Hetem Alush Hasaj (14.3.1964 - 28.2.1999)

Hetem Alush Hasaj (14.3.1964 – 28.2.1999)

Njëri ndër trimat që iu përgjigjen thirrjeve të atdheut për luftë kundër pushtuesit ishte edhe trimi Hetem Hasaj. Ai lindi më 14 mars 1964 në fshatin Gabrricë të komunës së Kaçanikut nga një familje punëtore, por me tradita atdhedashurie. Nënë Nafia e babë Alushi rritën edhe tre djem (Ruzhdiun, Bejtushin e Hetemin) e tri vajza (Sahiden, Fazlien e Miradinë) . Katër vjet të shkollës fillore Hetemi i kreu në fshatin Elezaj, ndërsa katër vjet të tjerë i kreu në Doganaj. Shkollën e mesme e vazhdoi në Kaçanik (vetëm dy vjet), por për shkak të rrethanave që u krijuan nën okupimin serb ai u detyrua të ndërpriste shkollimin. Viti 1981 ishte vit kur anembanë Kosovës shpërthyen demonstratat e studentëve e të rinisë së shkollave të mesme kundër shtypjes së egër që i bëhej popullit shqiptar të kësaj pjese të atdheut nga pushtuesit serbosllavë. Në demonstratat që u zhvilluan në vitin 1981 në Kaçanik, Hetemi kishte qenë në ballë të demonstruesve. Shpirti i tij revolucionar i kishte tërbuar policët serbosllavë, të cilët e kapin dhe e maltretojnë rëndë. Për t’iu ikur përndjekjeve e raprezaljeve të policëve serbë, Hetemi, në mars të vitit 1982, merr rrugën e mërgimit dhe shkon në Friburg të Zvicrës. Atje bie në kontakt me veprimtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës me të cilët bashkëvepron dhe kordinon punën për një lëvizje aktive në Kosovë, merr pjesë aktive në demonstratat që zhvilloheshin atëbotë në mërgatën tonë në Perëndim. Pasi qëndron nja 3-4 vjet atje, kthehet në Kosovë, për të vazhduar edhe më me ngulm aktivitetin patriotik. Këtë aktivitet ia ndërprejnë në vjeshtë të vitit 1986, kur detyrohet të kryejë shërbimin ushtarak jugosllav në Kumanovë dhe në Shkup. Sipas rrëfimit të të afërmve, gjatë shërbimit ushtarak Hetemi vazhdimisht ka qenë i përcjellur dhe i fyer nga eprorët ushtarakë. Pasi kryen shërbimin ushtarak, ai prapë detyrohet të marrë rrugën e hidhur të kurbetit, por pa e ndalur asnjëherë aktivitetin e tij patriotik.

Pesha e robërisë kishte pllakosur rëndë shqiptarët e Kosovës. Fryma pesimiste për t’u çliruar nga çizmja sllave sa vinte e shtohej. Duhej të lindte një frymë tjetër- ajo e rezistencës aktive, për t’i thënë shkelësit se këto troje kanë zot, ato nuk durojnë dot robërinë. Kjo frymë militante së pari lindi në Drenicë, për t’u pëhapur me shpejtësi rrufeje edhe në viset e tjera të Kosovës hallemadhe e të shumëvuajtur.

Kjo frymë liridashëse e përshkoi edhe shpirtin kryengritës të trimit të Gabrricës, Hetemit sypatrembur. Ai la luksin e Perëndimit dhe më 1997 u kthye atje ku e prisnin shokët. Në UÇK u inkuadrua më 5 gusht 1998, me grupin e parë të luftëtarëve të lirisë të cilit i printe komandanti Agim Bajrami – ZEFI, si dhe Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca, Bashkim Vishi, Kjani Bela, Hajrush Kurtaj, Ejup Runjeva, Metush Zenuni etj. Më 18 gusht të këtij viti, Hetemi vendoset në Pikën 2, në Malet e Jezercit, së bashku me Gursel Sylejmanin dhe Sejdi Sejdiun dhe aty bën betimin si ushtar i UÇK-së. Duke parë aftësitë dhe trimëritë që kishte treguar në sa e sa ofensiva kundër armikut, Hetemi caktohet ushtar i njësitit të Kaçanikut e më vonë komandant I Togës II të Kompanisë I në brigadën 162 “Agim Bajrami”. Portretin e këtij luftëtari të lirisë, nënkolonel Hajrush Kurtaj, bashkëluftëtarë i tij, e përshkruan: “Ishte ushtar i disiplinuar, i përgatitur në çdo rast. Vigjilent dhe strateg i mirë i luftës, ai gjithnjë sulej i pari si luan mbi forcat barbare çetnike. Hije i kishte granata në dorë, por edhe më bukur i rrinte kur me të shkatërronte armiqtë dhe teknikën e tyre. Pas fitoreve kthehej së bashku me shokë dhe bisedonte për sukseset e tij të arritura. Armikut i fuste panik dhe frikë, ishte i shpejtë si rrufeja, në luftë ishte i pari kundër armikut, s’e ndalte as stuhia më e madhe”.

Ishte një dimër i acartë, por Hetemi me luftëtarët e lirisë, me shokët më të ngushtë të luftës, Nazmi Osmani, Naser Hasaj, Musa Zenuni e të tjerë, çante borën dhe vigjilonte në fshatrat Gabrricë, Nikaj, Biçec, Kovaçec e Gajre, duke mos lejuar këmbë armiku t’i prekte këto fshatra. Hetemi me togën e tij kishte marrë pjesë në shumë ofensiva që ishin zhvilluar në këtë anë, në Betejën e njohur të Jezercit më 28 shtator, si dhe në shumë aksione guerile, duke treguar heroizëm të rrallë dhe duke dalë përherë fitimtar mbi forcat armike.

Më 28 shkurt 1999, pas luftimeve në Pustenik, forcat serbe, policë, ushtarë e paramilitarë, ndërmarrin një ofensivë të egër, duke ia mësyrë fshatit Gajre. Hetemi, si komandant toge, i cili ishte vigjilent dhe vëzhgonte çdo lëvizje të armikut, vëren këto forca dhe pa u hamendur së bashku me shokët e tij, Nazmi Osmani, Naser Hasaj e Musa Zenuni, Bekim Vishi, Ekrem Ahmetaj, Hajredin Hasaj e Muharrem Baftiu ua zënë pritën në një afërsi prej nja 20 metrash. Armikun e godasin në befasi dhe me atë rast vritet kryekomandanti I policisë dhe 11 paramilitarë e ushtarë. Derisa shtinte mbi armikun dhe iu jepte kurajo shokëve që të mos jepeshin, një plumb vdekjeprurës e qëllon trimin e Gabrricës dhe të tërë Kosovës.

Ai ra në fushën e betejës, në Gajre të Kaçanikut, më 28 shkurt 1999, ashtu siç dinë të bien vetëm ata burra që e bëjnë “vdekjen si me le”. Pushoi së rrahuri ky atdhetar i shkathtë, ky trim shtatlartë e i shëndetshëm.

Pas rënies trupi i Hetemit është varrosur afër varrit të komandant Agim Bajramit dhe bashkëluftetarëve Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca në varrezat e Gabrricës, më 5.3.1999, ndërsa rivarrimi i tij është bërë më 9 gusht 1999 në Varrezat e Dëshmorëve në Kaçanik, me nderime ushtarake. Për të përjetësuar veprën e tij të madhërishme, në vendin e rënies i është ngritur përmendorja.

Për jetën dhe veprën e tij luftarake është shkruar në librin “Shungullon Gryka e Kaçanikut” të autorit Hajrush Kurtaj.

Dëshmori Hetem Hasaj ka lënë pas bashkëshorten Selvie dhe tri vajza e dy djem: Nafijen, Arbërinë e Donijetën dhe Elbasanin e Dardanin. Ata përherë do të jenë krenarë për veprën madhështore të prindit të tyre.

Pas rënies, ka marrë një varg medaljesh e mirënjohjesh, si nga: Qeveria e Përkohshme e Kosovës – Ministria e Mbrojtjes, nga brigada 162 “Agim Bajrami”, nga Zona Operative e Neredimes, nga SHFD të UÇK-së, nga manifestimi kulturor “Flaka e Janarit” 2000 etj.

Po ashtu, në fshatin Gajre i është ngritur përmendore, e cila i ka dhënë hijeshi këtij fshati dhe e cila do t’iu tregojë brezave të ardhshëm për gjakun e derdhur për këtë tokë arbërore. (Sh. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …