leoni

Hysen Malë Arifi (20.11.1964 - 9.8.1998)

Hysen Malë Arifi (20.11.1964 – 9.8.1998)

Plejadës së dëshmorëve të kombit që treguan heroizëm të pashoq në luftën çlirimtare të fundit të shekullit njëzet dhe të kurorëzuar me liri e pavarësi të Kosovës, ishte edhe Hysen Arifi, biri i shtrenjtë i Malë dhe Zade Arifit, i lindur më 13.12.1963 në fshatin Pacaj të komunës së Gjakovës. Që në moshën gjashtëvjeçare atij i vdes babai, prandaj si jetim ai u rrit në përballje me vështirësi ekonomike .
Shkollën fillore e kreu në fshatin Sheremetaj, ndërkaq, shkollën e mesme e nisi në Junik, e vazhdoi në Gjakovë, dhe e përfundoi në Akademinë Policore në Vushtrri. Së pari u punësua si polic në Klinë, pastaj në Gjakovë.
Me rastin e kushtëzimit të punës me nënshkrimin për pranimin e shtetësisë së Serbisë, me qëllim të eliminimit të njësisë konstitutive federale të Kosovës, Hyseni u dallua kryeorganizator për refuzimin e këtij kushtëzimi nga policët shqiptarë. Akti i fundit i largimit nga detyra u bë më 12 gusht 1990 në sallën e stacionit policor të Gjakovës. Pas përjashtimit nga puna në polici, Hyseni vazhdoi studimet, së pari në SHLP të Gjakovës dhe pastaj e kreu Fakultetin e Pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës dhe u punësua arsimtar në shkollën fillore në Sheremetaj.
Duke qenë përherë nën kontroll të pushtetit okupues, shpesh merret në polici, madje keqtrajtohet fizikisht, andaj një kohë qe i detyruar të largohet nga atdheut. Bashkë me të vëllain, Salihun dhe me mikun, Lahën nga Batusha, në Vienë të Austrisë, merr pjesë në protesta antijugosllave. Në vitet nëntëdhjetë,merr pjesë edhe në protestat e mbajtura në Gjakovë, Prishtinë etj. I akuzuar për armëmbajtje pa leje u dënua me gjashtë muaj burg, të cilin e vuajti në Pejë.
Kontaktet e para me njësitet luftarake i pati në Junik dhe në Dobrosh, më 1998, kur edhe u mobilizua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, së pari në shtabin ushtarak të Smolicës, nën komandën e eprorit Naim Maloku.
Dy herë kishte shkuar në Shqipërinë administrative për të sjellur armatim për rekrutët e shumtë. Luftoi kryesisht në regjionin e Lugut të Çarragojës (Dobrosh, Pacaj, Sheremetaj, Nec, Dallashaj, Rracaj, Mejë etj.). Së fundi edhe në Kallavaj e Junik, ku edhe ra dëshmor, për t’u përjetësuar në altarin e lirisë.
Për arsye të njohurive mbrojtëse ushtarake, Hysenit iu besua detyra e komandantit të Kompanisë së III-të., në kuadër të Brigadës 136, detyrë të cilën e kreu me përkushtim.
Hyseni shquhej edhe si organizator i shquar, jo vetëm i terrenit luftarak. Shtëpinë e vet e pat shndërruar në shtab local të UÇK-së.
Në korrik të vitit 1998, forcat çetnike serbe ishin tërbuar tejmase nga shkaku i rezistencës së UÇK-së, prej së cilës kishte marrë goditje të ashpra e të befasishme. Andaj, kundër Rekës së Keqe, posaçërisht kundër Junikut, makineria ushtarake serbe kishte marrë një sulm të egër. Në mëngjesin e 25 korrikut, në betejën e ashpër dhe të pabarabartë, Hyseni zë pozitat mbrojtëse në Kallavaj, për ndaljen e turrit të tërbuar serb. Nja 5-6 metra më larg Hysenit, Vezir Ademi bie heroikisht. Hyseni përpiqet t’i afrohet për ta ndihmuar, por goditet rëndë. Në atë rast plagosen edhe disa luftëtarë të tjerë, midis tjerësh oficerët Naim Maloku dhe Niman Tofaj.
Hysenin e plagosur e tërheq luftëtari Artan Haxhiu, deri në spitalin e improvizuar ushtarak të Dobroshit, duke ia dhënë nihmën e parë, pastaj Fazli Hasani, Hasan Arifi e Shefqet Nuza e dërgojnë në spitalin ushtarak të improvizuar të UÇK-së në Rrezar (ish-Irzniq). Me gjithë përkujdesjen e ekipit mjekësor, në përbërje të të cilit ishin mjekët: Afrim Sulejmani, Ilir Beqiri, Haxhi Kamberi, Avdyl Krasniqi, Deli Haxhosaj dhe teknikut mjekësor, Ukë Salihu, shërimi nuk pati sukses dhe më 9 gusht 1998 hyn në përjetësi. Nga qielli i përflakur shuhet një yll i lirisë, për t’u shndërruar në rreze të përhershme lirie.
Trupi i dëshmorit u varros me nderime ushtarake në Ratishë. Më 27 korrik 1999 u rivarros në fshatin e lindjes, Sheremetaj. Hyseni ishte i martuar dhe la bashkëshorten, Sanijen nga Batusha, me katër fëmijët: Albulenën, Malën, Dardanin dhe Atdheun.
Hysenit dhe dëshmorëve të tjerë, në Dobrosh i është ngritur lapidari.
Familja e tij ka marrë Mirënjohje nga MM të Qeverisë së Kosovës, nga shkolla fillore e fshatit Sheremetaj, ku Hyseni kishte qenë nxënës dhe më vonë mësimdhënës. (Z. Gj.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …