Hermann Neubacher: Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona

Hermann Neubacher: Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona

Ish-shefi i nazistëve në Shqipëri,  Hermann Nojbaher, në kujtimet e tij lidhur me pushtimin  e Shqipërisë në vitin 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste,  tregon për  urdhrin e  Hitlerit nëpërmjet Ribentrpoit për Shqipërinë. Forcat nacionaliste, që gjatë kohës së okupimit italian kishin dalë në mal, sikur trajtohej “Balli Kombëtar” sipas rregullit armiku numër 1 nuk do të përbënte rrezik për ne. Për ta kundërshtarë numër 1 si në Jugosllavi ashtu dhe Greqi ishin komunistët… Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona. Ndërsa në Jug ata ose patën përballje ose u shmangeshin luftimeve me forcat partizane. Vetëm Abaz Kupi si mëkëmbës i Ahmet Zogut me përkrahësit e tij, që sipas të dhënave numëroheshin në mijëra vetë, vepronte në krahinat midis Tiranës dhe Shkodrës. Bile tek ai ishin instaluar oficerë ndërlidhës anglezë. Ne i lamë ata të qetë, po ashtu dhe ata ne. Rol të madh në përkrahje të forcave tona kishte Xhafer Deva dhe Ibrahim Biçaku, ka saktësuar veç tjerash në kujtimet e tij oficeri i larë nazist, Hermann Nojbaher. 

Dëshmia autentike tronditëse e ish-shefit të nazistëve në Shqipëri. Urdhri i Hitlerit nëpërmjet Ribentrpoit për Shqipërinë. Forcat nacionaliste, që gjatë kohës së okupimit italian kishin dalë në mal (“Balli Kombëtar”) sipas rregullit të armikut Nr.1 nuk do të përbënte rrezik për ne. Për ta kundërshtarë Nr. 1 si në Jugosllavi ashtu dhe Greqi ishin komunistët…

Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona. Ndërsa në Jug ata ose patën përballje ose u shmangeshin luftimeve me forcat partizane. Vetëm Abaz Kupi si mëkëmbës i Ahmet Zogut me përkrahësit e tij, që sipas të dhënave numëroheshin në mijëra vetë, vepronte në krahinat midis Tiranës dhe Shkodrës. Bile tek ai ishin instaluar oficerë ndërlidhës anglezë. Ne i lamë ata të qetë, po ashtu dhe ata ne.

Roli i Xhafrr Devës dhe Ibrahim Biçakut në mbështetje të pushtuesve gjermanë

Kur në fund të gushtit të vitit 1943 në Kuartierin e Führerit mora detyrën e të “Dërguarit të Posaçëm për Europën Juglindore” mbi Shqipërinë pak bëhej fjalë.

Atje njihej akoma ligjërisht Perandori Vittorio Emanuele dhe vendi qeverisej nga Mëkëmbësi i tij (Luogotenente). Gjermania mbante atje një Konsullatë të Përgjithshme e cila kryesohej nga z.Schliep.

Kur gjenerali Eisenhoëer shpalli armëpushimin me Italinë më 8 shtator, Shqipëria për shkak të pozitës së saj gjeografike pranë ngushticës së Otrantos, në anën tjetër të së cilës ndodheshin forcat armike, vëmendja mbi Shqipërinë mori rëndësi të veçantë, aq sa m`u desh që qysh në tetor, të më dorëzohej detyra me seli në Beograd nga paraardhësi im diplomati Brenzler.

Për këtë arsye, e trajtova Shqipërinë në kundërshtim nga udhëzimet e marra më me përparësi se Malin e Zi dhe Serbinë.

Misioni “Albanien” mu transmetua ne mënyrë lakonike, shkurt dhe koshiencë me një stil të pazakontë. Ministri Ribbentrop më telefonoi në Beograd dhe më njoftoi që Führeri shpreh dëshirën e tij “për një Shqipëri të pavarur që të burojë nga iniciativa e vetë shqiptarëve”. Me marrjen e detyrës më duhej që qysh nesër, më 11 shtator, të gjendesha pranë divizionit gjerman në Elbasan. Një avion i posaçëm do të dërgonte tek unë një këshilltar që njihte mirë gjuhën dhe zakonet e vendit dhe së bashku me të do të udhëtonim në drejtim të Shqipërisë. Pas mbërritjes atje do të na duhej që bashkë me divizionin tonë të marshonim drejt Tiranës për të përmbushur siç duhej misionin e marrë nga Berlini.

Para tre javësh në Kuartierin e Përgjithshëm munda të krijoja një pamje mbi gjendjen politike në Shqipëri, por gjithsesi ishte tepër sipërfaqësore, ku deri në atë kohë kisha krijuar një njohje vetëm me dy politikanë shqiptarë të cilët fill pas kapitullimit të Italisë kërkuan kontakte me mua në Beograd. Këta ishin: Xhafer Deva me origjine nga ish-krahinat serbe të Kosovës dhe akoma aktiv në politikë dhe Vehbi Frashërin, birin e Kryetarit te ardhshëm të Këshillit të Lartë të Regjencës i cili gjatë kësaj kohe ndodhej i internuar në një hotel të Romës së bashku me të bijën e tij, Medihanë.

Në mbrëmje vonë konstatova që Elbasani nuk kishte fare një fushë për ulje avionësh. Dhe ideja që direkt pas mbërritjes më duhej të marshoja drejt Tiranës së bashku me divizionin tonë që gjendej atje, më shtyu që të ndryshoja planet dhe të nisesha të nesërmen, më 11 shtator herët në mëngjes, qoftë edhe pa miratimin e Kuartierit të Përgjithshëm.

Tirana gjendej akoma në duart e trupave italiane.

Një kompani parashutistësh u ngrit para meje për të desantuar mbi Durrës, kur armiku prej andej gjendej jo dhe aq larg, pikërisht në krahun tjetër të Adriatikut. Pak para mbërritjes time me avionin tip “Heinkel 111”, në fushën e aviacionit të Tiranës aty ishin ulur dhe tre aeroplanë të tjerë të tipit “Ju 52” gjithsej me 60 vetë në bord, pjesë e divizionit Brandenburg (njësi zbulimi) si pararojë e makinerisë gjermane të luftës. Për Xhafer Devën vura në dispozicion një avion tip „Storch“ për t`a sjellë direkt nga Kosovska Mitrovica në Tiranë. Ora e tij tashmë kishte ardhur.

Pas një fluturimi të bukur mbi ato vargmale të egra dhe madhështore, u shfaq Tirana me minaret e saj shtrirë bukur mbi pllajën e gjelbërt në këmbë të Dajtit që vezullonte deri në lartesitë tona. Duke mos patur dijeni për situaten atje, urdhërova që aeroplani të vazhdonte lëvizjen deri para godinës kryesore të fushës së aviacionit nga e cila vërshuan drejt nesh një turmë ushtarësh dhe oficerësh italianë. Këta ushtarë të mjerë, ish-aleatë tanë, të braktisur për mungesë mjetesh transporti detar kishin rënë në një gjendje depresioni total. Zbrita nga bordi i avionit.

Para atij publiku të axhituar, me atë uniformën e zezë të diplomatit dukesha si një shëmbëlltyre e pakuptueshme për qeniet e tyre.

Fijet e arta mbi kapë, kopsat po ashtu me shkëlqim ari, si dhe vija e mprehtë e pantallonave të hekurosura mirë tregonin se kishin të bënin me një oficer të sferave të larta të një arme akoma të panjohur për ta. Pas një pyetjeje nga ana ime, më drejtuan drejt një kapanoni të vogël në të majtë të bordurave të fushës, aty ku ndodhej një grup nga personeli gjerman tokësor i shërbimit. Vazhduam drejt tyre. Ca djelmosha plot gjallëri dhe humor me pantallona të shkurtra më rrethuan duke u gëzuar pa masë për vizitën time atje. Konsulli i Përgjithshëm Schliep kishte dalë në pritje me automobilin e tij për të udhëtuar më tej në drejtim të konsullatës.

Çfarë skenash!

Nëpër rruge dhe sheshe nxitonin në grupe me mijëra ushtarë të armatosur italianë. Ata ishin akoma aty, në atë vend, tashmë armiqësor për ta, pas një lufte të humbur. Të bënin rezistencë ndaj aleatit të tyre të mëparshëm do të ishte një gjë e pashpresë. Nga çasti në çast pritej marshimi i trupave gjermane. Rezistence? Çarmatosje? Marrje rob?

Dhe vendlindja ishte aq afër, por dhe aq e paarritshme!

Të vinte me të vërtetë keq për ato trupa të lënë në mëshire të fatit duke parë se si rrodhën ngjarjet. Automobilit tone i hapej vend instinktivisht. Uniforma me kapën e larë pothuaj në ar nderohej gjithandej ushtarakisht. Udhëtuam me shpejtësi të ulët midis rrëmujës deri në Konsullatën e Përgjithshme gjermane.

Bisedova me z. Schliep dhe z. Scheiger specialist për gjuhen dhe zakonet shqiptare, të cilin ma kishte rekomanduar Kuartieri i Përgjithshëm, mbi situatën në vend.

Scheiger ish-oficer shtabi gjatë kohës së Perandorisë austro-hungareze kishte jetuar në Shqipëri rreth 20 vjet pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe ishte një leksikon i tërë për çdo detaj të shoqërisë shqiptare, si për çështjet e jetës familjare, klanore dhe fisnore. Gjendja ishte jo dhe aq e koklavitur. Shqipëria e Jugut ishte pjesërisht në duart e partizanëve komunistë kundër të cilëve italianët kishin patur pak sukses në përballjet kundër tyre. Kjo ishte dhe arsyeja që në këto situata kthesash të mëdha bëmë instalimin e një divizioni gjerman në Elbasan. Partizanët do të jenë padyshim kundërshtarët tanë guerrilas të së nesërmes.

Forcat nacionaliste, që gjatë kohës së okupimit italian kishim dalë në mal (“Balli Kombëtar“) sipas rregullit të armikut Nr.1 nuk do të përbënte rrezik për ne. Për ta kundërshtarë Nr. 1 si në Jugosllavi ashtu dhe Greqi ishin komunistët. Shqiptarët e dinin mire që ndërhyrja jonë në Shqipëri ishte si imponim i rrethanave të kohës për të evituar ndonjë sulm të forcave aleate prapa krahëve i cili ishte një kërcënim evident që na vinte nga ana tjetër Kanalit të Otrantos. Nuk kujtoj asnjë akt armiqësor nga popullsia vendase ndaj Ëehrmacht-it. Kjo vinte si pasojë dhe nga emri i mirë i Gjermanisë që mbizotëronte në Shqipëri megjithëse kjo kishte pësuar një krisje në kohën kur Gjermania kishte aprovuar nën zë okupimin italian të Shqipërisë më 7 prill 1939. Tani kishte ardhur rasti që ky emër i mire të vendosej përsëri në vend nëpërmjet ç`armatosjes së trupave italiane nga ana e trupave tona për t`i sjellë një rast të mirë që rrallë mund t`i binte përsëri në dorë, atë të shumimit të arsenalit të armëve në kullat e tyre.

Metodat paqësore që kishte ndjekur Perandoria Austro-Hungareze gjatë okupimit kishin lënë në popullsinë vendase gjurmët e veta, ato patën ndikim të drejtpërdrejte që ndërhyrja gjermane në Shqipëri të mos shihej në mënyrë negative.

Vetë prezenca e një trupe të disiplinuar dhe elitare që kundrejt popullsisë vendase dha sinjale miqësie pati influencë pozitive në atë popull malësor dhe armëmbajtes krenar.

Çetat e “Ballit Kombëtar” nuk hodhën asnjë pushkë kundër trupave tona. Ndërsa në Jug ata ose patën përballje ose u shmangeshin luftimeve me forcat partizane. Vetëm Abaz Kupi si mëkëmbës i Ahmet Zogut me përkrahësit e tij, që sipas të dhënave numëroheshin në mijëra vetë, vepronte në krahinat midis Tiranës dhe Shkodrës. Bile tek ai ishin instaluar oficerë ndërlidhës anglezë. Ne i lamë ata të qetë, po ashtu dhe ata ne. Abaz Kupi kishte një reputacion të mirë në popull, aq sa nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare në tetor të vitit 1943 u dërgua drejt tij një mesazh përshëndetës, kjo nuk n`a shkaktoi ndonjë dhimbje koke, sepse nuk ishte ndonjë demonstrim kundër nesh, përkundrazi ai kishte brenda mesazhin e mirënjohjes së Asamblesë Kombëtare ndaj luftës që kishte bërë ai kundër forcave italiane si okupatorë të vendit.

Pata një lloj zbavitjeje nga ky skicim i shkurtër i gjendjes politike, para ngjarjeve që do të zhvilloheshin në ditët në vijim, për t`iu kthyer kështu punëve për zbatimin e detyrës që më ishte ngarkuar:

Kuartieri i Përgjithshëm priste formimin e një “Shqipëri të Pavarur e krijuar me iniciativën e saj”.

