Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kanë përkrahur dhe në të kanë marrë pjesë aktive edhe shumë oficerë dhe ushtarë nga Shqipëria. Në mesin e tyre kanë rënë dëshmorë edhe disa eprorë dhe ushtarë nga pothuajse të gjitha viset e Shqipërisë prej Tropojës, Shkodrës, Beratit, Kavajës, Çermenikës e Tiranës. Në mesin e tyre, ka rënë dëshmor Tahit Sinani eprori dhe komandanti i tri luftërave tona çlirimtare. Ka rënë në altarin e Atdheut edhe eprori dhe pjesëmarrësi në të tri luftërat tona çlirimtare, Skerdilajd Llagami, nga Tirana, eprori Indrit Cara nga Kavaja, Astrit Suli, nga Berati, Halit Coka, Arjan Brahimi, Hazir Malaj, Pajtim Raci, Lefter Koxhaj, Arif Shpend Dautaj, Qazim Hazir Dautaj, Fatmir Ndoçi, Mehmet Ramë Dizdari, Hysni Hajdarmetaj, Tahir Memiaj, Ramiz Memiaj, Tahir Hoxha, Hysen Mella e shumë të tjerë. Në luftën e UÇK-së kanë marrë pjesë edhe eprorët e mirënjohur nga Shqipëria si Dilaver Goxhai, zëvendës-shefi Shtabit të Përgjithshëm, Adem Shehu, komandant i Brigadës 152 në Zonën Operative të Llapit, Bardhyl Tahiri, epror në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së e të tjerë. Kontributi që ka dhënë Shqipëria si dhe Divizioni i Kukësit ka qenë një kontribut i çmuar në luftë për çlirimin e Kosovës nga kthetrat e barbarisë okupatore serbe.
Hazir Avdyl Malaj rrjedh prej një familje, e cila ka derdhur gjak për çlirimin e trojeve të Atdheut. Babai i tij, Avdyli është dëshmor i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Hazir Malaj u lind në fshatin Tpla të Tropojës në vitin 1944. Mësimet fillore dhe të mesme i mbaroi në Tropojë, ndërsa studimet e larta i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Institutin Shtetëror të Tiranës. Ka punuar në shëndetësi dhe është dalluar edhe në aktivitete sportive. Veç tjerash ishte edhe alpinist i dalluar në zonën e veriut të
Shqipërisë.
I edukuar në frymë patriotike, Hazir Malaj qysh herët e kishte kuptuar se më shumë se gjysma e trojeve të atdheut kishte mbetur nën pushtim të Jugosllavisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kishte respekt dhe dashuri të veçantë për vëllezërit nga Kosova me të cilët edhe kontaktonte shpeshherë.
Haziri edhe pse mjek me profesion interesohet për të ndihmuar grupet e shqiptarëve nga Kosova që po stërviteshin në Shqipëri dhe po dërgonin armatim në Kosovë.
Ai fillimisht, qysh në vitin 1996 kishte kontaktuar Adrian Krasniqin, njërin ndër komandosët e paepur të luftës së UÇK -së, tani dëshmor, të cilin e kishte ndihmuar për të siguruar armë, municion dhe pajisje ushtarake.
Shtëpia e Hazir Malës në Tpla të Tropojës ishte kthyer në depo të armatimit për luftëtarët e UÇK-së. Pas rënis së Adrian Krasniqit, mjeku dhe atdhetari Hazir Malaj kontakton me Ilir Konushevcin, njërin ndër themeltarët e Logjistikës së UÇK- së. Së bashku me Ilirin po projektonin zgjerimin e bazave të Logjistikës, me qëllim që sa më shumë armë të futeshin në Kosovë, meqë pas rënies heroike të Legjendarit Adem Jashari, mijëra vullnetarë nga Kosova po mësynin Shqipërinë me qëllim për të marrë armë dhe municion dhe për të luftuar fyt për fyt barbarinë okupatore serbe.
Më 9 maj të vitit 1998, së bashku me Ilir Konushevcin ndodhej në fshatin Miliskë të rrethit të Pukës, kur sulmohen në befasi nga dora e fshehtë gjakare. Atë ditë bien në altarin e atdheut, në krye të detyrës, Hazir Malaj dhe Ilir Konushevci.
Hazir Malaj është shpallur dëshmor me vendimin nr. 48 të datës 17 maj të vitit 2005 nga Komisioni Qendror me statusin, “Dëshmor i Atdheut”. (A. Q)