Himara nuk është Baski as Korsikë, po vetëm një krahinë shqip dhe grek-folësish, dhe të tilla ka kudo në vendet e Ballkanit

Himara nuk është Baski as Korsikë, po vetëm një krahinë shqip dhe grek-folësish, dhe të tilla ka kudo në vendet e Ballkanit

Krahasimi, që ditë më parë i bëri Himarës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama,  me çështjen e Baskisë e disa vendeve të tjera autonome dhe të robëruara të shteteve të Evropës, ishte madje pak  të thuash skandaloz, qoftë nga mungesa e njohurive historike qoftë nga përpjekja për  të deformuar historinë  e kaluar të popujve. Thjesht ishte në  non-sens i llojit të vet, sepse ta krahasosh Himarën e himariotet me baskët e Baskinë apo korsikanët e Korsikën, është thjesht një huqje dhe pa përgjegjësi, qoftë edhe për fushatë elektorale.

Kryeministri Edi Rama iu premtoi himarjotëve se shumë shpejt do të zgjidhet çështja e pronave. Në krah të kandidatit socialist Vangjel Tavo, kryeministri Edi Rama i krahasoi himarjotët me baskët në Spanjë.  “Po diskutonim gjithë historinë, çfarë janë himarjotët dhe si i kanë pasur marrëdhëniet qoftë me Tiranën, qoftë me Athinën. Dhe në fund fare konkluzioni është po ai, janë himarjotë, janë si korsikanët, janë si baskët, janë komplet gjë tjetër”, tha Rama. (TEMA)

Baskët janë populli më i vjetër i Evropës para indoevropiane dhe gjatë shumë shekujve të ekzistencës janë ndarë, të pushtuar e të sunduar nga Franca dhe Spanja. Baskët janë populli i vetëm autokton i Evropës, deri te dyndja e popujve arianë, indoevropianë.

Populli bask që jeton në verilindje të Spanjës dhe jug të Francës, ka qenë gjithmonë një mister. Ndryshe nga fqinjët e tyre, malësorët baskë nuk flasin një gjuhë të bazuar në atë latine të Romës së lashtë. Më tej, gjuha baske është një gjuhë e izoluar, që do të thotë se ajo nuk ka lidhje të dukshme me gjuhët indo-europiane, në Europë. Në vitin 2015, Mattias Xhejkobsson i Universitetit Uppsala të Suedisë, hodhi idenë që baskët janë pasardhës të fermerëve iberikë që kanë migruar në veri dhe janë përzierë me popullsitë vendase të gjahtarëve. Duke e bazuar argumentin e tij në skeletet e Epokës së Gurit që janë gjetur në veri të Spanjës, Jakobsson beson se iberikët nga Spanja jugperëndimore nisën lëvizjen e tyre drejt veriut 3500 deri 5500 vjet më parë. Pas përzierjes me popullsinë lokale, izolimi gjeografik dhe kulturor ndihmoi që ata të ruanin ADN e tyre unike baske. Ndonëse studimi i Jakobsson forcon besimin e kahershëm se populli bask është i ndarë nga europianët modernë, ai megjithëkëtë hedh poshtë idenë që baskët janë një vazhdimësi e një qytetërimi para Neolitik. Të tjerë studiues të gjenetikës kanë shkuar më tej, duke hedhur poshtë idenë që baskët janë unikë. Bazuar në një studim të gjenomës së europianëve, disa shkencëtarë gjenetistë kanë konkluduar se baskët nuk janë unikë dhe ndajnë shumë prej materialit gjenetik me europianët e tjerë.(bota.al)

Po ja cila ishte dhe është Himara sot dhe si mund  ta krahasosh me Baskinë, Korsikën apo Sicilinë?

 

Himara ka shtate katunde: Palasa, Dhërmiu, Vuno, Qeparo , Kudhës, Pilur dhe Ilias. Himara si krahinë shtrihet në jug-perëndim të Shqipërisë në anë të bregdetit të detit Jon. Krahina e Himarës ka një sipërfaqe me gjatësi rreth 50 km dhe gjerësi rreth 10 km. Himara bën pjesë në Qarkun e Vlorës. Më 1431 Himara u përfshi nga Perandoria Osmane si pjesë e Sanxhakut Arvanid, turqit kuptonin me këtë term fshatrat në bregdetin midis Rrugës së Bardhë dhe Sarandës. Venedikasit futnin aty edhe të gjithë fshatrat (21) të brenda tokës, që ishin ende të krishterë. Por kur ato u kthyen e u bënë myslimane mes 1690 dhe 1790-ës, me emrin Himarë kuptoheshin vetëm shtatë fshatrat, që paguanin taksën e qirasë (mukatá, 0,035 napolona taksë vjetore për person). Pas vendosjes së Tanzimatit në krahinë më 1880, u vendos administrata turke (kajmekamllëk). Kazaja e Himarës më 1906 me dhjetëra fshatra dhe 12 mijë banorë përfshihej në sanxhakun e Gjirokastrës.

Në 1482 disa familje u larguan nga qyteti për në Siçili, dhe atje u është dhënë tokë në afërsi të qytetit të Palermas. Këtij vendbanimi apo fshati më pas ju dha emri Hora e Arbëreshëvet (Qyteti i Shqiptarëve), banorët e të cilit flasin edhe sot gjuhën shqipe (arbërishtjën) dhe mirëmbajnë zakonet, veshjet popullore dhe besimi ortodoks. Duke filluar që nga shekulli i XVI, si pasojë e disa kryengritjeve, Himara, ashtu si edhe Mirdita, siguroi një sërë privilegjesh dhe një lloj autonomie, që e lejoi të ruante fenë dhe flamurin Shqiptar… Përveç gjuhës amtare Shqipe, duke shfrytëzuar detin banorët e këtyre anëve vendosën lidhje tregtare me Greqinë e Venedikun e kryesisht me Korfuzin dhe Gjiritin dhe si pasojë e këtyre lidhjeve, filloi te përdorej edhe gjuha Greke e Italiane për qëllime tregtare. Më 1912 Himara ngriti flamurin e pavarësisë dhe dërgoi përfaqësinë e saj në Vlorë.

Në asnjë rrethanë, në asnjë aspekt historik, gjenetik apo gjenealogjik nuk kemi të bëjmë me popull himariot, në kuptimin historik sikur janë baskët, korsikanët, venetët, katalunjët e të tjerë, por kemi të bëjmë me një krahinë dy gjuhëshe, dhe të tilla, krahina apo qytete dy gjuhëshe, ka me shumicë në shumë nga vendet e Ballkanit.

Pikërisht nga gjykime, paragjykime e falsifikime të  tilla, Fredi Beleri u kishte premtuar himariotëve helenizimin e krahinës, dhe shpalljen e autonomisë. Mbase diçka të tillë i ka premtuar Vangjel Tavos edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me qëllim që të fitojë shumicën, pastaj si gjithnjë, gjithçka sillet e riciklohet sipas kërkesave të kohës…

 

Edi Rama, bën krahasime të tilla, madje krejt hapur në dobi të Greqisë, por nuk përmend asnjë krahinë dikur krejt shqiptare në këtë shtet gjiton si Suli dhe suliotët, Moreja e Peleponezit, Çamëria e shumë treva të tjera, që i dominonin arvanitasit, dukur  arbër-shqiptarë, tani grekë me prejardhje shqiptare, të cilët edhe aktualisht në Greqi përbëjnë një të tretën e popullatës së përgjithshme, po ndihen më grekë sesa vetë grekët.

Kemi të bëjmë me një realitet të pakthyeshëm tragjik, po pse mungon guximi për ta përmendur si fakt historik, derisa Greqia  trumpeton Vorio-epirin, kërkon të fshihet nga historia shqiptare, madje edhe emri i Çamërisë dhe i gjenocidit dhe etnocidit kundër Shqipërisë. Të  njëjtin qëndrim vasal dhe vetë-nënshtrues ndaj Greqisë e kanë edhe Dejona Mihalisi dhe Albin Kurti e përkrahësit e tyre, edhe pse Athina zyrtare konfirmon e rikonfirmon se kurrë nuk do ta njohë Kosovën,  derisa nuk pajtohet Serbia.

Ahmet Qeriqi

  1. 8. 2024

Shtime

Kontrolloni gjithashtu

Nesër, më 4 janar 2024, në ambientet e Radios-Kosova e Lirë, në Prishtinë shënohet 25-vjetori i fillimit të transmetimit të programit

Ahmet Qeriqi: Kush e ndërpreu e kush jo bashkëpunimin me RKL-në, në qëndrimin e saj kundër politikave të Vetëvendosjes

Qëndrimi im kritik,  në kuptimin parimor kundër dukurive, të cilat i konsideroj të dëmshme për …