Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi me bashkëpunëtor në kujtim të 12 majit kanë bërë homazhe tek varret dhe përmendoret e dëshmorëve kudo në komunën e Rahovecit. Kryetari Latifi përmes një postimi në facebook ka thënë: Me 12 maj 1998, krisi fort dhe jehoi thekshëm gjithandej pushka e parë çlirimtare në Anadrini; Me 12 maj 1998, me luftë i detyruam forcat pushtuese serbe të tërhiqen me humbje dhe me turp e të ndiqen deri matanë Gradishit; Me 12 maj 1998 në fushë të nderit ranë dëshmorët e parë të lirisë, MILAIM KRASNIQI dhe ELMI MORINA, u plagosën bashkëluftëtarët Osman Zyberaj, Myfterem Gashi, si dhe luftëtari i orëve të para, tashmë dëshmori LULZIM SH. HOTI, i cili si pasojë e plagëve që mori, pas luftës, ndërroi jetë. Një vit më vonë, më 12 maj 1999 ra si bien trimat, pishtari i lirisë, heroi BEDRUSH GASHI. “12 maji” është ditë e mobilizimit të liridashësve anadrinas dhe një moment i kapërcimit (nga ilegalja në legale), në një fazë të re, i luftës sonë çlirimtare;
“12 maji” është ditë e krenarisë, sakrificës dhe dhimbjes sonë për gjakun e derdhur;
“12 maji” është dita e fillimit të fundit të epokës së territ të robërisë;
“12 maji” është dita e dëshmorëve të kombit të Brigadës 124 ” Gani Paçarizi;
“12 maji” është datë që s’do të harrohet!
Janë të gjalla kujtimet për 12 majin!
Janë të pavdekshme veprat e dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre! Nderim e mirënjohje gjithë atyre djemve e burrave, nënave, motrave e vëllezërve atdhetarë, të cilët në kohën kur jetuan dhe vepruan, vendosën një gur në kalanë e çlirimit të atdheut, duke e ndërtuar atë me mund, djersë dhe jetë në etapa të ndryshme historike.