Menjëherë pas luftës, më 21 qershor, ditë e hënë rreth orës 9:00 në fshatin Arllat, kishte zbarkuar një helikopter me një ekuipazh me 7/8 antarë ku kerkuan çarmatimin dhe marrjen e armëve tona.
Unë Hysni Gashi, Sami Gashi, Avdullah Gashi, Osman Krasniqi kemi qënë të vendosur që mos t’i dorëzojmë armët pa dhënë eproret tanë urdhër. Pas mosdorëzimit të armeve kemi kërkuar që t’i çaktvizojmë të gjitha kasetë bombat që i kemi grumbulluar afër shkollës së Arllatit për arsye sigurie të popullatës që jetonin aty. Ata kundërshtuan me arsye se ne nuk jemi ekspertë për këtë punë dhe do sjellin ekipin e tyre përkatës dhe janë larguar menjëherë. Rreth orës 12:00 kanë ardhur dy britanezë me një Jeep dhe thanë qe janë ekspertë të çaktivizimit të minave-kasetëbombave në atë moment ka ardhur Driton dhe Fatos Gashi ku Fatosi ishte dhe përkthyesi ynë.
Kërkuam që kasetë bombat qe ishin të mbledhura te shkolla ti dërgonim ne një gropë dhe t’i aktivizojmë qe të shkatërrohen.
Ne ushtaret unë Hyseni, Sami Gashi, Osman Krasniqi dhe Driton Gashi kemi dërguar kasetë-bombat në gropë.
Kurse Avdullah Gashi ishte në shkollë duke i siguruar armët tona të Brigadës 121,të Bataljonit të parë, Ymer Alushani.
Pas grumbullimit të kasetë-bombave në gropë dy britanez kanë bërë montimin e tyre për t’i aktivizuar e më pas për t’i eksploduar.
Aty i ndanë në tre grupe pasi që numri i kasetbombave ishe bukur i madh, pas montimit të dy grupeve, kur erdhi radha tek grupi i tretë erdhi, Milazim Gashi dhe kërkoi që t’i largojmë kasetbombat se ishin afër shtepisë së tij pasi ai ishte duke rregulluar shtepinë për të pritur familjen e tij që kishin ikur nga Kosova për në Shqipëri.
Dy britanezët i thanë që shtëpia nuk dëmtohet dhe aty Dritoni dhe Fatos Gashi shkuan tek familja e dëshmorit Abedin Bujupi. Ata kërkuan që t’a sigurojmë terrenin që mos të afrohen popullata gjatë shperthimit të kasetbombave. Gjate përgatitjës së grupit të tretë të kasetë-bombave një britanez hasi një bombë me këpucen e tij në parashutin e kasetbombës, ku ishte shkaku i shpërthimit të asaj dhe 70-të bombave të tjera. Aty kanë rënë, Sami Gashi, Osman Krasniqi, Milazim Gashi dhe dy britanezët kurse unë u plagosa rëndë mbi 35 plagë në trup.
Nga aty kam lëvizur rreth 200 metra këmbe dhe kam kërkuar ndihmë nga një britanez i cili mënjeherë është larguar nga aty për të kërkuar ndihmë. Ndihmën e parë ma ka dhënë, Ramadan Gashi dhe Agim Bujupi ish doktorët e UÇK-së ku e siguruan një veturë për të më dërguar në bazën ushtarake të KFOR-it në shkollën fillore të Komoranit. Aty me mjekuan mjekët e KFOR-it dhe më dërguan me helikopter në bazën tjetër të ushtrisë Britanike në Fushë Kosovë, në spitalin ushtarak të KFOR-it ku kam qenë në koma rreth 7 ditë, pastaj kam filluar të marrë vetën. E jeta më pas më solli shumë dhimbje në trup e vuajtje në shpirt kur mora lajmin për shokun tim Sami Gashin.
Fizikisht pas shumë viteve u përmirësova ndërsa psiqikisht fitova një traumë të rëndë nga ato zhurma dhe ato pamje të rënda të ushtarëve të tjerë të copëtuar.
E dhimbjet shpirtërore prapë i mora disa muaj më vonë ku fëmijët e mi kishin frikë nga unë, nga pamja ime, ata nuk më njihnin pasi u shndërrova në një njeri tjetër. Kisha përkrahje të madhe nga familja ime dhe u kujdesën për mua vite me radhë.
E sot jemi në liri por kjo liri nuk ma gëzon shpirtin, ndihëm si një i harruar në një qoshe e kështu mendoj që janë edhe shumë veteranë e invalidë të tjerë.
Plagët e trupit ende dhëmbin, por jo sa ato të shpirtit, sepse jeta nuk na gëzoi asnjëherë.