Hilë Lushaku: Pandeli Cale, (1879- 1923) korçari që dha gjithçka për Shqipërinë

Hilë Lushaku: Pandeli Cale, (1879- 1923) korçari që dha gjithçka për Shqipërinë

Atdhetati i mirënjohur, nënshkruesi i Aktit të Pavarëçsisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, Pandeli Calu u lind në Korçë më 28 mars 1879, ku kreu arsimin fillestar dhe më pas ndoqi mësimet në liceun klasik francez të Aleksandrisë, në Egjipt. Në Egjipt u lidh me atdhetarët e kolonisë shqiptare dhe u përfshi në veprimtarinë patriotike. Mbasi përfundoi studimet u kthye në vendlindje. Pandeli Cale pati korrespondencë me Jani Vruhon, Kristo Luarasin dhe Naim Frashërin. Më 1897 rezulton të ketë qenë në Korçë. Në vitet 1900-1904, Pandeli Cale u përfshi dhe ishte me aktivitet atdhetar në koloninë e Bukureshtit. Më 1904, kthehet në Shqipëri duke u angazhuar me probleme atdhetarie, përkrah patriotëve të shumtë korçarë.

Pandeli Cale, së bashku me Themistokli Gërmenjin dhe Mit’hat Frashërin krijuan bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Me nismën e tij, në saje të punës së madhe atdhetare që bënin patriotët shqiptarë, më 1 tetor 1908 u krijua shoqëria “Banda e Lirisë”, kryetar i së cilës u caktua Pandeli Cale. Kjo shoqëri pati bandën e saj muzikore, ku bënin pjesë shumë të rinj të pasionuar, që u binin veglave muzikore dhe merrnin mësime nga dirigjenti italian Paskal Aniba.

Miku i tij, Themistokli Gërmenji, atë kohë banonte në hotelin pronë e tij, në Manastir, shkoi në Bukuresht, ku u takua me miqtë e tij, Thoma Avramin e Pandeliun, të cilëve u kërkoi mendimin që të kthehet në Manastir për të krijuar çeta të armatosura, ashtu siç parashikonte edhe programi i “Shoqërisë Dora e Zezë”. Pas kësaj shoqërie, Themistokli Gërmenji, Dervish Hima e të tjerë i hynë punës për riorganizimin e “Shoqërisë Dora e Zezë” e cila u quajt tani “Shoqëri e Zezë për Shpëtim”. Në kryesinë e saj, mesa dihet, u vunë Themistokli Gërmenji, Pandeli Cale, Nikolla Ivanaj, etj . Këtë kontribut të Pandeliut, tre vjet pas vdekjes së tij, e ka evidentuar gazeta “Koha” e vitit 1926, e cila shkroi: “I ndjeri Pandeli rreth vitit 1908 ishte një nga agjitatorët më të përmendur të shqiptarizmës. Bashkuar me një tufë patriotësh merr pjesë në Komitetin “Për Lirinë e Shqipërisë” që e kish emrin “Shoqëria e Zezë”, duke bërë propagandë si brenda në Shqipëri ashtu edhe jashtë, në Rumani, për të përhapurit e këtij Komitetit, i cili kish për qëllim kryesor të lëkundte zgjedhën otomane dhe të kërkonte veturdhënimin e Shqipnisë”.

Pas një viti patrioti Pandeli Cale, i përfshirë në Komitetin e Fshehtë “Shoqëria e Zezë për Shpëtim”, në shkurt të vitit 1909, mori pjesë në krijimin e shoqërisë “Lidhje ortodoksish ndë Korçë”, madje ka qenë i zgjedhur sekretar i shoqërisë. Pandeli Cale njihet si autor i hartimit të programit të kësaj shoqërie.

Më 14 shkurt 1910 ka qenë ndër organizatorët e manifestimit të madh që u zhvillua në kodrat e qytetit në mbrojtje të alfabetit latin për shkrimin e gjuhës shqipe. Mitingu hyri në histori me emrin “mitingu i shkronjave” dhe u përkrah nga rreth 15 mijë qytetarë korçarë.

Më 1910 iu vështirësua qëndrimi në Korçë, ndaj shkoi në Korfuz, ku ka bashkëpunuar me patriotët Nikolla (Kolë) Rodhe dhe Mehmet Konica, për çështjen kombëtare shqiptare. Nga Korfuzi ka kaluar në Çamëri, ku u bashkua me çetat atdhetare e prej andej përsëri në vendlindje ku mori pjesë në betejën e Gurit të Cjapit. Pandeli Cale, në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910-1912, ka qenë në krye të çetave të luftëtarëve korçare, në rolin e prijësit popullor, përkrah Themistokli Gërmenjit, Llambi Bimblit, Mihal e Spiro Bellkamenit, Menduh Zavalanit, e Sali Butkës, etj.

Pandeli Cale mori pjesë edhe në kryengritjen e Malësisë së Madhe. Kur shpërtheu kryengritja e Malësisë së Madhe, edhe në Itali, patriotë të shumtë ishin ndër nxitësit e saj. Në janar 1911, atje, u formua komiteti “Pro Albania”, rreth të cilit u grumbulluan elementë përparimtarë të lidhur me çështjen kombëtare. Në maj 1911, disa patriotë të grumbulluar në Korfuz, ku bënin pjesë Themistokli Gërmenji, Nikollë Ivanaj, Pandeli Cale, Stefan Kondillari, Spiro Bellkameni, etj. krijuan një degë të komitetit shqiptar të Barit, me synim të rriteshin përpjekjet për organizimin e kryengritjes edhe në Jugun e Vendit, në mbështetje të kryengritjes së Shqipërisë së Veriut. Ndonëse kryengritja nuk mundi të plotësojë qëllimet e saj, u arrit vendosja e lidhjeve Veri-Jug dhe me kolonitë shqiptare për çështjen shqiptare. Kur luftohej për të zbatuar programin e memorandumit të Gërçës, atdhetari Pandeli Cale ka qenë në Cetinë, përkrah Ismail Qemalit e Salih Hoxhës me shokë.

Në mars 1912 ndihmoi në organizimin e çetave patriotike në Qelqëzë të Frashërit me Tajar Tetovën dhe Themistokli Gërmenjin në krahinat e Korçës. Në korrik 1912, Pandeli Cale ndihmoi në organizimin e çetave me luftëtarë në Mallakastër, Vlorë dhe Berat. Po kështu rezulton të ketë qenë nënshkrues i memorandumit të Sinjës, ku kërkohej autonomia e Shqipërisë. Më 23 korrik 1912, krerët e komiteteve kryengritëse të Jugut u mblodhën në Sinjë, në jug të malit të Shpiragut për të hartuar një program autonomist, me 12 pika, i ngjashëm me “Librin e Kuq (memorandumi i Greçës), i vitit 1911 . Në Sinjë, Pandeli Cale mori pjesë përkrah 49 përfaqësuesve të çetave patriotike, të cilët me mbarimin e mbledhjes zbritën në Fier dhe me telegraf njoftuan qytetet e Shqipërisë për vendimet që u morën në Sinjë.

Më 12 gusht 1912 mori pjesë në “Mbledhja e Fierit”, ku ishin të pranishëm Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Omer Pashë Vrioni, Aziz Vrioni, Izet bej Zavalani, kolonel Ismail Haki Tatzati, Qazim Kokoshi e Bektash Cakrani.

Në pragun e shpalljes së pavarësisë, Pandeli Cale ka qenë në vendlindje, i vlerësuar dhe i mirëpritur nga bashkëqytetarët e tij.

Në fillim të nëntorit 1912 ka qenë ndërmjet organizatorëve të takimit të Bukureshtit dhe mori pjesë në mbledhjen që zhvilloi Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin aty, më 5 nëntor 1912, dhe vullnetarisht, si vetëdashës, iu bashkua grupit që e shoqëroi Ismail Qemalin për në Shqipëri, deri në Vlorë .

Më 28 nëntor 1912, Salih Xhuka kërkoi që të quhen delegat të Korçës së rrethuar: Pandeli Cale, Athanas Floqi, Spiro Ilua, gjë e cila u pranua. Pandeli Cale ka firmosur manifestin e pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”, duke qenë delegat vullnetar i kolonisë së Bukureshtit dhe i Korçës njëkohësisht.

Në mbledhjen për krijimin e “Ministrisë”, Ismail Qemali foli për konditat që duhet të plotësojë një ministër që “të kënaqet dhe Evropa, dhe Stambolli”, e duke u shprehur në vijim se “ministrat duhet të jenë emra të njohur brenda e jashtë Shqipërisë”, propozoi Mehmet Pashë Tetovën (Dëralla-H.L.), Myfit Bej Gjirokastrën (Libohova), Aziz Pashën (Vrioni-H.L.), Vehbi Efendiun (Dibrën-H.L.), Abdi Be’ Toptanin dhe Mid’hat Frashërin. Këtë e kundërshtoi Dud Karbunara me pretendimin se nuk ishte asnjë i krishterë në listë, mendim që e mbështetën edhe Pandeli Cale, Dhimitër Berati e Qemal Be’ Elbasani (Karaosmani), çfarë solli votim të mëvonshëm. Në votimin e kuvendit për ministrat nuk fitoi që në raundin e parë, mbasi mori vetëm 22 nga 58 votues, kurse në votimin e dytë u rendit i dyti me 40 vota. Në kabinetin e parë qeveritar u emërua ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë, post të cilin e mbajti nga 4 dhjetori 1912 deri më 20 maj 1913, duke i lëshuar postin Aziz Vrionit, për shkak të angazhimeve të shumta që pati në zgjidhjen e problemeve administrative e diplomatike të qeverisë së Vlorës

Kur Ismail Qemali, së bashku me Isa Boletinin, Luigj Gurakuqin e Mehmet Konicën, ndërmori udhëtimet diplomatike në kancelaritë evropiane për njohjen e pavarësisë dhe shtetin e ri shqiptar, Pandeli Cale, në fillim të prillit 1913, u ngarkua me mision të shkonte në Gjenevë të Zvicrës, në të njëjtën kohë me Mihal Gramenon që u nis për në Milano.

Pas këtij shërbimi diplomatik ai u kthye në atdhe dhe përsëri së bashku me mikun e tij Mihal Grameno, në zbatim të detyrave të ngarkuara nga kryeministri Ismail Qemali, kreu detyra në të mirë të qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Situata që krijoi Esad pasha në Durrës kërkonte përpjekje të mëdha për ta përballuar. Sipas Ismail Qemalit, “Durrësi me gjithë kazatë (lokalitetet), e tij që, gjer dje, ishte nën qeverrimin t’onë, nga shkaku i një njeriu u ndah, si u thashë edhe pak më përpara. Shkodra gjendet pothuaj në erë. Një komisie (komision), ndërkombëtare, e formuar nga amiralët e gjashtë Fuqive të Mëdha, e qeveris që ditën kur e muarën prej Malit të Zi e gjer sa dit ma parë kur amiralët shkuan dhe qetësija e qytetit u la në dorë të ushtris së steres të Fuqive të Mëdha. Sot duhet domosdo të mendohemi për qeverrimin e të gjithë Shqipërisë. Mendimi ynë, dëshira jonë nuk është që ta ndajmë dhe ta çajmë Shqipërinë, po ta forcojmë duke lidhur dhe bashkuar të gjitha anët e Shqipërisë nën një qeverri qendrore të fortë dhe kombëtare. Për këtë shkak u munduam shumë e jo me pak kundërshtime, bamë dhe vendosëm një kanun organik të cilin do ta shihni dhe do ta gjykoni n’asht për ndarjen apo për lidhjen e Shqipëris”.

Pandeli Cale iu bashkua grupit që nuk pranonin dhënien e koncesioneve, duke gjykuar se qeveria e ligjshme nuk mund të lejohet të luaj me fatet e kombit, duke bërë pazare apo duke dhënë koncesione kundër interesave kombëtare. Për të kundërshtuar dhënien e këtij koncesioni pranë përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, që ndodheshin në Shkodër, me miqtë e tij, Mihal Grameno e Çerçiz Topulli, Pandeli Cale e një grup veprimtarësh të tjerë, në fund të shtatorit 1913, shkuan në qytetin e Teutës; ku dorëzuan tek përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha një memorandum, me anën e të cilit kërkonin që Fuqitë e Mëdha të mos lejonin krijimin e një banke të tillë, sepse atëherë Shqipëria do të tërhiqej për hunde prej Italisë e Austro-Hungarisë. Ato ditë, me këmbënguljen e Hilë Mosit e familjes së tij, treshja Grameno, Topulli e Cale u detyrua të qëndronte në Shkodër shumë më tepër nga sa kishte parashikuar.

Për mos lejimin e dhënies së koncesionit, nga grupi kundërshtar i Ismail Qemalit, u përgatit një memorandum që iu dorëzua qeverisë, duke kundërshtuar me argumentin të mos jepej pa ardhur princ Wiedi dhe pa u formuar Shqipëria si shtet. Por qeveria nuk e përfilli memorandumin dhe u dha koncesionin disa italianëve e austro-hungarezëve, pa pyetur kombin, shkroi gazetari Mihal Grameno, në gazetën “Atdheu”. Ky vendim u kundërshtua nga ministrat Aziz pashë Vrioni, Hasan bej Prishtina dhe Pandeli Cale, të cilët dhanë lënjët, por qeveria e nënshkrojti”. Ismail Qemali, ndonëse ai dha dorëheqjen i ofroi portofolin e ministrit të Punëve të Përgjithshme (Botore-H.L.), të cilin Cale e pranoi.

Një tjetër gazetë, pak ditë më pas, shkroi se Pandeli Cale, ministër i Punëve Botore dhe z. Qemal bej Elbasani (Karaosmani-H.L.) ministër i Bujqësisë, u nisën nga Vlora drejt Italisë. Qëllimi i udhëtimit të zotit Pandeli Cale asht shëndeti, duke i bërë disi jo fort të besueshme shkrimet e gazetave të asaj kohe, sidomos ato kundër qeverisë së Vlorës.

Me largimin e Wied-it nga Shqipëria, më 3 shtator 1914, Korça ra nën pushtimin e të huajve, ndaj Cale u largua përsëri nga Shqipëria drejt Rumanisë. I dyshuar për aktivitetin e tij atdhetar u burgos në Bukuresht, por falë ndërhyrjes së miqve francezë që kishte dhe ndikimit që Franca kishte në vendlindjen e tij, Korçë, u lirua nga burgu por u dëbua prej aty. Më pas, vitet e Luftës së Parë Botërore, i kaloi fillimisht e kryesisht në Rumani, pastaj në Lozanë të Zvicrës, më pas lëvizi sa në Bullgari në Francë. Kur ishte në Zvicër pati bashkëpunim me mikun korçar, dr. Turtullin, dhe atdhetarë të tjerë për botimin e gazetës “Albania”.

Më 1919, mbasi ishte shpallur qeveria e Durrësit, kthehet në atdhe dhe zgjidhet prefekt i Korçës.

Pandeli Cale ka qenë një mik i shtrenjtë me shkodranët Luigj Gurakuqi e Hilë Mosi. Duke vlerësua rolin e madh të Gurakuqit dhe duke pasqyruar besimin e tij të plotë në veprimtarinë patriotike të patriotit Gurakuqi, me një vendosmëri bindëse, më 15 tetor 1919, i shkroi: “Kini në dorë fatin e Shqipërisë…bëni detyrën patriotike si ju thotë ndërgjegja”.

Në prill 1920 ka qenë në përbërje të delegacionit korçar, të përbërë nga Pandeli Cale, Nuredin Vila e Fazlli Frashëri, në Paris: “për t’u përpjekur për vetëqeverimin e Shqipërisë” .

Në maj 1920, bazuar në informatat e mbledhura nga populli i krahinës u vu në dijeni të veprimeve shoviniste që do të ndërmerrnin grekët, të cilët me një fuqi të madhe ushtarake, të komanduar nga gjenerali Trikupis, nga Follorina do të sulmonin Korçën për të zaptua territoret e saj, duke shfrytëzuar rastin e largimit të fuqive franceze të interaleatëve që vepruan në Shqipëri në vitit e Luftës së parë Botërore. Pandeli Cale ka qenë ndër të parët që lëshoi thirrjen për bashkim e kundërveprim me masa mbrojtëse, duke organizuar një komitet të përbërë nga baba Ramadan Qatromi, Eshref Frashëri dhe Teufik Panariti. Më 24 maj 1920 ky komitet nxori tellallin që njoftoi popullin për t’u tubuar më 26 maj në qendër të qytetit të Korçës. Komiteti sqaroi popullin për situatën që pritej dhe aty deklaruan bashkimin e këtij qyteti me qeverinë e Tiranës. Kryetari i bashkisë së qytetit të Korçës, Sotir Kotta, valëviti në ballkonin e godinës së bashkisë Flamurin Kombëtar Shqiptar. Të nesërmen, më 27 maj 1920, Pandeli Cale kryesoi komisionin që u zgjodh nga komiteti për mbrojtjen e Korçës i cili shkoi në Kapshticë për takim me palën greke, në kufi, ku u bisedua dhe u arrit mirëkuptimi për nënshkrimin e “Protokollit të Kapshticës”, i cili hartua dhe firmua prej Pandeliut. P. Cale ka pasur rol të rëndësishëm në këtë takim për të lidhur një marrëveshje ku grekët të hiqnin dorë nga synimet shoviniste ndaj Korçës dhe pala shqiptare të mbante hapur gjimnazin grek. Në takim kanë qenë: Eshref Frashëri, Pandeli Cale, Tefik Panariti, Nikollaq Zoi, dr. Hakif Mborja, etj.

Edhe më 1920 rezulton të ketë qenë prefekt i Korçës, duke mbështetur qeverinë e kryesuar nga Sulejman Delvina, të dalë nga kongresi i Lushnjës.

Kur ishte në detyrën e prefektit, më 16 qershor 1920, ka kontestuar caktimin e Kolë Rrodhes, ish-bashkëpunëtorit të tij të dikurshëm, në detyrën e komisarit politik në Korçë (drejtor i Policisë) dhe të Kostaq Kottes (nënprefekt) në Korçë, mbasi kjo sjell anarshi. Me këtë rast Kolë Rodhe u prononcua duke shkruar një artikull në shtypin lokal dhe ka publikuar dorëheqjen nga detyra e sapo caktuar, më 21 qershor 1920.

Me caktimin e Koço Kottës në detyrën e prefektit, Pandeli Cale u caktua në postin “drejtor i Përgjithshëm i Postë-Telegrafës” , por pak ditë më pas bëhet me dije se nuk ka qenë dakord me këtë emërim. Kur refuzoi detyrën e drejtorit të Postës, sipas njoftimit të dhënë nga gazeta “Përparimi”, u bë e ditur se Pandeli Cale u emërua “guvernator i Korçës”, por pak ditë më pas “Gazeta e Korçës” shkroi se u dorëhoq nga detyra dhe i lëshoi vendin Aqif Përmetit. Ndonëse shtypi shkroi sa sipër, në jetëshkrimin e tij është shënuar se zëvendësoi Idhomene Kosturin në krye të drejtimit të postës shqiptare.

Këtë vit, Cale, ka marrë pjesë në delegacionin shqiptar në Lidhjen e Kombeve, së bashku me Fan Nolin, dr. Adhamidhi e Hilë Mosin. Më 17 nëntor të atij viti, ky delegacion është takuar me Lord Robert Cecil, kryetar i komisionit kur u diskutua për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, çfarë u mundësua nga Asambleja e Përgjithshme më 17 dhjetor 1920, kur Cale ishte anëtar i delegacionit të sipërpërmendur.

Në shkurt të viti 1921 konkurroi në zgjedhjet parlamentare dhe u zgjodh deputet i Korçës, në të parin parlament shqiptar, së bashku me Sotir Pecin, Tefik Panaritin, Sejfi Vllamasin, Pandeli Evangjelin, Loni Kriston, Banush Hamdi Begën, Teufik Mborjen. Më 21 prill të atij viti u shënua ndërmjet 28 deputetëve të grupit politik të Nolit, inkuadruar në “Partia Popullore”, më pas u zëvendësua nga Kristo Kirka. Sejfi Vllamasi e ka kritikuar për një “komplot” kundër tij, që konsistonte në zëvendësimin e Sejfit me Xhaferr Ypin si kandidat për në Kolonjë, në zgjedhjet parlamentare të viti 1921, organizuar që në Tiranë nga Eshref Frashëri, me qëllim të formonte një grup deputetësh, anëtarët e të cilit të kishin një solidarësi mendimesh, mentalitetesh dhe interesash, për të përfaqësuar Korçën në emër të bejlerëve, të turqve e të kaurëve, sado që këta të fundit kanë qenë një sasi shumë e vogël, si edhe ta përdorte këtë grup për qëllimet e tij të mëtejshme. Sipas Vllamasit: “Në këtë komplot ka qenë edhe Pandeli Cale me disa të krishterë e myslimanë të mykur dhe, si përkrahës, kanë pasur edhe prefekt Zoin me komandantin e xhandarmërisë Ferid Frashërin, për ta përdorur në rast nevoje edhe influencën qeveritare në favor të planit të tyre”. Sejfiu ka sqaruar se: “Koço Kota ka qenë anëtar i vjetër i “Krahut Kombëtar” dhe shoku i pandarë i Sotir Pecit dhe i emi, por ish kundra Eshrefit dhe Pandeli Cales me shokë, dhe ky kundërshtim, më tepër se nga mospajtim idesh e mentalitetesh, rridhte sepse Koço Kota figuronte në listën e kandidatëve që përbëhej prej 4 të krishterëve dhe 4 myslimanëve. Por ay nguli këmbë të hynte në listë vetë i tretë, bashkë me dy shokët e tij, Kolë Rrodhen dhe Llambi Bimblin, që të tre patriotë të vjetër. Atëherë Pandeli Calja, edhe ay veteran patriot, mbetej automatikisht përjashta listës”.

Në vitin 1923 u sëmurë dhe shkoi për kurim në një spital të Selanikut, por me gjithë përpjekjet e mjekëve grekë, vdiq atje, në spital. “Gazeta e Korçës”, me këtë rast shkroi: “Deputeti Pandeli Cale vdiq”, duke vijuar: Pardje të djelë, ndërroi jetë në Selanik, pas një sëmundjeje të rëndë deputeti ynë Pandeli Cale. Më poshtë në njoftim, Cale cilësohet “apostulli i ndjenjave kombëtare në Korçë, i cili u hodh në fushën kombëtare që në djalëri, kur nuk guxonte kush të fliste e të predikonte ndjenjat kombëtare; vlerësohet idealist i vërtetë që sakrifikoj rininë për çështjen kombëtare; evidentohet se mori pjesë në lëvizjen kombëtare si një nga kryetarët e saj, duke përmendur se më 1912 doli malit me çetat; pohohet se ishte delegat dhe firmosës i aktit të proklamimit të independencës kombëtare dhe se u caktua ministër i Bujqësisë. Në vijim tregohet se në kohën e Luftës së Përbotshme, “u mbyll në Loussane, bashkë me disa atdhetarë të tjerë”, ku punoi për “lirimin e atdheut”. Pas ngjarjeve të gushtit 1919 erdhi në Korçë, ku u përpoq për bashkimin e qarkut të Korçës me qeverinë e Tiranës. Njoftimi kujton se Pandeli Cale ka qenë pjesëtarë i delegacionit shqiptar në Gjenevë, kur Shqipëria u pranua në “Shoqërinë e Kombeve”. Po kështu e ka vlerësuar “veteran i çështjes kombëtare, ndonëse ndërroi jetë në moshën 45 vjeç. I ndjeri la një çupë, zonjën të ve, prindërit dhe një vëlla e motrën .

Patrioti Hilë Mosi, një poet flakadan i lirisë, më 3 gusht 1923, duke qenë prefekt në Korçë, mbajti fjalën mortore në pritjen e të ndjerit Pandeli Cale.

Gazeta e Korçës, njoftoi se të hënën, me rastin e 9-ditëve nga vdekja e Pandeli Cale, Bashkia bëri një përshpirtje për të ndjerin. Po kjo gazetë njoftoi se në hapjen e punimeve të Parlamentit, kryetari Eshref Frashëri, deputetët Ali Këlcyra e Mehdi Frashëri kujtuan “meritimin e naltë të Pandeli Cale” në fillim të mbledhjes, e cila u mbyll atë ditë në nderim të tij.

Është përkujtuar me një emër rruge “Pandeli Cale”, në Tiranë.

Në muzeun e pavarësisë në Vlorë janë të ekspozuara dhe një palë dylbi të patriotit Pandeli Cale.

Gazeta “Flamuri”, nr. 101-104, viti 1964 botoi një fotografi të një grupi prej 11 delegatësh që udhëtuan me Ismail Qemalin, ndër të cilët njihen: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Pandeli Cali, Qazim Kokoshi, Pandel Mborja, Muço Sharra

Në përvjetorin e parë të pavarësisë kombëtare ka shkuar në Vlorë për përkujtimin e saj, çfarë dëshmohet edhe me një fotografi të tij së bashku me Luigj Gurakuqin, Dhimitër Beratin, Alem Tragjasin, Lef Nosin, etj.

Eshtrat e të ndjerit Pandeli Cale u sollën në Shqipëri në fillim gushtin e viti 1926, tre vjet pas vdekjes. Miku i tij, Hilë Mosi, mbajti fjalën e rastit, sikurse tre vjet më herët, kur ai shua, në ceremoninë e rivarrimit, që u zhvillua në kishën Shëngjergjit, duke iu drejtuar të ndjerit: “Korça ku ti çele sytë, ku ti u rrite dhe derdhe gjithë aktivitetin tënd, e ka fatin të të mbledhë përsëri në gjirin e vet”. Sot Pandeli Calën mund ta gjesh veç në varrezat e qytetit, në një varr gjysmë të thyer, të përçudnuar në atë tokë, në atë grusht dheu për të cilin dha aq shumë, por që ja këmbeu me një cep të veçuar.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …