Historiani, Kristo Frashëri rrëzoi me argumente të gjitha hipotezat sharlatane të sllavistit Schmidt lidhur me Skënderbeun I

Historiani, Kristo Frashëri rrëzoi me argumente të gjitha hipotezat sharlatane të sllavistit Schmidt lidhur me Skënderbeun I

Historiani i mirënjohur shqiptar, tani i ndjerë Kristo Frashëri rrëzoi me argumente shkencore të gjitha hipotezat sharlatane të sllavistit O.J Schmidt lidhur me Skënderbeun. Duke shkruar për tezat e mbrapshta dhe aspak shkencore, të sllavisti Schmidt, historiani Frashëri thotë. Kontributi i dytë që ai dha në intervistën e fundit, është gjithashtu i çuditshëm. Vetë Oliveri thotë se gjesti i Skënderbeut duke kapur për gjoksi komandantin e kështjellës së Tranit, Giovanni Antonio de Foxa, treguaka karakterin e Skënderbeut se e urren tradhtinë. Ai vetë shkruan se ky gjest, i cili i ngjan “dy burrave që zihen për gryke”, tregon karakterin e Skënderbeut. Pyesim: a mjafton ky gjest për të provuar se Skënderbeu e urren tradhtinë?

Ky qenka një nga zbulimet e mëdha që paska arritur historiani zviceran?

Ai ka harruar se Skënderbeu nuk është një Wilhelm Tel që fiton lavdi duke iu bindur mbretit të qëllojë me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të vet, por një kreshnik që ballafaqohet me dhjetëra herë në fushën e betejave, me ushtritë osmane shumë herë më superiore se ushtritë shqiptare. Veç kësaj, përse na e shet këtë episod sikur ai e ka zbuluar për herë të parë? Për më tepër, ai mbështetet vetëm në letrën e diplomatit milanez, të cilën e lexon mbrapsht (nuk është Skënderbeu që i propozon mbretit Ferrant, siç thotë Schmitt-i, që ta hiqte qafe De Foxa-n, por e kundërta, është mbreti Ferrant, siç shkruhet në letrën e diplomatit milanez, ai që i kërkon Skënderbeut ta hiqte atë qafe. Veç kësaj, në monografinë e përmendur të Kr. Frashërit mbi Skënderbeun janë dhënë jo një, por tre burime të ndryshme për këtë episod (ff. 285-386).

Më në fund, gjesti i Skënderbeut nuk tregon, siç thotë O. Schmitt-i, urrejtjen e tij ndaj tradhtisë, mbasi në këtë rast ai zbatonte porosinë e mbretit Ferrant. Qëndrimin ndaj tradhtisë Skënderbeu e ka treguar jo në qytetin Trani të Pulies (Itali) ku zbatonte porosinë e mbretit Ferrant, por në Shqipëri ku ishte vetë “zot” dhe ku nuk i ndëshkoi bashkëpunëtorët e tij kur e tradhtuan.

Kjo linjë nuk i ka pëlqyer historianit të ri zviceran Oliver Jens Schmitt. Ai me një të rënë të lapsit e ka dënuar me vdekje historiografinë shqiptare skënderbegiane, jo vetëm të viteve të regjimit komunist, por edhe të periudhës parakomuniste.

Përse?

Sipas tij, çdo pikëpamje mbi ngjarjet historike të së kaluarës e shprehur gjatë regjimit komunist është prodhim i Enver Hoxhës ose prodhim që i shkonte për shtat regjimit komunist. Meqenëse figura e Skënderbeut, ashtu siç e ka trajtuar historiografia shqiptare gjatë viteve të regjimit komunist, i paska shërbyer diktaturës enveriste, kjo historiografi dhe ky Skënderbe, sipas O. J. Schmitt-it, duhet flakur tej. Sikurse shihet, historiografinë shqiptare skënderbegiane O. J. Schmitt-i e dënon si një historiografi dogmatike, vetëm se i paska shërbyer regjimit komunist. Historiani zviceran nuk sheh se me argumentin që sjell se ajo historiografi duhet dënuar vetëm se i ka shërbyer regjimit komunist dhe jo se është në vetvete e pasaktë, tregon se ai nuk i ka parë rrënjët e vërteta të ideologjisë nacional-komuniste, me të cilën ai e damkos të ashtuquajturën diktaturë të proletariatit të periudhës së E. Hoxhës.

Historianët që kanë ndjekur nga afër zhvillimin e ngjarjeve politike dhe ideologjike të Shqipërisë, nuk e kanë vështirë të kuptojnë bashkëjetesën e ideologjisë komuniste të Karl Marksit dhe ideologjinë nacionaliste të rilindësve shqiptarë të bashkëngjitura në të ashtuquajturën ideologji të demokracisë popullore. Ata nuk e kanë vështirë të kuptojnë se Enver Hoxha me ardhjen në pushtet ishte i detyruar të përgjërohej, si për njërën ashtu dhe për tjetrën, duke mos u shkëputur nga asnjëra prej tyre. Madje, duke u mbështetur sipas rrethanave historike më tepër herë te njëra ideologji, herë te tjetra.

Kur Shqipëria u pranua në Traktatin e Varshavës, më 1955, E. Hoxha mbasi siguroi mbështetjen e bllokut socialist ndërkombëtar, nga synimet që kishte me qëllim të përforcimit të mbështetjes në forcat e brendshme, e ndjeu veten më të lirë për të zbatuar politikën nacionale rilindëse. Prishja e marrëdhënieve politike me kampin socialist, e bëri më të domosdoshëm mbështetjen te forcat nacionale politike të brendshme. Tek ky zgjim i politikës nacionale shpjegohen kremtimet e bujshme që ndërmori qeveria e Enver Hoxhës në vitet ’60-’70, siç ishin kremtimi i 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë (28 Nëntor 1962); përkujtimi ndërkombëtar i jashtëzakonshëm i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1968; kremtimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1978) dhe i temave të tjera të historisë kombëtare të Shqipërisë.

Rëndësi të veçantë pati përkujtimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kjo për arsye se 500-vjetori i vdekjes së Heroit ishte një rast i mirëpritur për të nënvizuar karakterin nacional të jetës së Shqipërisë, edhe në situatën e trazuar kur Shqipëria për të siguruar pavarësinë jetonte midis shtetësimeve të theksuara. Çështja nacionale ishte për Shqipërinë një çështje jetike. Për realizimin e saj, forcat politike shqiptare nuk mund të qëndronin spektatore vetëm duke u mbështetur te doktrina marksiste. Në fakt, jo vetëm forcat demokratike shqiptare të djathta e të majta, por edhe dashamirësit e Shqipërisë të shpërndarë në mbarë botën, e ndjenë për detyrë të jepnin kontributin e tyre në çështjen kombëtare shqiptare. Është e padrejtë që të gjithë dashamirësit e pavarësisë së Shqipërisë të periudhës së Rilindjes, të cilësohen të doktrinuar si komunistë, për arsye se Enver  Hoxha shpalosi edhe ai flamurin e Pavarësisë Kombëtare.

Mirëpo, historiani zviceran përpiqet të hedhë në kosh edhe historiografinë shqiptare skënderbegiane parakomuniste, e cila, sipas tij, ka ndjekur pak a shumë të njëjtën linjë. Kjo tregon se nuk është fjala te regjimi komunist, por te vetë Skënderbeu. Dëshmi është fakti se urrejtja ndaj Skënderbeut e ka shtyrë historianin zviceran të fshijë nga Pasqyra e Bibliografisë të trajtesës së tij disa nga veprat e historiografisë skënderbegiane shqiptare të botuara jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe para se të vendosej diktatura. Përse nuk e ka përmendur disertacionin e Xhevat Korçës, botuar më 1923? Përse nuk i ka vënë në dukje meritat e disertacionit të Athanas Gegajt, botuar më 1937? Përse merret me Fan Nolin e vitit 1921 dhe jo me Fan Nolin e vitit 1947, i cili, sikurse u tha, e ka korrigjuar vetë punimin e tij të vitit 1921? Përse në Pasqyrën e Bibliografisë së trajtesës së tij nuk e sheh gjëkundi emrin e Aleks Budës?

Megjithatë, midis historianëve shqiptarë të periudhës komuniste breshërinë më të madhe O. Schmitt-i e drejtoi kundër prof. Aleks Budës. Kjo për arsye se ai u bë më 1973 kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Argumentet që sjell historiani zviceran janë vërtet të habitshme. Sipas tij, prof. Aleks Buda, i cili dihet se nuk ka bërë pjesë asnjëherë në strukturat udhëheqëse të Partisë Komuniste, madje nuk ka qenë as anëtar i thjeshtë i PKSh-së apo i PPSh-së, i paska shërbyer më tepër se kushdo Enver Hoxhës në synimet e diktatorit për t’u bërë vetë mit i historisë së Shqipërisë. Historiani zviceran kapet pas ngjarjeve që ndodhën në vitin 1967 kur filloi fushata, edhe për ne e egër dhe absurde, kundër institucioneve fetare të të gjitha riteve pa dallim. Sipas tij, vlerësimi i Skënderbeut në këtë kohë nga E. Hoxha u shty nga nevoja që kishte Partia e Punës për të zëvendësuar fetë që komunizmi po i luftonte me doktrina dhe me institucione me një fe të re, me në qendër figurën e Skënderbeut. Ai pohon: “Më 1968 u bë një kongres i madh shkencor dhe filluan përpjekjet që kulti i Skënderbeut të futet si një religjon zëvendësues. Pra, feja ndalohet dhe fillon ateizmi, por njerëzve u duhej dhënë diçka zëvendësuese”. Për këtë arsye, pohon ai, Skënderbeu u propagandua edhe nga historiografia shqiptare “si figura qendrore e një feje civile komuniste”. Natyrisht është e tepruar të thuhet se kjo ishte, sipas tij, pika kulmore e figurës së Skënderbeut. Ai u pa si paraardhësi i Enver Hoxhës dhe u përdor një pamje shumë ideologjike e figurës së tij (Gazeta “Albania”, e shtunë, 24 janar 2009, f. 21).

Në të njëjtën kohë, historiani zviceran pranon se midis figurës së Skënderbeut dhe diktatorit Enver Hoxha ka një ndryshim të madh. Ndryshimin, të cilin ai nuk e thotë, po ia themi ne. Skënderbeu udhëhiqte politikisht një vend të hapur, kurse Enver Hoxha një vend të izoluar. Skënderbeu u orientua nga Perëndimi, Enver Hoxha nga Lindja. Skënderbeu ishte fetar, E. Hoxha ateist. Skënderbeu ishte tolerant, Enver Hoxha nuk ishte Skënderbeu nuk dënoi njeri me vdekje, Enver Hoxha dënoi mjaft koka kundërshtarësh. Pyesim: në këto rrethana, si mundej Skënderbeu t’i shërbente diktaturës së E. Hoxhës? Si mundej Enver Hoxha ta kthente veprën e Skënderbeut në një fe në shërbim të diktaturës komuniste? Si mundej që E. Hoxha të bëhej një Skënderbe i ri?

Në suazën e këtij “zbulimi” imagjinar që ka sjellë truri i fantaksur i O. Schmitt-it është vendosur dhe Aleks Buda. Për të provuar saktësinë e zbulimit të tij historiani zviceran sjell si shembull një fragment nga një shkrim i Aleks Budës, në të cilin ne prisnim që kryetari “mëkatar” i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë t’i thurrte hosana Enver Hoxhës. Në të vërtetë, ai nuk e zë fare në gojë E. Hoxhën. Në fragmentin që O. Schmitt ka nxjerrë nga shkrimi i Aleks Budës me titull “Fan Noli dhe Skënderbeu”, thuhet: “Pas luftës së madhe antifashiste, ku pjesëmarrja e masave popullore luajti një rol kaq të madh në asgjësimin e pushtuesve, figura e Skënderbeut u bë përsëri aktuale dhe mori një vlerë të re. Historiografia jonë ka për t’i dhënë Heroit tonë, ashtu si gjithë figurave të mëdha historike, rolin e vet të merituar, në qoftë se do të niset nga vlerësimi për rolin e masave popullore”. (Milosao)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …