Sot është ditëlindja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës dhe heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti

Heu Zahir, po shumë po të duan, madje edhe ata që veprën nuk ta nderuan dhe porosinë nuk ta dëgjuan…

Sot, në shënim të 22-vjetorit të rënies heroike të Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës e Hakif Zejnullahut, krerët politikë e institucionalë të vendit, bashkëluftëtarë e qytetarë liridashës nga të gjitha anët e Kosovës, po e përkujtojnë Zahirin e historisë së UÇK-së, Zahir Pajazitin, i cili në vitet 90- të shekullit të kaluar ishte bërë emër, që sfidonte robërinë, ishte bërë enigmë për pushtuesin e egër e barbar,  i cili e gjurmonte për ditë, po ashtu ai ishte bërë edhe  “ekuacion” me disa të panjohura, për politikën qyqare pacifiste.

E kam njohur Zahirin, andaj edhe i jap vetes të drejtë të shkruaj edhe sot, edhe pse kam shkruar sa e sa herë deri tani.

Por sot, për dallim nga herët e tjera, po vërej se sa shumë nga këta të gjallët e vdekshëm po i përkulemi  jetës dhe veprës  së  Zahirit të pavdekshëm, por nuk po e përfillim amanetin e tij, nuk po ecim rrugës që ka trasuar ai dhe bashkëluftëtarët e tij. Sot më kujtohen edhe vargjet kuptimplote të Bahri Fazliut, … ndiçni rrugën e dëshmorit, nëse doni vërtetë ta nderoni!

Sot, Ademi, Zahiri, Bahriu dhe garda e pafund e dëshmorëve nderohen e respektohen me të drejtë, sepse meritojnë edhe më shumë, edhe pse iu kemi ngritur, shtatore, përmendore, edhe pse rrahim gjoks se edhe ne ishim ata që luftuan krahas tyre, por ja që fati apo “fatkeqësia”  deshi, që ata të bien e ne të mbetemi gjallë.

Pajtohemi me faktin se në asnjë luftë nuk bien të gjithë luftëtarët, madje shkojmë edhe më larg duke arsyetuar se neve na ka shpëtuar fati apo rastësia, sepse edhe ne kemi lënë gjymtyrë, kemi luftuar në borë e në shi, kemi qenë atje ku na kanë caktuar ta kryejmë punën tonë.

Ka të vërteta në këto konstatime, por ajo që më ka munduar dhe më mundon më së tepërmi është kur shoh të përkulet para shtatores së dëshmorit, ai që dikur e në një kohë, Zahirin me shokë i kishte quajtur “dorë e zgjatur e Serbisë”, ne të tjerëve ”njerëz të dyshimtë dhe të manipuluar”, ndërsa me fillimin e luftës frontale në Drenicë në mars të vitit 1998, i bënin thirrje Ibrahim Rugovës që ta pacifikonte Drenicën dhe të mos lejonte të ndodhte sikur kishte ndodhur me Shaban Palluzhën.

Sot edhe të tillët i shoh të përkulen para dëshmorëve dhe për një çast më vjen mirë, sepse vetëm ndërgjegjja e tyre, ( nëse kanë tharm të tillë) e di sesi rrudhet e tkurret ajo, në një rast të tillë. Shumë nga ata janë ministra e zëvendës-ministra, deputetë e zyrtarë të lartë, me të cilët nuk mund ta ndërrosh asnjë fjalë të vetme. Vetëm fjalët e fjalimet e tyre i shpërndajmë nëpër medie, fjalimit që ua kanë përgatitur këshilltarët përgjithësisht, përveç ndonjë rasti të veçantë.

Sot, Zahiri, Edmondi, Hakifi dhe Garda e të Pavdekshmëve, na bën unikë në dukje, na bën t’ i tregojmë Serbisë se jemi të bashkuar, se i nderojmë dhe i respektojmë më të dashurit tanë, që ajo i quan “terroristë”. Realisht, ky unitet, ky bashkim ndodh vetëm kur i përkujtojmë më të dashurit e më të respektuarit dhe sapo të largohemi, pasi të kemi bërë homazhe dhe të kemi folur fjalët më të përkushtuara e më të latuara, sërish nisemi nga aty ku e kemi lënë, secili në klanin e në bastionin e tij, secili duke u treguar më i mençur, më i moderuar  dhe më largpamës se tjetri.

Dhe, cila është sot porosia e Zahirit, porosia e gjakut të derdhur për liri?

Këtë e dimë secili dhe secili e komentojmë në mënyrën tonë.

– Dikush na thotë se porosia e Zahirit ishte që t’ i bindemi pa kusht  aleatit tonë, që na ka ndihmuar të çlirohemi, se kurrë nuk do të ishim çliruar edhe po të kishin rënë 100 mijë Zahirë!.

– Dikush tjetër thotë se porosia e Zahirit, ishte të mos i bindemi askujt, kur shohim se po na shkelin gjakun, pavarësisht kush është ai, sepse tekefundit nderi i secilit është në vend të vet…

– Dikush tjetër thotë, se po të ishte gjallë, Zahir Pajaziti, do ta kishin dërguar në “Speciale”, para Remit.

– Një tjetër, me gojën hapareshur thotë ka kaluar koha e Zahirit, tani jemi në liri, tani duhet të bashkëjetojmë dhe ta varrosim  të shkuarën, për hir të së ardhmes, integrimit në Evropë…

Secili sot flet në emër të Zahirit, edhe pse duke qëndruar gatitu para shtatores, por pa e  parë me mendje e me zemër, dhe pa e kuptuar si duhet e sa duhet qëndrimin e tij, gjoksin hapur, kallashin në dorë, revolen në brez, shikimin vigjilent, vështrimin në përjetësi,  besimin  e patundur në fitore… Edhe kështu si e ka projektuar dhe realizuar artisti, shtatorja e Zahirit, flet sikur ka vepruar pa folur, Zahiri  me trimat e tij, 22 vjet më parë.

Dallimi është se ne flasim, por presim të tjerët të veprojnë, ndërsa Zahiri kishte vepruar pa pyetur, as pa e çarë fare kokën  se si do të flasin të tjerët për të, sepse ai ishte nisur në rrugën e historisë me kallash në dorë dhe me besimin e thellë në fitore, në fitoren që ne nuk ditëm dhe nuk po dimë ta ruajmë, sepse Zahirin e vizitojmë, për të na parë të tjerët dhe jo për t’u ballafaquar me vështrimin e tij, me sytë që na i ka ngulur drejt dhe përjetësisht.

Heu, Zahir, heu…

Po vështirë e kam ta përballoj shikimin tënd, sot kur disa hapareshen me gjoksin hapur, para Shtatores Tuaj, në Qendër të Prishtinës.

Ahmet Qeriqi

31.1.2019

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, kërkon që të gjithë të korruptuarit pa dallim të futen në burg

Deputetja e LDK, Hykmete Bajrami, ka publikuar një video ku shfaqet votimi i deputetëve të …