Hillary Clinton bashkëshortja e ish presidentit amerikan Bill Klinton ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama. Ajo përmes kësaj telefonate ka falenderuar kryeministrin Edi Rama për gatishmërinë dhe kujdesin e treguar në sjelljen në Shqipëri dy ditë më parë të 37 grave dhe vajzave afgane aktiviste të shoqërisë civile, mes tyre edhe ish gazetarja e Tolo TV Behishta Arghand. Organizata jo qeveritare Vital Voices, themeluar nga Hillary Clinton dhe ish sekretarja amerikane e shtetit Madeleine Albright mundësuan nxjerrjen nga Afganistani të këtyre grave dhe vajzave tashmë të strehuara në vendin tonë. Organizata prej disa javësh u vu në kontakt me qeverinë shqiptare për të përmbyllur me sukses këtë operacion delikat e të vështirë për nxjerrjen nga Afganisani të këtyre 37 aktivisteve afgane të cilat fillimisht qëndruan në Katar e vijuan udhëtimin drejt Shqipërisë. Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 644 qytetarë afganë të cilët kanë punuar në të shkuarën për disa organizata ndërkombëtare.