Kjo rrinte pezull në ajër dhe ajri ishte tepër i rënduar. Nga ora në orë vinin lajme nga gjithfarë lloj informatorësh të zellshëm, të cilët informonin se vendi ishte para një zbarkimi të mundshëm aleat, lajme të cilat nuk i merrja parasysh duke përjashtuar kështu çdo mundësi zbarkimi. Shqiptarët kanë një eksperiencë të hershme me gjendjet okupuese, thuaj qysh nga koha e romakëve. Të fortëve u kërkohet armë dhe flori, të humburve në tërheqje u grabiten të dyja. Kjo është në traditën e këtij populli malësor të vogël dhe luftarak që nuk ka dashur të shkelet me këmbë nga zaptuesit e mëdhenj. Kështu ata kanë mbijetuar me mijëra vjet në malet e tyre.

Tani ata gjenden para një dileme të madhe, se kush do të qëndrojë në këtë vend.

Italia kapitulloi për të rënë pre e shqiptarëve të ethshëm në ç`armatosjen e tyre në tërë territorin e vendit.

Eh, çfarë bekimi të bukur morën ata me ato armë që po transportoheshin furishëm në oborret e kullave të tyre!

A do të mund të qëndrojnë gjermanët, kur në anën tjetër të Adriatikut fuqitë aleate po i shtyjnë drejt Veriut?

Do të proklamojë Wehrmacht-i gjerman Shqipërinë e Madhe në bazë të sinjaleve që ka dhënë deri tani?

Apo të presim zbarkimin aleat për të parë se kush do të dalë i fituar përballë një dyluftimi midis tyre?

Dy burra ishin ata që u përpoqën, fillimisht të ndarë nga njeri-tjetri, për të sjellë në jetë një Komitet Kombëtar që do të shpallte Shqipërinë e pavarur dhe më vonë të merrnin mbi vete krijimin e një qeverie provizore: Shqiptari nga Shqipëria londineze Ibrahim bej Biçaku nga Elbasani dhe kosovari Xhafer Deva nga Kosovska Mitrovica. Debatohej ditë dhe natë. Në respekt të kushtit të patjetërsueshëm për “Shqipëri të pavarur si iniciative e vetë shqiptarëve” duhej të evitoja çdo ndikim personal në ato negociata të nxehta për të pritur dhe për të pritur rezultatet. Jo vetëm kaq, por në mbrëmjen e 12 shtatorit u largova për në Beograd për të mos qenë aspak me prezencën time faktor influencues. Më 13 shtator duke qenë në korrent mbi ecurinë e gjërave, përkatësisht mbi krijimin e Komitetit Kombëtar, u ktheva përsëri në Tiranë.

Miqve të mi shqiptarë ua kisha bërë të qartë, që për interesat më të larta të vendit, të Ëehrmacht-it dhe diplomacisë, bëhej imediate ngritja e një qeverie të aftë në ushtrimin e funksioneve të saj, në raste të tjera, ndërhyrjet gjermane në ekonomi dhe administratë do të bëheshin të pashmangshme.

Po, nëse fati i kombit do të binte në duart e njerëzve të papërgjegjshëm do të bëhej e domosdoshme dhe kjo jo me dëshirën tonë, vendosja e vendit nën një regjimi okupimi.

Më 14 shtator u bë bashkimi i dy grupeve për të krijuar një komitet të përbashkët, në krye të të cilit u vu Ibrahim bej Biçaku. Ishin mbi 20 anëtarë, emra që gëzonin reputacion në popull. Grupimet politike nuk luanin rol në vend. Këtyre të zgjedhurve u bëra një pritje në Konsullatën e Përgjithshme gjermane.

Prof. Zallari, i cili zotëronte mjaft mire gjuhen gjermane, shpalli me një stil plot temperament dhe pedantizëm formimin e Komitetit Kombëtar dhe proklamoi solemnisht “Pavarësinë e Shqipërisë”.

Pas proklamatës së pavarësisë Komiteti Kombëtar priste njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë së Madhe së bashkuar nga qeveria e Reich-ut të III.

Anëtarëve të Komitetit u premtova me plot ndërgjegje se do t`iu përmbushja plotësisht dëshirën e cila njëkohësisht përbënte dhe përmbushjen e misionit tim të deleguar nga qeveria e Gjermanisë së Madhe.

Ky akt i improvizuar aty për aty ishte tepër solemn. Zonja Schliep me mikpritjen e saj i çliroi të ftuarit nga emocionet që kishin përfshirë të gjithë pa përjashtim prej këtij akti historik me një koktej me pije freskuese që u prit plot hare nga ai sfilitur komitet shtetformues.

Po atë ditë i ktheva vizitën Komitetit Kombëtar të sapokrijuar i cili ishte mbledhur në godinën e kryeministrit dhe po atë ditë mora udhëtimin për në Beograd. Pas një qëndrimi të shkurtër atje u nisa drejt Berlinit pikërisht në Kuartierin e Përgjithshëm për të bërë një raport më të detajuar mbi detyrat e ngarkuara.

Hitleri i cili kishte një admirim të madh për atë cep romantik të Europës u tregua me zhvillimin e ngjarjeve tepër i kënaqur.

U ktheva përsëri në Shqipëri. Komiteti Kombëtar mori atributet e një qeverie provizore nën drejtimin e Ibrahim bej Biçakut. Xhafer Deva mori detyrën e ministrit të punëve te brendshme. Çdo gjë që më parë ishte nën administrimin e italianëve ishin rrënuar: Administrata, gjykatat, policia, xhandarmëria, forcat e armatosura, të gjitha organet që përbëjnë hallkat e një shteti ishin inekzistente. Ato çfarë ekzistonin ishin strukturat tradicionale familjaro- klanore si dhe fiset me rrënjët e tyre të thella në vetëgjyqësi. Ushtria gjermane impononte në këto rrethana idenë e vendosjes së rendit pavarësisht se ishin mysafirë në atë vend.

Ata ishin vetëm mysafirë. Kur Komanda e Lartë e Wehrmacht-it emëroi në Shqipëri një Komandant Suprem bëra një protestë të ashpër në Ministrinë e Jashtme duke theksuar se kjo ishte një ngatërresë që duhet korrigjuar duke vënë në dukje se Shqipëria është tashmë, sipas dëshirës sonë, një vend sovran dhe i pavarur, në të cilën nuk mund t`u jepen kompetenca sipas metodave gjermane administratës dhe gjykatave. Gabimi u korrigjua shpejt dhe nga “Komandaturë Supreme“ emërtesa u kthye në “Gjeneraliteti gjerman për Shqipërinë“ me detyrë mbrojtjen e interesave të Wehrmacht-it pranë qeverisë shqiptare. Raportet midis gjeneralitetit dhe qeverisë shqiptare, trupave dhe popullatës qëndroi deri në fund në lartësinë e duhur.

I pari preokupim që i doli qeverise provizore ishte thirrja e Asamblesë së vjetër Kushtetuese me synim ngritjen e një qeverie në bazë të Kushtetutës zogiste. Kjo Asamble u mblodh në tetor në Pallatin Mbretëror.

Njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga ana e Gjermanisë ia bëra të njohur Qeverisë Provizore shqiptare, së cilës i bashkëngjita një shkresë me nënvizimin tim në nderin që më takonte që këtë akt zyrtar t`ia bëja të njohur vetë Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Ibrahim bej Biçakut.

Zonjusha Lützen e cila parandjeu se kishte të bënte me një akt historik pruri për këtë dokument një letër pergamenti, që gjithsesi akoma të linte shijen se ky akt mbi këtë letër nuk tregonte solemnitetin e nevojshëm. Një vulë dylli me një fill plot shkëlqim stamposur mbi të do t`i nevojitej së tepërmi këtij akti! Unë nuk disponoja vulë të këtij lloji, por një rrugëdalje e gjeta gjithsesi:

Dokumentit në fjalë iu shtua një legjendë, e cila udhëzonte që një kopje e dokumentit të aktit të Njohjes arshivohet në Konsullatën e Përgjithshme gjermane. Kësaj legjende iu dhanë kredencialet e nevojshme sepse mbi të u vendos dhe një vulë dylli me konture të gjëra të Konsullatës gjermane.

Tani ai dokument kishte një pamje që të ngjallte respekt, kjo dhe për shkak se në Orient u jepej më tepër rëndësi paraqitjeve zyrtare në të tilla raste, se sa në Oksident. Dhe kjo ishte më se e nevojshme.

Një kompani nderi e improvizuar në çast e cila përbëhej nga dhjete burra me paraqitje tejet luftarake – paraqitje e pëlqyeshme nga kjo racë – me bëri pritjen e nderit. Me një hap të rregullt ngjita shkallët për t`u drejtuar drejt sallës ku ishte mbledhur Komiteti Kombëtar. Në këto raste nuk ecet, por parakalohet. Pati fjalime nga te dyja palët. Për shkak të mungesës së një rendi protokollar sovraniteti i shtetit shqiptar u pagëzua me pak verë.

Ishte një ceremoni tepër mbresëlënëse.

 Marrë nga kujtimet të Herrmann Neubacher me titull ne origjinal : “Sonder-Auftrag Südost” nga faqja 105-111.

Përgatiti nga gjermanishtja: Adrian Stefi  (Dita)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …