Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka cilësuar si antikushtetuese idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Përmes një shkrimi, ai ka thënë se, Thaçi me idenë e tij ka dëmtuar shtetësinë e Kosovës. Sipas tij, me këtë ide do të duhej kohë që të binden qytetarët se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se e ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë, përcjell lajmi.net. “Insistimi antikushtetues i Presidentit aktual për korrigjimin e kufirit i ka dëmtuar përpjekjet tona për dy dekada për të ndërtuar një shtet ku qytetarët e të gjitha komuniteteve ndihen të sigurt për të ardhmen e tyre. Ky angazhim i Presidentit ka shtuar hezitimin ndaj institucioneve të Republikë së Kosovës nga ana e disa komuniteteve. Do të na duhet shumë kohë dhe energji për ta kthyer besimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës se nuk ka ndryshim të kufirit, nuk ka ndarje të Kosovës, dhe se ardhmja e tyre është e sigurt në Kosovë”, ka shkruar ai.
