(Përkitazi me librin “Mediat dhe politika” të Gëzim Mekulit, botoi “Mekuli press”, Oslo, 2006.).
Njëra ndër marrëdhëniet më interesante dhe më me ndikim në botën bashkëkohore është ajo ndërmjet medieve dhe politikës. Varësia e ndërsjellë, aq shumë e hetueshme, sidomos te ne, tanimë nuk përbën një fakt për ta konstatuar. Kjo, pa dyshim, do ta ketë nxitur edhe publicistin shqiptar, Gëzim Mekuli, që t’i përvishet punës për ta trajtuar këtë raport përcaktues për rrjedhat e gjithëmbarshme në shoqëri.
Vetë parathënia e këtij libri, në njëfarë mënyre, është shprehje e pakënaqësisë së autorit me nivelin e gazetarisë sonë. Në aq pak tekst bie në sy përdorimi i dendur i fjalës nevojë, qoftë si kërkesë për një gazetari profesionale, qoftë si kërkesë për një kastë të re gazetarësh të guximshëm, të pavarur ideologjikisht dhe mbi të gjitha njohës të praktikave më të avancuara të këtij zanatit. Pavarësisht se kjo mund të ishte shtysa e autorit për ta shkruar një libër të tillë, çështjen e medieve në jetën tonë shoqërore Mekuli e ka kundruar në një kontekst shumë më të gjerë dhe pothuajse nëpërmjet një qasjeje shteruese.
Aspekte të teorisë së medieve
Libri “Mediat dhe politika”, në të vërtetë, hapet me një kapitull teorik që qartëson nocionin komunikim, mjetet, format dhe funksionet e tij. Jo vetëm në këtë pjesë, por gjithandej librit, bindemi se autori, Mekuli, shquhet për një informacion të shumanshëm teorik mbi materien që e trajton. Si njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe gjurmues i papërtuar i dijes teorike, mund të thuhet se ia ka dalë që për secilën pjesë të librit të ofrojë përvoja të përparuara botërore të kësaj fushe. Në mënyrë të veçantë, në këtë kontekst, veçon rolin që mediet sot kudo e marrin si ndërmjetësuese të agjendave politike dhe përkufizimin teorik të modeleve të ndërmjetësimit. Gjithsesi kjo dije teorike, e mbështetur edhe me citate (dëshmi) të marra nga autorë të njohur botërorë të sferës së medieve, do të mund të shndërrohej fare lehtë në dogmë, po qe se nuk do të konkretizohej me shembuj nga praktikat e informimit, në rend të parë nga ato që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë dhe rreth saj, por, megjithëse në raste më të pakta, edhe nga ato që kanë të bëjnë me zhvillime jashtë saj.
Instrumentalizimi i dyfishtë
Mediat, në mënyrë te veçantë televizioni si burim zotërues i informimit të recipientëve te ne dhe kudo në botë, shpeshherë instrumentalizohen nga politika dhe kjo nuk përbën diçka të panjohur sidomos për shoqëritë posttotalitare, ndaj vlera e librit “Mediat dhe politika” nuk konsiston gjithaq në sjelljen e dëshmive lidhur me këtë pikë sa në faktin se në botë, si pasojë e forcimit të kompanive mediatike, tutorllëku tradicional përmbyset dhe mediat janë pikërisht ato që vënë shpesh nën kontroll politikën dhe politikanët, sikundër konstaton me të drejtë autori: “Mediat mund të mendohet të mbijetojnë pa përmbajtje politike, por politikanët pa media jo”. Gjithandej librit vihet re edhe qëndrimi kritik i autorit ndaj mediave në Kosovë, sidomos ndaj atyre publike, për një qasje joprofesionale dhe të njëanshme në transmetimin e informacionit politik. Ky informacion, në vend se të transmetohet me sa më shumë të dhëna, shpesh seleksionohet politikisht dhe jo rrallë edhe fabrikohet me qëllim të manipulimit të opinionit publik. Këto konstatime, mund të thoshte ndokush, se nuk përbëjnë ndonjë gjë aq të panjohur, por konsideroj se është kuraja e Gëzim Mekulit ajo që i sjell guximshëm dhe i dëshmon hapur para nesh. Kështu, duke thirrur për një gazetari profesionale dhe të paanshme, ai bindshëm demaskon mënyrën e shkrimit të disa gazetarucëve (një gjetje interesante e tij, gjithsesi ekuivalente me shprehjen poetucë, të cilën shqipja e njeh) partiakë. Qortimi tjetër, po ashtu me vend, i Mekulit për gazetarinë që bëhet në Kosovë ka të bëjë me raportin ndërmjet botuesve e kryeredaktorëve nga njëra anë dhe gazetarëve nga ana tjetër dhe gjithsesi konstatimi se të parët jo rrallë i konsiderojnë si pronë të tyre të dytët është tmerrësisht i saktë.
Mbretëria e televizionit, etika dhe “bërja” e lajmit…
Ndikimi i televizionit në krijimin e opinionit publik është i pakrahasueshëm kundruall atij të medieve të tjera. Ai tashmë, veç si një medie për informimin e marrësit, nga politikëbërësit dhe nga qarqet që zotërojnë fuqi të paparë ekonomike është kthyer në një mjet të propagandës. Duke e shfrytëzuar mundësinë e transmetimit të pamjes nga ngjarjet më të rëndësishme, sot televizioni transmeton drejtpërdrejt ngjarje nga vatrat e krizës dhe madje edhe nga luftimet. Duke seleksionuar, përpunuar lajme dhe duke i instrumentalizuar ato, me një fjalë jo rrallë edhe duke “bërë” lajme, sikundër është thënë edhe në këtë libër, paralelisht me luftën e vërtetë, zhvillohet edhe një lloj tjetër i saj, e cila, me të drejtë, është quajtur si videoluftë. Autori i ka argumentuar konstatimet me shembuj konkretë, duke dëshmuar se shpeshherë etika profesionale e gazetarisë i ka bërë vend propagandës, këtij instrumenti të fuqishëm në duar të politikës.
Një aspekt tjetër interesant është trajtimi i raportit televizioni-fëmijët. Dhuna, që shpesh instrumentalizohet, qoftë për motive politike, qoftë për përfitime të primatit medial në raport me konkurrencën, e cila manifestohet edhe si gjakim për ta pasur ekskluzivitetin mediatik, shkon aq larg sa – sikundër konstaton me të drejtë autori, duke marrë shkas nga trajtimi që në mediet tona iu bë një ngjarjeje vërtet rrëqethëse – “Gazetaria jonë nuk tregoi as më të voglin respekt për viktimën, për fëmijën…”
Veç vlerave të padyshimta të këtij libri, e gjej të udhës them se në disa raste janë përvjedhur gabime, që edhe mund të jenë pasojë e korrekturës elektronike, por që gjithsesi të janë pafalshme, ngase fatkeqësisht e dëmtojnë esencën e asaj që ka synuar ta thotë autori. Kështu, fjalia “’e vërteta’ është ajo që servilet nga mediet” (në vend se ofrohet, apo servohet) shkakton një keqkuptim jo të vogël, pastaj përdorimi i vazhdueshëm i togfjalëshit “ushtarët trakenë” (në vend të “ushtarët irakianë”) përbëjnë disa nga huqjet fatkeqe në këtë libër përgjithësisht të mirë.
Në përfundim të këtij vështrimi të shkurtër duhet thënë se libri “Mediat dhe politika” i Gëzim Mekulit, përveçse shquhet për qasjen e gjithanshme e shteruese lidhur me çështjet e trajtuara, sikundër edhe për guximin për t’i theksuar të metat e mediave tona, njëkohësisht, si sprovë intelektuale, përbën një qasje interesante të mendimit kritik, fara e të cili qëmoti ka nisur të tretet diku nën llumin e elozheve që kanë kapluar shoqërinë tonë.
Kontrolloni gjithashtu
Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!
Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …