherë pas ingranimit të strukturave okupuese e pushtetare të Slobodan Milosheviqit në Kosovë, del në pah manifestimi i revoltës të popullatës shqiptare, e cila nuk pranonte dhunën serbe që nguli kthetrat në çdo segment të jetës urbane e rurale të Kosovës: në polici, në shëndetësi, në informim, në arsim, në urbanizëm, në kulturë dhe në zhvillimet e mendimit politik.
Dhuna e shtuar policore e ushtarake serbe në Kosovë prodhoi tubimet protestuese dhe nevojën permanente për krijimin e instrumentit të forcës si formë e vetme që mund t’u kundërvihej pushtetarëve xhandarmerikë, të cilët evoluan në banda kriminele – ndëshkimore, që lëviznin nëpër vendbanimet e Kosovës, duke përhapur frikë, tmerr e trishtim vetëm e vetëm që shqiptarët ta braktisin Kosovën, ose gradualisht të asimilohen në frymën e planprogrameve serbe me implikime prej parashkollarëve deri te specializantët e fushave të ndryshme, që zënë të trumbetojnë sikur Kosova nuk po humbka asnjësend me ndryshimet kushtuese që impononte Serbia nëpërmjet satelitëve shqipfolës. Për t’iu kundërvënë këtyre trumbetave dërdëllisëse, shtohen edhe përpjekjet rreth formimit të instrumentit të forcës.
Si rezultat i përpjekjeve të popullatës së shtypur me dhunë shekullore, doli Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si opozitë e ”Demokracisë deklarative”, që operonte me ”Oratorinë celebrative” prej të premtes në të premte. Këtë kundërvënie e bëri plejada e djelmoshave të Drenicës e të Dukagjinit në luftimet e Marsit të vitit 1998, kur rezistojnë me heroizëm Prekazi i Adem Jasharit dhe Gllogjani i Haradinajve, e rezistenca u shtri në Llapin e Zahir Pajazitit, në Shalën e Mehë Ukës, në Karadakun e Rexhep Malës e të Nuhi Berishës, në Pashtrikun e Remzi Ademajt, në Nerodimen e Ahmet Kaçikut e deri në Kosharen e Agim Ramadanit e në Tropojën e Tahir Sinanit. Me të dëgjuar për krismat dhe këngët për ”kreshtat e Kosovës”, që ”kishin marrë ngjyrë të kuqe” sepse ”krushqit e Dardanit” veç ishin nisur për ta marrë nusen, këtyre krushqve të lirisë u bashkohen edhe djemtë që prej Perëndimi arrijnë ”si zana të malit”, e rrëzë Pashtrikut-Plak në Hasin legjendar, në Bregun e Drinit, arriti Haxhi Halil Hoti i Rogovës, e cila lahej me gjak tash e një shekull. Arriti dhe u radhit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ta skuqur me gjakun rinor ”Qafë-Kunorën” e Pashtrikut, më 8 qershor të vitit 1998, kur e thente Pashtrikun për të tridhjetedytën herë.
Haxhi Hoti, i Halilit dhe i Nafijes, i vëllai i Gëzimit, i Ramadanit, i Jakupit dhe i motrës së vetme, Hatmanes, është i lindur më 2 prill të vitit 1967, në fshatin Rogovë të Hasit, buzë Drinit të Bardhë, bri Urës së Fshajt e rrëzë Pashtrikut Plak, që e ndante Shqipërinë prej Shqipërie. Shkollën fillore, Haxhiu e mbaroi në fshat, të mesmen e fillon në Rogovë, e vazhdon dhe e përfundon në Gjakovë në Shkollën e Mesme Teknike, në degën për saldues, më 1984. Për studime as që mund t’i shkonte mendja pasi që të bijtë e Halil Ramadanit prej Rogove, pas vdekjes së t’ët, u gjendën nën vijën e ekzistencës, mbetën që t’i mbajë e ëma ”me shul e me vek” siç thuhet në popull të Hasit.
Skamja e familjes fshatare hasjane, nga njëra anë, por edhe ndjekjet policore serbe, në anën tjetër, i detyruan të bijtë e Halilit, që me trastë në krah e me ëndrra për të dalë nga skamja, ta marrin rrugën e kurbetit, në moshë shumë të re, para se t’i mbarojnë lojërat e fëmijërisë e vrapimet djaloshare. Edhe Haxhi Hoti, si shumë vëllezër e kushërinj, mërgon nëpër Gjermani e Zvicërr, por sajon edhe kontakte organizative me djelmoshat e fortë, që plagët e kurbetit i patën shijuar para Haxhiut, veçanërisht me Fehmi Lladrofcin, Xhavit Halitin dhe me Astrit e Adem Grabovcin.
Më vitin 1990, Haxhi Hoti është në Klloten të Zvicrës, ndërsa një vit më vonë, sipas dëshirës së nënës, kthehet në vendlindje dhe martohet me një hasjane të një fshati jo larg Rogovës së tij të dashur. Sërish u kthehet valëve të kurbetit dhe më 1994 vë kontakte me redaksinë e “Zëri i Kosovës” që asokohe botonte shkrime në frymën e rezistencës dhe të kushtrimit për sajimin e një fronti unik që do ta merrte përsipër organizimin e rezistencës gjithëpopullore dhe të Fondit ”Vendlindja thërret”, pasi shiheshin qartë dështimet dhe përvetësimet personale të bartësve të ”Fondit të Trepërqindëshit”. Këtë aktivitet Haxhi Hoti e vazhdon deri në dhjetor të vitit 1997, kur edhe braktis Zvicrën dhe kthehet sërish në vendlindje.
E kaluara patriotike e familjes Hoti e motivon Haxhiun që edhe më me vendosmëri të hyjë në ”Vallen e Haresë së Madhe”, prandaj, me mallëngjim shfleton gjenealogjinë familjare duke shpalosur kujtesën e pleqve të fshatit. E mallëngjejnë thellë kujtimet e dëgjuara për Zenunin e për Sokolin, shumë të ndjekur të persekutuar e të ekzekutuar prej pushtetit titist, pushtet ky që i kishte ngulur kthetrat thellë edhe nëpër Has. Nekropolet e shumta, varret e vetmuara prej Rogove e deri në Qafën e Kunorës, legjendat për këto varre e varreza, rrëfimet e hasjanëve e që lidheshin me persekutimet dhe vrasjet, e frymëzuan Haxhi Hotin që edhe më me zemër t’i përkushtohet amanetit të të parëve, se me ”shkaun besë nuk ka”, prandaj edhe nuk ndalet së vepruari për t’i formuar formacionet e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpër Hasin e ndarë e të varfër.
Me këtë frymë, duke menduar për tërë atë që shihte nëpër Pashtrik e buzë Drinit të Bardhë, Haxhi Hoti lidhet me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Menjëherë pas rezistencës në Prekazin legjendar të Adem Jasharit e të Tahir Mehës, në javën e parë të marsit të vitit 1998, gjendet në Likoc. Në këtë çerdhe të rezistencës kombëtare takohet me Rexhep Selimin dhe themelojnë iniciativën me imperativin që ”Çdo fshat i Hasit ta ketë nga një bazë me logjistikë dhe Operativë” dhe kështu të sajohen dhjetëshet e para të Hasit e tërë veprimtarinë me këtë organizim ta koordinojë Haxhi Hoti, i cili duhet të veprojë me pseudonimin ”Lleshi”, të cilin e zgjodhi sipas një fshati matanë Pashtrikut, me të cilin Hotët e Rogovës kishin lidhje më të hershme e veçanërisht familja e Halil Ramadanit. Kështu u themelua formacioni i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për arealen kufitare të Hasit.
Sipas ideve dhe koncepteve të dakorduara, Hasi si rajon do ta kishte një qendër rajonale, formë e shtabit operativ për rrëzën e Pashtrikut, por në asnjë mënyrë të mos pranohej lufta e imponuar, sepse nëpër Has duhej të kalonte korridori më i rëndësishëm logjistik i cili do t’i furnizojë zonat e zjarrta ku shtrihej Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në fillin Rogova do të funksiononte e lidhur me Demjanin dhe me të gjitha fshatrat e Anadrinit, prandaj Haxhi Hoti lidhet me veprimtarët e Drenocit dhe të Drinasit, sipas itinerarit të provuar disa herë. Kështu, më 7 mars 1998 ndërsa planifikohej për t’u kremtuar Dita e Mësuesit, në Demjan, në shtëpinë e Brahim Qarrit, bëhet betimi dhe fillon punën bërthama e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në korridorin logjistik të Hasit, me koordinator Haxhi Hotin-Komandant Lleshin dhe kjo bërthamë shumë shpejt do të evoluojë në Batalionin ”Njëmijë” të njohur si ”Njimijëshi” të Brigadës 126 të Zonës Operative të Pashtrikut. Për një veprimtari të këtillë, hasjanët tashmë ishin të konsoliduar dhe shumë të gatshëm, ndërsa Haxhi Hoti gëzonte respektin e madh të të gjithëve.
Menjëherë pas këtij sajimi, komandant Lleshi kthehet në Drenicë, sërish gjendet në Likoc dhe zhvillon takime të rëndësishme të karakterit operativ, veçanërisht me Jasharët, ndërsa më 12 mars të vitit 1998 thyen Pashtrikun për t’i prirë e për ta shoqëruar luftëtarin Gani Krasniqi, së bashku me Vllaznim Kryeziun e Bubavecit dhe Osman Zyberajn-”Bacën e Vogël” të Drenocit të Anadrinit. Ky besim dhe kjo detyrë, i dhanë flatra Haxhi Hotit dhe kështu kuptoi se para tij gjenden detyrat shumë të rëndësishme e me përgjegjësi të madhe. Me marrjen e kësaj detyre, Haxhi Hoti hapëron konkretisht drejt shtigjeve për bartjen e zjarrit të lirisë dhe drejt realizimit të ëndërrës për t’u bërë bartës i zjarrit për t’u prometheizuar në Malet e Pashtrikut. Kishte dëshirë të flakët që prej kurbeti t’i kthehet i vëllai Ramadani, të cilin e konsideronte shumë më të rryer në veprimtari ilegale e së andejmi edhe më me përvojë për kalimin konspirativ nëpër fshatrat e Hasit.
Më 15 mars 1998, Haxhi Hoti, nëpërmjet Muhadrit, Pnishit, Gërçinës, Blinishtit e kah Dobruna, zbret në Krumë dhe arrin në Tiranë për t’u takuar me eminencën organizative dhe furnizuese, ose për strukturimin e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndalet në Krumë, në Vlahnë e në Cahan, për ta vizituar dhe nderuar Varrin e Luan Haradinajt të rënë një vit më parë, në afërsi të Qafës së Mullarëve, jo larg vendit ku do të mbetet më 8 qershor të vitit 1998 edhe vet Haxhi Hoti. Në fshatrat e Krumës takohet edhe me patriotin e madh, dëshmorin e kombit, Qenë Abdyl Qena, i cili koordinonte funksionimin e korridorit të logjistikës matanë Pashtrikut, ndërsa ditën e parë të pranverës e pret në familjen e Bajram Hajdin Muhadrit në Vlahnë dhe merr rrugën për në Likoc.
Atyre ditëve, Haxhi Hotit i lehtësohen punët, sepse Shtabi Operativ për rajonin e Hasit, ishte i konstituuar, ndërsa pikat për grumbullimin e armatimit ishin konsoliduar, madje edhe një pjesë e familjes së tij dhe e familjeve të bashkëluftëtarëve të Haxhiut, njoftohen se Haxhi Hoti gjendet në krye të detyrave shumë të rëndësishme për Rogovën, për Hasin dhe për Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se përreth ka plejadën e tërë të djemve të Hasit.
Vendosja e formacionit luftarak në fshatin Drenoc të Anadrinit, më 20 prill 1998, thyerja e pritës më 24 prill dhe zënia e pozicioneve në aksin rrugor prej Drenocit në drejtim të Rahavecit dhe Drinasit, si dhe shumë aktivitete të tjera, ndikuan në ngjalljen e dinamikës dhe në përshpejtimin e furnizimit, prandaj gjatë muajit maj, Haxhi Hoti shpeshton shtegtimet dhe thyerjet e kufirit nëpër Qafë-Mullar e përreth saj. Veçanërisht e tronditën thellë rëniet heroike të bashkëluftëtarëve Milaim Krasniqi e Elmi Morina në Betejën e Bardhatinit të Anadrinit, të Mehedin Morinës në Betejën e Gardhishtit te Ura e Fshajt, e Naser Krasniqit në Drinas, e Përparim Thaçit, Sakip Bellaqës e Fehim Gashit ndërmjet Fortesës dhe Xërxës e veçanërisht rënia e Dinë Kolecit në Majën e Kunorës më 2 qershor, mirëpo edhe këto ngjarje nuk e thyejnë Haxhi Hotin. Pas rënies së Dinë Kolecit, kufitarët serbë, gardhojnë edhe më shpesh vijën kufitare, prandaj më 8 qershor 1998 merr përjetësinë edhe Haxhi Hoti dhe ”Njëmijëshi” i Rogovës mbetet pa komandant Lleshin.
Kjo rënie dobësoi korridorin logjistik të Hasit dhe zbehu furnizimin me armatim, që u reflektua më shumë në Shtabin Operativ Rajonal të Drenocit e veçanërisht në Batalionin e Rahavecit. Në radhë të parë, këtë humbje e përjetuan rëndë komandanti i batalionit të Rahavecit Xhelal Hajda-Toni, së bashku me Selajdin Mullabazin-Micin, sepse zhvillimi i mëtejmë i këtij batalioni, që ishte në fazën nismëtare, varej prej korridorit logjistik të Hasit: Kushnin – Romajë – Rogovë – Krushë e Madhe – Celinë – Fortesë – Burim i Poshtëm – Burim i Epërm – Kërsh i Keq, ku ishte i kazermuar Batalioni i Rahavecit.
Varrimi i Haxhi Hotit u bë në fshatin e tij të lindjes, në një lëndinë jo larg dritareve të odës së Halil Ramadanit, ku kishte lëshuar shtat Haxhi Hoti, emrin e të cilit sot e mban shkolla ku ishte shkolluar në fëmijëri. Në oborrin e kësaj shkolle, në një nekropolë me shumë megalite të lashtësisë, gjendet edhe Haxhi Hoti, i shkrirë në bronz nga dora e skulptorit Brahim Reçi të Durrësit. Shumë vogëlushë të shkollës fillore i thurin vargje, ndërsa shkrimtari Nexhat Çoçaj e përjetësoi në librin ”Bartësit e lirisë”, në të cilin letrarizoi biografinë e dëshmorit të kombit Haxhi Hoti. Për Haxhiun janë kënduar dhe dëgjohen edhe shumë këngë e rapsodi, ndërsa portretin e këtij dëshmori, me këngë e skaliti edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, me aranzhmanin e prof. Shaqir Hotit, prandaj edhe Haxhi Hoti mbetet në faqet më të ndritshme të historisë së luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe sot, gjatë ”Javës së Dëshmorëve të Hasit” organizohet marshimi ”Shtigjeve të Haxhi Hotit”, kur rogovasit dhe shumë hasjanë, të organizuar në mënyrë madhështore nisen prej kompleksit memorial të fshatit, nëpër Romajë e Kushnin deri në ”Majën e Pashtrikut”, ku gjatë tërë ditës përkujtojnë Haxhi Hotin, pranë lapidarit në ”Qafën e Mullarëve”. Në krye të karvanit të hasjanëve, tash e sa vjet ecin nënë e bijë, nënë Nafia me Monën, motër e vetme e Haxhi Hotit, e cila u rrëfen nipave të Haxhiut për trimërinë e dajës luftëtar e dëshmor të kombit, e Luani me Haxhiun mbeten legjenda për Majën e Pashtrikut; për ,,Qafën e Luanit” dhe ,,Shtegun e Haxhiut”. (S. C.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …