Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u ka thënë përfaqësuesve të disa medieve vendore, se kriza në veri të Kosovës ishte e panevojshme kështu duke kritikuar kryeministrin Kurti, që nuk kishte koordinim me SHBA-të për qasjen në ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme. Hovenier tha se kjo do të ketë pasoja të mëdha në të ardhmen e Kosovës. “Kjo ishte një krizë e cila nga këndvështrimi ynë ishte e panevojshme. Operacioni që u zhvillua të premten për ta marrë qasjen në ndërtesat komunale në mënyrë të dhunshme, nuk ishte i bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Kur ishim në dijeni, udhëzuam fuqishëm që kjo të mos ndodhte, sepse kemi pritur pasojat të cilat tani po i shohim. Ne besojmë se kjo ka pasur ndikim negativ në reputacion për Kosovën, është hap prapa në përpjekjet tona për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe siç tha Sekretari Blinken në deklaratën e tij, dhe siç ne kemi thënë në deklaratën tonë nga Departamenti i Shtetit, ka ndikim në marrëdhëniet bilaterale”, tha Hovenier. Ai shtoi se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet. “Mbrojtësi i Evropës 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në veri. Sipas diplomatit amerikan, kërkesat e Amerikës ndaj Qeverisë së Kosovës janë që të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.
